Rama: Turizmi, nga mot do jetë krejt ndryshe
Një paketë e plotë investimesh është duke u zbatuar me qëllim transformimin e plazheve të Jonit. Projekti është duke u zhvilluar për ti dhënë një pamje të re Himarës dhe Bregut të Jonit, me synimin për të qënë gati në sezonin e ardhshëm turistik.
Në Himarë këto punime me vlerë 233 milion lekë të dhëna nga qeveria nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i inspektoi kryeministri Edi Rama. Projekti parashikon rikualifikimin e plotë urban të shëtitores buzë detit, sheshit qendror, që do të vazhdojë me unifikimin e fasadave të ndërtesave dhe krijimin e një qendre administrative tipike të një qyteti mesdhetar.
“Mendojmë që kjo do të japë një hov të madh dhe zhvillimit të biznesit në qendër të qytetit. Përgjithësisht kjo është një pedonale dhe do t’i japim hapësirë që qytetarët të shijojnë bregun e detit”, tha Jorgo Goro, kreu i bashkisë së Himarës.
Sipas kryeministrit Rama,krijimi kësaj hapësire të re do të fuqizojnë potencialin turistik të Himarës dhe turizmit shqiptar, si dhe do t’i japin zhvillim të ri aktivitetit ekonomik dhe tregtar.
“Pas 20 e kusur vitesh i jep mundësinë Himarës të jetë jo vetëm vendi ku vijnë po dhe vendi ku marrin një shije krejtësisht tjetër dhe hap rrugën e një ripërtëritje dhe urbane dhe mjedisore, dhe shpirtërore, pasi u godit keq shumë dhe HImara në identitetin e vet dhe u mbulua nga pluhuri dhe balta estetike e pasurzimit. Vazhdoi me plazhet e Dhërmiut dhe Jalës që i shtohen hartës së bashku me plazhin e Qeparoit. Do vazhdojë me kthimin në identitet të Vunoit dhe Dhërmiut të vjetër”, u shpreh kryeministri Edi Rama.
Edhe në Qeparo kanë nisur punimet për vazhdimin e shëtitores, segmenti i parë i të cilës përfundoi para nisjes së sezonit turistik të këtij viti.
Shëtitorja shtrihet në të gjithë vijën e plazhit të Qeparoit deri në pikën fundore të tij, me një gjatësi prej 2 kilometra dhe gjerësi nga 5 deri në 7metra, ku projekti parashikon të ruhen karakteristikat e zonës.
“Është një nga investimet besoj më të mëdha në Himarë. Do ta japë një zhvillim zonës së Qeparoit po në përgjithësi të gjithë bregdetit. Është mirëpritur nga të gjithë qytetarët e Himarës dhe me këtë vrull që kemi marrë kërkojnë të gjithë fshatrat e vet shëtitoren e tyre”, tha Jorgo Goro, kreu i bashkisë së Himarës.