Rama:Buxheti faktik 2014, konsolidim fiskal, shlyerje borxheve të prapambetura

 

 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare per ProjektBuxhetin 2016

Sigurisht që unë e mora fjalën për Buxhetin Faktik, por më lejoni një hyrje të shkurtër lidhur me pretendimin madhor të propagandës së Partisë Demokratike për luks, për shpenzime luksi, që u argumentua së fundmi, edhe me një akuzë të radhës për mua personalisht, si turist që bëj shpenzime marramendëse dhe bredh nëpër botë. Paraardhësi im ka pasur shumë mëkate dhe ka bërë shumë të pabëra, por as ka qenë dhe as nuk mund të themi sot se mund të konsiderohet një turist i dalluar. Ka qenë një person, besoj i përmbajtur në shpenzimet për udhëtime jashtë vendit dhe besoj edhe në numër udhëtimesh.

Unë kam këtu një tabelë me shifra që nga viti 2007 deri në vitin 2014, – meqë jemi tek Buxheti Faktik i 2014-s, – të shpenzimeve “turistike” të institucionit të Kryeministrit. Viti 2013 nuk është i përfshirë, sepse është një vit i ndarë për shkak të ndryshimit të qeverisë.

Atëherë, paraardhësi im në 2007-n ka shpenzuar 16 669 euro dhe 20 mijë e 735 dollarë; në 2008-n ka shpenzuar 14 265 euro dhe 8 536 dollarë; në 2009-n 20 850 euro dhe 25 734 dollarë; në 2010-n 13 982 euro dhe 9 386 dollarë dhe në 2012-n 19 760 euro dhe 21 078 dollarë.

Ndërsa unë në 2014-n kam shpenzuar 11 745 euro dhe 493 dollarë. Pra, në qoftë se do të shikojmë të gjithë tabelën, në vitin 2014, për udhëtimet dhe shpenzimet e kryeministrit është shifra më e ulët historike, krahasuar me liderin e partisë suaj, që është edhe orkestruesi i madh i të gjithë kësaj uturie akuzash dhe shpifjesh.

Ky është fakti.

Ndërsa sa për turist, turist kemi pasur dikë tjetër, Kryetaren e Kuvendit, e cila në tetë vite i ka kushtuar taksapaguesve 180 mijë euro dhe 15 mijë dollarë, vetëm për të njëjtat shpenzime. Pra, një kosto e madhe. Ndërkohë që ka qenë një turiste me kosto edhe brenda vendit, duke i kushtuar shqiptarëve 160 mijë dollarë brenda vendit. Vetëm makinat e saj kanë konsumuar 124 mijë litra karburant. Duke llogaritur që ka pasur katër makina, i bie që çdo ditë të katërt makinat kanë harxhuar nga 20 litra karburant dhe për 2 900 ditë rresht në detyrë, Kryetarja e Kuvendit paska bërë 160 kilometra në ditë, brenda vendit, pa llogaritur miljet.

Kështu që, edhe një herë gjejini punë opozitës se keni lënë pa punë. Kjo që bëni ju nuk është puna e opozitës, kjo është një punë tjetër. Është një punë që nuk meriton jo respekt, por nuk meriton as neveri, meriton vetëm mëshirë.

Ideja fikse e juaja që shpif, shpif se diçka do të mbetet dhe shfrytëzo varfërinë, shfrytëzo problemet e njerëzve, shfrytëzo vështirësitë e njerëzve për të hedhur çdo ditë helm dhe helm me çdo kusht dhe pavarësisht sesa është raporti i gënjeshtrës me të vërtetën, që është 99 me 1%, nuk do të funksionojë.

