Rama: Viti 2026, vendimtar për të dëshmuar gatishmërinë e Shqipërisë për integrimin në BE
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se viti 2026 përbën një moment kyç për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke e cilësuar këtë periudhë si vendimtare për ecurinë e procesit dhe për të ardhmen europiane të vendit.
Gjatë podkastit “FLASIM – Episodi 3, Sezoni 6”, Rama u shpreh se ky vit kërkon përkushtim maksimal në zbatimin konkret të reformave, përtej miratimit të tyre formal.
“Ky është një vit kyç për negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Është një moment vendimtar për procesin dhe për përparimin e Shqipërisë në rrugën e negociatave”, theksoi Rama.
Në këtë kuadër, Kryeministri bëri të ditur se gjatë kësaj jave është prezantuar një paketë e re me rreth një duzinë nismash ligjore, të orientuara drejt forcimit të shtetit të së drejtës, rritjes së transparencës dhe përafrimit të mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.
Sipas tij, këto nisma përfshijnë fusha thelbësore si lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, forcimi i institucioneve dhe garantimi i funksionimit efektiv të shtetit ligjor.
Rama theksoi se reformat nuk duhet të mbeten thjesht detyrime në letër që burojnë nga procesi i negociatave, por duhet të shndërrohen në investime konkrete për rritjen e besimit të qytetarëve dhe për përmirësimin e funksionimit të institucioneve.
“Këtë javë, pikërisht për këtë arsye, është prezantuar edhe paketa e re, me një duzinë nismash ligjore që shkojnë në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës, rritjes së transparencës dhe përafrimit të mëtejshëm të legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian dhe këto janë nisma që përfshijnë fusha thelbësore si; lufta kundër korrupsionit, mbrojtja e të drejtave të njeriut, forcimi i institucioneve, dhe nuk janë thjesht detyrime në letër, që natyrisht janë edhe detyrime në kartën e ligjit që burojnë nga negociatat, por janë dhe një investim i mëtejshëm në besimin e qytetarëve dhe në funksionimin e shtetit ligjor”, u shpreh Rama.
“Ky është një vit kur Shqipëria duhet me patjetër të provojë se është e gatshme, jo vetëm t’i kalojë reformat, por dhe t’i jetësojë ato, duke pasur parasysh që të gjithë çdo ditë, në çdo hap, se ky moment nuk mund të humbet”, theksoi kreu i qeverisë.
KOHA JONË SONDAZH

