Rama: Rindërtimi i Ukrainës dhe integrimi i Ballkanit në BE plotësojnë Europën
Kryeministri Rama mori pjesë sot në Konferencën për Rindërtimin e Ukrainës, e cila zhvillohet me pjesëmarrjen e kryetarëve të shteteve dhe qeverive, institucioneve financiare ndërkombëtare, përfaqësuesve të biznesit dhe organizatave të shoqërisë civile nga mbarë bota.
“Nëse rindërtimi pret derisa të bjerë plumbi i fundit, atëherë do të jetë tashmë tepër vonë. Pikërisht për këtë arsye jemi sot këtu.
Ndërkohë, Ukraina po rindërtohet, ndërsa njëkohësisht mbron veten. Ky është kuptimi i madh i kësaj konference. Shqipëria është këtu me një bindje shumë të thjeshtë: Ukraina duhet ta sigurojë paqen me të njëjtën vendosmëri me të cilën po mbron lirinë e saj.
Nga ana tjetër, ne e shohim rindërtimin e Ukrainës dhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor si procese që përforcojnë njëri-tjetrin. Të dyja lidhen me plotësimin e Evropës, forcimin e qëndrueshmërisë së saj dhe zvogëlimin e cenueshmërive strategjike.
Natyrisht, rindërtimi nuk është bamirësi, por strategji. Nuk bëhet fjalë vetëm për të riparuar atë që është shkatërruar, por për të ndërtuar një Ukrainë demokratike, evropiane, moderne dhe të qëndrueshme, duke dëshmuar se e gjithë Evropa është e aftë ta realizojë këtë.
Dhe, në përfundim të kësaj fjale të shkurtër, për të cilën jam i bindur se do të vlerësohet, dua të them se Ukraina po rindërton guximin e Evropës. Evropa duhet të ndihmojë në rindërtimin e së ardhmes së Ukrainës”, tha Rama.
Konferenca synon të forcojë mbështetjen ndërkombëtare për Ukrainën dhe të mobilizojë investime për rindërtimin dhe zhvillimin afatgjatë të vendit. Punimet e saj do të fokusohen në sektorët më të prekur nga agresioni rus, përfshirë energjinë, infrastrukturën kritike dhe logjistikën, si dhe në forcimin e kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes, të konsideruara thelbësore për procesin e rindërtimit.
KOHA JONË SONDAZH