Sigurisht që mua nuk më vjen keq dhe asnjërit nga ne nuk i vjen keq që nuk do të funksionojë dhe që përsëri do të merrni atë që morët në 2013-n dhe në 2015-n. Nuk na vjen keq për këtë, por pa dyshim që duke lënë opozitën pa punë dhe duke lënë Shqipërinë pa opozitë, ju e bëni më të vështirë punën tonë, nuk e bëni më të lehtë. Ka shumë gjëra për të cilat mund të bëhet një debat i vërtetë dhe i shëndetshëm. Ka shumë gjëra për të cilat ne mund të kritikohemi se nuk bëhen aq mirë sa do të duhej dhe ka shumë gjëra ku ju realisht mund të ndikoni që gjërat të bëhen më mirë. Por është e kotë, është absolutisht e kotë, sepse ju nuk keni as lidership, ju nuk keni as skuadër, ju nuk keni as program dhe mbi të gjitha, ju nuk keni asnjë brerje ndërgjegjeje për faktin që çdo ditë gënjeni, gënjeni, gënjeni dhe shpifni, shpifni, shpifni.

E sa për premtimet, lërjani shqiptarëve t’i gjykojnë, se për premtimet, unë s’ju jap llogari juve. Llogarinë, unë dhe ne e kemi me zgjedhësit. Është çudi e madhe me ju, sepse ju flisni sikur zgjedhjet janë bërë katër vite më parë dhe sikur javën tjetër do të bëhen zgjedhje të reja. Zgjedhjet janë bërë vetëm pak muaj më parë. Madje i bëtë thirrje popullit që t’i kthente në referendum. Ne nuk kërkuam referendum, ju kërkuat referendum dhe e patë fundin e referendumit dhe këtu do të jemi, do ta shikojmë prapë. 

Ndërkohë ka një të dhënë shumë të thjeshtë për buxhetin për të cilin flasim. Në vitin 2014, të ardhurat u rritën me 395 milionë dollarë. Dhe 395 milionë dollarë janë më shumë sesa çfarë keni mbledhur ju si të ardhura të rritura në pesë vite rresht. Dhe jo në pesë vite të vëna së bashku sipas qejfit, por në pesë vitet më të mira tuajat.

Po ashtu ka një tjetër shifër që e mbështet këtë që thashë. Të ardhurat e buxhetit arritën 26,3% të Prodhimit të Brendshëm Kombëtar, ndërkohë që ju e latë qeverinë me një shifër qesharake, 24,1% të Prodhimit të Brendshëm Kombëtar. 24,1% është jo shifra më e ulët, se ende duhet ta rrisim për t’u vënë në të njëjtën vijë me të gjithë rajonin, por është një shifër e papërfillshme.

Ndërkohë që raporti i krijuar në vitin 2014, i të ardhurave përkundër Prodhimit të Brendshëm Kombëtar është më i miri, më i shëndetshmi dhe më i larti në të gjithë ecurinë e ekonomisë sonë nga viti 1990, duke përjashtuar 2008-ën, që ka brenda dhjetëra miliardat e rrugës së Kombit. Nuk po flas më tutje, as për ato miliarda dhe as për çfarë i sollën ato miliarda ekonomisë.

Vjet, ekonomia u rrit me 2.1%, krahasuar me rritjen pothuajse 1% që e latë ju. Edhe më e rëndësishme, në 2014-n, ne shlyem 340 milionë dollarë borxhe tuajat. Borxhe tuajat, të fshehura, të marra me dhunë nga kompanitë e kontraktuara për punime apo shërbime publike dhe faktikisht filluam procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit dhe qytetarit. Mes shtetit që nuk mund të sillet si më i forti dhe t’i imponojë kontraktorëve të vet, me dhunë, që të bëjnë punë dhe të mos paguhen. Me shtetin që nuk mund të kreditojë në mënyrë të dhunshme, punët që i detyrohet publikut, shërbimet që i detyrohet publikut, duke futur duart në xhepat e individëve.

