Rama tregon në “Flasim” se sa “Lule t’bukra ka Tirona”, me përvojën e dy motrave nisën dyqan lulesh me 900 euro kursime
Kryeministri Edi Rama publikoi sot episodin e radhës të podkastit “Flasim”, ku është ndalur te rrëfimi i dy motrave nga Tirana, të cilat kanë ngritur një biznes lulesh duke nisur nga një investim i vogël prej 900 eurosh.
Në podkast, Altea Boduri dhe motra e saj rrëfyen fillimet e tyre të thjeshta, nga marrja me qira e një dyqani të vogël në periferi të kryeqytetit, deri te shitja e parë e një vazoje karafili me vlerë 5 mijë lekë të vjetra. Motrat theksuan se prindërit kanë qenë mbështetja kryesore në ngritjen e këtij biznesi, duke i ndihmuar me pajisje dhe furnizime.
“Fillimisht ne punonin me shitjen e rrobave online, fillimisht rrobat tona pastaj duke marrë nga rroba nga furnitorët. Por një ditë më del një mesazh në rrjete sociale “lule të bukura ka Tirona” dhe çoj një mesazh në grupin familjar dhe shkruaj “do të hapim një dyqan “Lule të bukura ka Tirona””, tha ajo.
Ajo tregoi se frigoriferi për ruajtjen e luleve kushtonte por lekët për këtë i kishin ndaj vendosën të merrnin me qira një dyqan të vogël në periferi, ku edhe hodhën hapat e parë. “Ndoshta e nisëm kollaj, por na mbështetën shumë mami dhe babi, të cilët na ndihmuan me blerjen e mobiljeve dhe të mallit”, u shprehën motrat.
Gjatë bashkëbisedimit me kryeministrin Rama, ato shprehen se suksesi i tyre është ndërtuar hap pas hapi, nga mësimi i teknikave të paketimit, te rritja e porosive online, që tashmë është segmenti më i fortë i aktivitetit të tyre.
“Furnizimin me lule të freskëta ne e bëjmë çdo të hënë, ndërsa ditët festive, si Shën Valentini dhe Dita e Verës, shënojnë fluksin më të lartë të shitjeve”, tha Altea.
Ajo tregoi se, trëndafilat janë lulja më e kërkuar, dhe nga 2 mijë trandafila që kanë shitur në Shën Valentinin vitin e kaluar, këtë vit arritën mbi 5 mijë copë të shitura. Të dyja motrat kombinojnë punën me studimet universitare, njëra në art–design dhe tjetra në sociologji.
Ato po planifikojnë zgjerimin e aktivitetit me një dyqan më të madh pranë qendrës së Tiranës, ndërsa aktualisht menaxhojnë dy dyqane në periferi.
Kryeministri Rama i përgëzoi vajzat për iniciativën teksa u shpreh se “keto ishin dy motrat e luleve te bukra të Tironës dhe çdo herë që të futeni në instagram do t’ju dalin lulet më të bukura”.
KOHA JONË SONDAZH

