Rama tregon pse u prish aleanca me Metën: Nuk është fundi i botës
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri i vendit Edi Rama zbuloi arsyet e prishjes së koalicionit me LSI-në, duke thënë se ishte pikërisht aleati i tyre që vendosi të bëjë një zgjedhje taktike dhe dritëshkurtër.
“Unë kam qenë vazhdimisht i mendimit që duhet të konsolidonim koalicionin për të vazhduar partneritetin strategjik. Kam bërë përpjekje për të filluar punën për 4 vjeçarin e ardhëm si koalicion, për fat të keq aleatët tanë ndoqën një rrugë taktike, nuk u bë i mundur koalicioni për 4 vitet e ardhshme. Është e qartë që për ne fitorja është e rëndësishme edhe përmasa e fitores gjithashtu. Jo për ne, por për shqiptarët”,- tha Rama.
Ndërsa duke sqaruar se pse prish përfundimisht koalicioni, Rama shtoi: “Nuk është ndarje por pozicionim i ndryshëm, koalicioni nuk ndodhi, u bë e qartë për mua se aleatët kishin një qasje komplet tjetër taktike dhe dritëshkurtër, por nuk është fundi i botës”.