Nga ana tjetër, vitin e kaluar buxheti përmbajti zotimin ndaj biznesit të vogël dhe ndaj gjithë të punësuarve. U hoq fare taksa e famshme e biznesit të vogël dhe u ul 50% tatimi i fitimit mbi biznesin e vogël, gjë e cila sigurisht ndikoi pozitivisht tek sipërmarrja e vogël. U ul tatimi mbi pagën dhe përfituan 97% e shqiptarëve që kishin një rrogë në publik apo në privat. Sot, falë uljes së tatimit mbi pagën, një infermiere, një polic, një mjek, një nëpunës, por dhe një i punësuar në sektorin privat merr më shumë seç merrte në kohën tuaj.

Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2014 janë ndër më të mëdhatë e dhjetëvjeçarit të fundit. E nga këto, 42.5% kanë shkuar për investime në infrastrukturë, në ujësjellës, në shkolla, në qendra shëndetësore, në infrastrukturë vendore dhe fondi i investimeve të buxhetit vendor u rrit në 2014, 40%, krahasuar me vitin tuaj elektoral 2013.

Nëse do të shtohej edhe fondi prej rreth 100 milionë dollarë, i shpërndarë për investime publike, nga shlyerja e detyrimeve të prapambetura të biznesit, shpenzimet faktike kapitale në buxhetin e 2014 arrijnë në 710 milionë dollarë. Kjo do të thotë 50 milionë dollarë më shumë sesa viti juaj i orgjisë elektorale të 2013-s.

Shpenzimet operative për mirëmbajtjen e rrugëve kombëtare, që ishte gangrena dhe vazhdon të jetë problem i qeverisjes suaj “rrugë, rrugë, rrugë” e të gjitha rrugët rrugëve, janë dy herë më të mëdha sesa në vitin 2013, sepse konceptin mirëmbajtje juve e keni të pamundur ta integroni në mënyrës sesi e shihni botën. Juve jeni shkel e shko; shko e shkel; shkel, shko dhe ik matanë.

Kjo ka qenë qeverisja juaj dhe këto kanë qenë rrugët që bëtë ju. Vazhdojmë sot, madje edhe në buxhetin tjetër, të paguajmë rrugët që latë rrugëve ju. Me atë teorinë e famshme “merrja lekët atij, shkel andej, shko këtej, se paguajnë ata që vijnë pas”.

Vazhdojmë me deficitin. Deficit i 2014-ës, është minus 72.13 miliardë, minus 721 milionë dollarë. Që do të thotë, 5.2% e Prodhimit të Brendshëm Kombëtar. Një vit ku filluam paralelisht edhe përpjekjen për të rritur ekonominë, por edhe përpjekjen për të konsoliduar financat. Pra, kemi bërë konsolidim, por kemi bërë edhe rritje ekonomike.

Për të vazhduar me pagesat. Ne kemi paguar 18 milionë dollarë për të përndjekurit. 18 milionë! Shifra më e madhe që është paguar ndonjëherë dhe i është paguar të gjallëve.

Më tej, me përmirësimin e buxhetit që gjatë vitit zgjidhi përfundimisht çështjen e pagesave të vonuara për personat me aftësi të kufizuar. Vlen të bëjmë një rifreskim të kujtesës. Jo për ju, se kujtesa juaj është e parifreskueshme, por për publikun. E latë këtë vend, këtë shtet dhe këtë qeveri me një borxh 43 milionë dollarë ndaj personave me aftësi të kufizuar. Nuk ju mjaftuan paratë që i morët kompanive, por morët dhe paratë e personave me aftësi të kufizuar. 43 milionë dollarë! Ne i lamë.

Pa harruar se në 2014 i dhamë mbështetje buxhetore sektorit të energjisë elektrike, që ju e kthyet në një gropë të pafund dhe nga fundi i asaj grope ulërini dhe kërkoni llogari nga ne. Ju vazhdoni me tuajën, por 80 milionë dollarë kanë shkuar në mbështetje të sektorit, për të shlyer detyrimet e ndërsjella. 80 milionë dollarë, të prapambetura, për punët që ju i linit rrugëve. Kemi filluar shlyerjen, që tanimë ka përfunduar, për të gjithë sektorin privat, për ato HEC-et që i jepnit leje me marrëveshje komplet të pafavorshme për interesin publik, sepse doni të ndërtonit atë “mini-superfuqinë” energjetike. Edhe “mini”, edhe “superfuqi”; një koncept që vetëm ju mund ta shpikni. Një superfuqi “mini”, vetëm ju mund ta imagjinoni. Por ai “mini” juaj, këtë kosto pati.

