Rama takim me disa kryebashkiakë, Berisha: PD në mision, qeveria po shkërmoqet
Kryeministri Edi Rama ka nisur në jug të vendit konsultimet për ndarjen e re territoriale, ndërsa opozita e kundërshton procesin dhe e sheh atë si një tjetër përpjekje për përqendrimin e pushtetit. Kreu i PD-së, Sali Berisha thotë se decentralizimi është një nga shtyllat e një shteti demokratik, duke akuzuar qeverinë ”Rama 4” për centralizim të tejskajshëm të pushtetit.
Zoti Berisha, duke u nisur nga kjo e fundit që thatë, për një vjeshtë me temperatura të larta politike, do të rikthehet opozita me protestat e saj, apo si do të jetë aksioni në terren?
Sali Berisha: Opozita do përdorë të gjitha mjetet kundër kësaj qeverie. Dhe siç e shihni, rrokullisjen e saj nuk ka forcë në botë që ta ndalë më. Në fakt, në një seri qytetesh, opozita është në protestë. Këto janë të organizuara, por nuk janë masive sa ç’duhet të jenë, por do bëhen. Kështu që, me Edi Ramën çdo ditë, çdo javë që kalon, Shqipëria shkon thellë e më thellë në krizën e saj. Ndaj dhe e thashë, tani ai e ka të vetin pollin, nuk e ka nga unë. Jo. E dinë vetë ata. Përpara ia bënte pollet Alastair Campbell me ekipet, se vetë Alastairi nuk merret me pollet, po gjente ekipet. Tani duket e ka parë që nuk ia vlen të merret me të dhe ka thënë që është i përfunduar. Ai nuk ka më shpresë, Rama nuk ka më shpresë. Një grindavec i droguar, që merret dhe shahet dhe zihet gjithë ditën me protestuesit për komentet e tyre, të drejta, etiketat që i vënë. Trollsa, sorra, korba… përfytyron veten kufomë politike që këto i çukisin si korba dhe sorra trupin e tij. E kuptoni ku ka degraduar? Se heq atë frazë ai. Vini re, trollsa, sorra, korba… se ato ushqehen, dihet që korba dhe sorrat ushqehen në kufoma. Unë them politike, jo fizike, por në këtë rast politike, por edhe protestuesit politike e kanë, nuk e kanë fizike, me thënë të drejtën. Të jemi paqësorë.
Duke u ndalur tek trollsat, ka pasur pak minuta më parë një reagim të kryeministrit Edi Rama pas qëndrimeve të tij se Serbia e humbi Kosovën. Sipas tij, ka pasur një valë komentesh nacionaliste nga Prishtina dhe Beogradi, duke theksuar se këto janë dëshmi që kryeministri dhe diplomacia shqiptare po e bën mirë punën e saj. A keni një koment?
Sali Berisha: Qeveria është një qeveri antishqiptare në kuptimin e asaj që kur Snezhana Paunoviç shpalli gabim moskompletimin e operacionit ‘Patkoi’ dhe të dëbimit të të gjithë shqiptarëve nga Kosova, Edi Rama e injoroi dhe heshti si fije e barit. Përkundrazi, atij akti, një deklaratë gjenocidale, Edi Rama iu përgjigj me një koncesion, me një lëshim të cilin e ka bërë vetëm Enver Hoxha në vitin 1945: hapjen e konsullatës serbe në Shkodër pse aty janë një komunitet i respektuar prej 100-200 serbë apo malazezë, sepse ata si të ndjehen le ta thonë, kanë të drejtën e tyre të lirë.
Sigurisht që deklaratat e fundit të Vuçiçit janë deklarata destabilizuese. Por ato u dënuan edhe nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara. Se të kërcënosh se do përdorësh etjen si armë do të thotë se racizmi yt dhe barbaria jote shkon në nivele mitologjike. Duke harruar se jetohet në një realitet ku ka ligje ndërkombëtare, të cilat diktojnë qëndrimin ndaj ujërave, liqeneve, lumenjve. Ujërat dhe lumenjtë në territorin e Kosovës nuk mund t’i prekë askush. Liqenet në Kosovë janë ndërtuar nga ish-Jugosllavia e Titos dhe janë brenda territorit administrativ të Kosovës.
