Rama shkon në Beograd. A ka ndonjë porosi PD?
Ai i sugjeroi Kryeministrit të shtetit të vet që ta shtynte vizitën, pasi nuk kishte kuptim në atë klimë antishqiptare të krijuar. Në atë kohë lufte nervash me logjikën dhe hipokrizinë nacionaliste serbe, e cila nuk la gur pa luajtur që të tolloviste UEFA-n për të mbuluar atë turp, për të mbuluar para botës fytyrën e vërtetë prej bishe të Serbisë, e cila gënjente se ka ndryshuar, por që në fakt u shfaq e ngjashme me Serbinë që ishte. Serbia gjakatare e Millosheviçit ka masakruar popujt e Ballkanit deri një dekadë më parë. Nuk i eci shumë me kroatët dhe me shqiptarët. Flamurin, tonë e kanë tmerr si demat spanjoll bezen e kuqe. Edhe kësaj here u tërbuan aq keq me ne, sepse prapë ne shqiptarët aq hatashëm ia nxorëm cullak fytyrën e vërtetë Serbisë, me një lodër qesharake fëmijësh. Një mendim të tillë të arsyeshëm, të thënë pa djallëzi e për të mirë të shtetit të vet nga Kryetari i Opozitës, nuk kishte se si të mos e dëgjonte Kryeministri i Shqipërisë në tetor.
Në fakt u bë aq mirë që ai takim u shty me vullnetin e të dyja palëve, pasi ato ditë vërtetë nuk do të sillte asnjë rezultat pozitiv, do bëhej tepër i sforcuar e pa asnjë lloj dëshire prej asnjërës palë. Tani që gjakrat janë qetësuar , tani që UEFA na ka ndëshkuar të dyja palëve (ne shqiptarëve për hatër të Serbisë së Madhe).Tani që kanë dalë dhe ide që serbët dhe shqiptarët të apelojnë së bashku për përsëritjen apo vazhdimin e asaj ndeshje, për të korrigjuar çfarë u bë shëmtuar dhe që njëra ose të dyja skuadrat të mos i humbin pikët, që Platini ua dha falas portugezëve a ndonjë ekipi tjetër. Tani që vala e urrejtjes dhe nacionalizmave është qetësuar .Tani që politika, pasi e pa vetën në pasqyrë e kuptoi se si u katandis më keq se tifozët, duket se erdhi momenti i tavolinës së rëndësishme të planifikuar prej kohësh. Ky takim është i një rëndësie të veçantë për të dyja vendet tona, pasi Shqipëria dhe Serbia janë kyçi i paqes dhe i prosperitetit të Ballkanit Perëndimor. Ka qenë kështu gjatë gjithë historisë dhe kështu do të jetë, deri sa gjërat të vihen në vendin e vet. Ndaj të dy Kryeministrat, besoj se tani mezi e presin takimin e tyre dhe janë shumë të interesuar që ai të shkojë sa më mirë jo vetëm formalisht, por që të ketë marrëveshje reale në shumë fusha me interes të madh reciprok. Në politikë janë mbase në vend të parë çështjet e standardeve europiane të bashkëjetesës në Kosovë dhe në viset shqiptare në Serbi. Por shumë të mëdha janë dhe interesat ekonomike e kulturore mes dy vendeve tona. Serbia është një treg i madh për Shqipërinë dhe Kosovën. Po kështu dhe Shqipëria e Kosova janë një treg shumë i rëndësishëm për Serbinë. Ne kërkojmë turistët në fund të botës, duke pasur turistët serb në derë të shtëpisë, të cilët paguajnë brigjeve kroate e greke dy e tre herë më shumë se tek ne. Serbët shkojnë e blejnë prodhimet e detit dy e tre fish më shtrenjtë në Kroaci e Itali, duke patur Shqipërinë në derë. Shqipëria mund të ishte porta e hapur e detit për gjithë tregtarët e Ballkanit Perëndimor. Për Serbinë kjo është jetike, sepse nuk ka det. Por janë me qindra, e ndoshta me mijëra interesat e tjera ekonomike reciproke, si ato të materialeve të ndërtimit, prodhimeve të bujqësisë e industrisë ushqimore, në energjetikë, në bazat logjistike të bizneseve të mëdha tregtare e prodhuese etj. Klasa e biznesit e di se serbët në kontraktime përpiqen të jenë korrekt dhe shumë gjëra mes nesh ka kohë që funksionojnë. Edhe muzika e kultura serbe në Shqipëri nuk urrehen. Bile që në kohën e Hoxhollit e dëgjonim fshehurazi muzikën e bukur serbo-jugosllave. Është pak ndryshe në Kosovë edhe për ca vite dhe kjo është e kuptueshme. Ndaj mendoj se fushat e bashkëpunimit janë shumë të mëdha, e shumë të rëndësishme mes dy vendeve. Por këto varën shumë nga vullneti dhe largpamësia e qeverive tona, e liderëve tanë politikë, të cilët të parën gjë që duhet të bëjnë tani, mendoj se është: heqja nga sytë e bandave të zeza të nacionalizmave, në mënyrë që të shohin horizontin e madh të prosperitetit që kërkon të na zbulojë para syve Europa dhe SHBA-ja, të dy kombeve tona të ngopur tashmë me lufta.
Ajo që më bën vërtetë përshtypje jo të mirë, tani që erdhi dita që t’i themi realisht Kryeministrit: të shkoftë mbarë dhe t’i japim ca porosi, Opozita jonë jo vetëm hesht, por shfrynë tribunave të mediave dhe faqeve të zeza të gazetave të veta, duke i thënë Kryeministrit të vet kryekriminel, vrasës, mafioz, qen i rrahur e sa e sa idiotësira, epitete e akuza të ndyra si këto. Shumë kush mund të mendojë se Berishës i shpëtoj nga kontrolli Basha, kur i sugjeroi Kryeministrit që të mos shkonte në Beograd në klimën e ndezur të tetorit. Nëse nuk është kështu, atëherë Kryetarit të Opozitës i takon për respekt dhe për detyrim ndaj shqiptarëve t’i japë dhe axhendën e Opozitës me vete Kryeministrit të Qeverisë së vetë për këtë takim, aq të rëndësishëm për Shqipërinë, Serbinë, Kosovën dhe integrimin e përbashkët europian.