Në arsim kemi akorduar 41 milion dollarë. Me buxhetin e rishikuar kanë shkuar në 42.5 milionë dollarë.

Por çfarë bëmë ne në arsim?

Në radhë të parë shlyem 30 milionë euro borxhe për kontrata të nënshkruara dhe të papaguara. Kemi investuar në vitin 2014 në 102 objekte arsimore. Por kjo shifër nuk thotë ndonjë gjë të madhe. Aty ku besoj bëhet më e kuptueshme është që nga ky investim kanë përfituar 50 mijë nxënës. Të cilët, në ato objekte vetëm mësim nuk bënin dot.

Nëse nuk do të kishim borxhin, sigurisht që mund të kishim ndërtuar 36 shkolla të reja, 198 kopshe të rinj, ose mund të kishim rehabilituar përveç 102 objekteve, edhe 118 të tjera. Por nuk zgjodhëm rrugën tuaj. Nuk zgjodhëm t’i thoshim atyre që iu ishte marrë borxhi me dhunë “s’ju njohim, s’keni punë me ne”. Nuk zgjodhëm rrugën tuaj që të vazhdonim të çonim drejt humnerës ekonominë shqiptare, se sot do ishim të gjithë bashkë këtu, duke folur nga fundi i humnerës.

Ndërtuam 44 terrene të reja sportive. S’thotë gjë kjo shifër. Por mbase thotë më shumë fakti se përfitues janë 23 mijë nxënës. Nëse nuk do kishim ato 30 milionë eurot borxh nuk do të kishim bërë 44, por 545 terrene sportive. Por nuk zgjodhëm rrugën tuaj.

Kemi mundësuar 132 laboratorë për një mësim tërësisht të ri në cilësi për 16 mijë nxënës, me një standard të ri ë përmirësuar me 32 %. Por, sigurisht, po mos të kishim shlyer ato 30 milionë eurot, mund të kishim edhe 198 laborator të tjerë.

Kemi financuar në arsimin e lartë 5 miliardë e 647 milionë. Nuk po hy në detaje, por po ju them se vetëm nga investimi në laboratorët IT dhe në bibliotekat dixhitale përfitojnë 50 mijë studentë. 

Po kaloj tek sporti, megjithëse ju sportin nuk para e keni qejf, jo më të dinit ndonjë gjë për sportin, se po të dinit, do të kishit bërë edhe ndonjë gjë për sportin. Në 8 vite s’bëtë për sportin, asnjë gjë. Në 8 vite keni investuar për infrastrukturën në sport 80 mijë dollarë. Ndërkohë që ne kemi financuar vetëm në vitin e vështirë 2014, 10 milionë euro dhe këtë vit kalojmë 20 milionë euro. Ju nuk mund t’i kuptoni këto shifra, nuk keni lidhje fare me këto shifra. Ju, fushat e futbollit apo terrenet sportive i konsideroni si kullota ose si troje ndërtimi. Kur jeni më mjedisor, thoni kjo është një kullotë, kur jeni pak më urbanë, thoni ky është një truall i mirë për të ndërtuar. 

Keni lënë mbrapa edhe një borxh shumë interesant, 110 mijë euro për sportistët elitarë. Kemi rritur me 5%, numrin e fëmijëve që ndjekin arsimin parashkollor. Ndonëse nuk është ndonjë shifër shumë e madhe, por është një shifër domethënëse. I kemi rimbursuar shpenzimet e blerjes së teksteve shkollore për vitin akademik 2013-2014, 120 mijë nxënësve, kategorive të veçanta dhe shtresave në nevojë, ose 25% të totalit të nxënësve. Juve nuk ju bën përshtypje kjo, se s’ka si t’ju bëjë, sepse ju latë invalidët pa lekë, jo më t’i jepnit lekë, nxënësve.