Po të jetë puna për të përdorur armë të tilla, atëherë ai që imagjinon këto është i qartë kundër paqes në rajon, ndaj dhe erdhi reagimi i djeshëm si i Bashkimit Evropian, ashtu dhe i Departamentit të Shtetit. Me asgjë nuk mund të lajë Edi Rama shërbimet antishqiptare që i ka bërë Beogradit. Jo me etje dhe shterim uji, por duke iu shkatërruar vendet e punës, duke iu vrarë shpresën dhe votën e lirë, Edi Rama ka kryer një gjenocid të butë, dy herë më të madh se gjenocidi i kryer nga platforma e Çubriloviçit në Kosovë. Tani, a mundet Edi Rama të purifikohet të themi, nga aktet e panumërta të tradhtisë kombëtare? Jo, me asgjë. Ai ka kryer aktet më të larta të tradhtisë kombëtare ndaj shqiptarëve në Shqipëri, ndaj shqiptarëve në Kosovë, ndaj kombit shqiptar.
Sot u raportua që kryeministri Edi Rama do të mbledhë në një takim kryebashkiakët për të diskutuar edhe për hartën e re territoriale. Ndërkohë pyetja ime është, a do të ketë edhe një mbledhje nga ana juaj e kryebashkiakëve të djathtë apo edhe këshilltarëve të djathtë, për të diskutuar mënyrat dhe format se si do e kundërshtoni këtë hartë të propozuar nga Partia Socialiste? Dhe Partia Demokratike ishte e para që hodhi idenë e referendumit, a po ndërmerrni ju hapat e duhur për t’ju drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për tërheqjen e formularëve tip në mënyrë që të mblidhni firmat e nevojshme për zhvillim të referendumit lokal apo kombëtar, siç e keni parashtruar?
Sali Berisha: Ka një zhvillim shumë pozitiv në këtë aspekt. Qëndrimi i qartë publik i Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale lidhur me ndryshimet e hartës së njësive territoriale në Shqipëri, përcaktohet se karta e këtij Kongresi, e firmosur nga Shqipëria, detyron referendumet, detyron konsultimet. Dhe kjo është përgjigjja që ka marrë zonja Tabaku si kryetare e komisionit për reformat nga ky Kongres.
Natyrisht, Edi Rama nuk pyet për asgjë, ai njeh vetëm interesin e karriges së tij dhe të pushtetit të tij të pakufishëm, i cili po shkon drejt një fundi të turpshëm dhe plotësisht të merituar për të. Ne do ndërmarrim të gjitha hapat që ekzistojnë për hartën më të mirë të mundshme të ndarjes së njësive territoriale. Harta jonë paraqet 111 njësi, por ajo është e hapur për diskutim. Që nga diskutimet me komunitetet, aty ku ekzistojnë kushtet më minimale të krijohen dhe njësi të tjera. Ky është qëndrimi ynë.
Decentralizimi është një parim themelor i një shteti që pretendon të jetë demokratik. Edi Rama ka bërë hiper-përqendrimin dhe hiper-centralizimin e pushtetit në Shqipëri, në disa aspekte, ju nuk e njihni, por absolutisht më shumë se diktatori Enver Hoxha. Në diktaturë, ishin komitetet ekzekutive të rrethit, por kishte dhe lokalitete, të cilat ishin si komunat, me këshilla dhe me kompetenca, në të cilën qytetarët merrnin lejet, merrnin vërtetimet, kishin gjendjen civile, pra kishin një seri shërbimesh. Dhe ajo ishte diktatura më moniste. Ishte më keq se Koreja e Veriut sot, po këtë e kishte. Ky i hoqi, ky fshiu, ky është vetëm vetë.
