Rama: Qytetarët e dëmtuar nga zjarret e verës do të përfitojnë ndihmë financiare në 15 bashki
Këtë javë u shpallën dëmshpërblimet për 15 bashki të prekura nga zjarret gjatë verës së kaluar, për periudhën 15 qershor – 15 shtator, përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Kryeministri Edi Rama, gjatë podkastit “Flasim”, bëri të ditur se bashkitë përfituese shtrihen nga veriu në jug të vendit dhe përfshijnë Malësinë e Madhe, Krujën, Rrogozhinën, Peqinin, Tepelenën, Delvinën, Hasin, Kukësin, Dibrën, Kamzën, Librazhdin, Gramshin, Maliqin, Finiqin dhe Dropullin.
“Të gjitha këto territore të prekura nga zjarret kanë tashmë në dispozicion masën e përcaktuar të dëmshpërblimeve sipas dëmeve,” tha Rama.
Kryeministri theksoi se procesi i vlerësimit dhe shpërndarjes së dëmshpërblimeve është realizuar me një punë të detajuar institucionale, duke garantuar që ndihma financiare të arrijë tek qytetarët e dëmtuar.
“Është bërë një punë shumë e kujdesshme dhe është krijuar, më e rëndësishmja, e gjithë korniza për të bërë të mundur që dëmshpërblimi të shkojë aty ku duhet dhe që çdo qytetar i dëmtuar të marrë atë që i takon,” tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