Ndaj dhe çdo ditë që qëndron në pushtet është një ditë e humbur, e dhimbshme për shqiptarët. A keni në plan të mblidhni kryebashkiaket dhe këshilltarët e djathtë për të kërkuar mbledhjen e firmave për referendum? Sali Berisha: Ne do të marrim të gjitha veprimet e duhura.
Zoti Berisha, ju e nisët këtë konferencë duke përmendur një poll të vetë Partisë Socialiste, në të cilën evidentohej sipas jush rënia e Partisë Socialiste. A kishte ky poll të dhëna se në çfarë pozitash ndodhet Partia Demokratike dhe partitë e tjera të reja apo lëvizjet e reja?
Sali Berisha: Po a mund t’u besosh socialistëve ti në poll për kundërshtarët? S’mund t’u besosh atyre. Ata i zhdukën këto. Unë as i pyeta, as u interesova. Unë mora vesh këto dy lajme, të sigurta i keni, që polli i ka rënë në krahasim me zgjedhjet me njëzet e sa pikë. Vetë, se vetë u mburret atyre, u thotë u mbaj unë ju u thotë, vetë del nën socialistët. Pra, ai është faktor i rrokullisjes së madhe.
Po Partia Demokratike vetë a ka sondazhe? Keni të dhëna?
Sali Berisha: Jo, nuk bëjmë. Nuk bëjmë sondazhe ne.
Dhe një pyetje tjetër, ditën e djeshme Kryeministri Edi Rama publikoi një indeks në të cilin e rendiste Shqipërinë të parën në botë sa i përket mbrojtjes kibernetike. Sa i besueshëm sipas jush nga të dhënat e juaja është ky indeks dhe a qëndron problemi sipas jush te sistemet apo tek njerëzit?
Sali Berisha: Tani, në fundin e viteve ’70, ka qenë një anëtar i Komitetit Qendror që ishte si eminenca gri. Në fakt, i ndjeri Ismail Kadare thoshte se ai ishte shefi i KGB-së për agjentët e saj, përfshi këtu dhe Ramiz Alinë. Pra, ishte dhe shefi i Ramiz Alisë. Ky quhej Sofo Lazri. Në Shqipëri absolutisht mbi 70% e popullatës ishte në uri kronike. Çfarë do të thotë uri kronike? Do të thotë që njerëzit nuk marrin dot minimumin e lëndëve ushqyese për të ripërtërirë qelizat, por marrin nga qelizat e tyre ato lëndë që duhet për funksionet më bazë, për prodhimin e enzimave e të tjera me radhë.
Pra, mbi 70% nuk siguronin atë që quhet minimum proteinik, po të kthehem në atë profesionin tim të dikurshëm. Dhe ky, si ta qetësojë këtë punë, e çon Sofon në Meksikë. Dhe atje, Meksika i jep atij çmimin e parë të ushqimit në botë për Shqipërinë. E kuptoni ju? Tani ky ky merr çmimin e parë në një kohë kur Ermal Beqiri i kishte të gjitha të dhënat në dorë, ishte dhe haker kryesor.
Ky u thotë shqiptarëve një lloj si Sofo, ata të shkretit absolutisht, pjesa dërrmuese, jugu, lindja dhe veriu nuk kishin asnjë ushqim tjetër përveç bukës së misrit dhe një kile sheqer dhe kripën. Gjë e paimagjinueshme domethënë. Dhe ky thoshte Shqipëria merr vendin e parë për ushqim në botë. Edhe ky është si çmimi i Sofos! Po mos harroni se ky e ka dhe dajë Sofon. Bile harrova të them. E ka një lloj kushëriri, është një lloj kushëriri i Kolekëve, kështu i kanë gjenet e përziera. Është i atij xhinsit, aty afër.
KOHA JONË SONDAZH