Bëtë edhe një propagandë të madhe “Shqipëria e moshës dixhitale” dhe bëtë edhe disa blerje të mëdha për kompjuter që i trajtuat si televizorë. Mbushët shkollat me kuti televizorësh që nuk ndizeshin dhe nuk i përdorte askush. Këtë e thonë nxënësit, këtë e thonë mësuesit dhe këtë e thonë edhe kompanitë. Ndërsa ne kemi mundësuar shërbimin real të internetit për 350 mijë nxënës në 1350 shkolla. Nuk po flas këtu për borxhin tjetër.

Vazhdojmë me shëndetësinë, se edhe këtu ka disa gjëra për t’u thënë nga Buxheti Faktik i 2014-s. 413 milionë dollarë, 9.6% e buxhetit të 2014-s dhe 3% e Prodhimit të Brendshëm Kombëtar. Krahasuar me vitin tuaj të orgjisë elektorale, 50 milionë dollarë më shumë ose 14% më shumë.

Dhe nuk po krahasohem me vitet e tjera, se nuk ka krahasim fare, por po flas për vitin 2013 kur ishte buxheti juaj më i fryrë nga ankthi që do të humbnit pushtetin, që nuk ju takoi asnjë ditë.

Në këtë raportim nuk përfshihen 30 milionë dollarë që u investuan për të shlyer borxhet për ilaçet. Për këto ilaçe që sot jeni bërë kujëvënësit më të neveritshëm. Ju që i latë spitalet pa kokërr ilaçi dhe 30 milionë dollarë jua kishit borxh atyre të cilëve ju kishit bërë kontrata për të furnizuar spitalet me ilaçe.

Në vitin 2014, 13 500 infermiere dhe infermierë kanë përfituar një shumë të barabartë me një pagë mujore, për shkak të uljes së taksës dhe 3 300 mjekë kanë përfituar një shumë të barabartë me gjysmë page mujore prej uljes së taksës. Ato taksat që i kemi rritur ne dhe më bën gjithmonë e më pak përshtypje fakti që më bënte përshtypje në fillim, se flasin për rritje taksash vetëm ata që nuk paguajnë taksa. Vetëm ata që s’paguajnë taksa, thonë na janë rritur taksat!

Infermierët së bashku kanë paguar 4 milionë dollarë taksa më pak dhe mjekët 650 mijë dollarë më pak dhe këto janë 4 milionë e 650 mijë që nuk i ka marrë më shteti, por që janë në dispozicion të familjeve të këtyre kategorive dhe vetëm nga rroga.

Në prill të 2014-s, ne përjashtuam nga taksa ilaçet. I kishit vënë taksë edhe ilaçeve ju. Dhe nga heqja e kësaj takse, që ishte taksë mbi sëmundjen praktikisht, u përfituan 10 milionë dollarë nga pacientët, nga njerëzit në nevojë, jo nga shteti. Shteti i hoqi nga vetja dhe i morën njerëzit. Ky është Buxheti Faktik i 2014-s. Lista e barnave të rimbursueshme u shtua me 56 alternativa të reja me një vlerë prej 5,1 milionë dollarë.

U financuan punimet ndërtimore në disa institucione të rëndësishme, që si rrugët dhe si të gjitha i kishit lënë rrugëve, “shkel, shko, shko e mos u kthe më” dhe në fakt, me këtë të shkuar zor se ktheheni. Nuk po rendis ato që u financuan për institucionet spitalore nga pikëpamja e ndërtimtarisë.

Po e mbyll këtë pjesë me faktin e thjeshtë se sot kemi një kapacitet të fuqizuar të urgjencës me 20 ambulanca të reja dhe një helikopter mjekësor, që janë në shërbim të përditshëm të urgjencave mjekësore. Nuk është maksimumi, por flasim për Buxhetin Faktik të vitit të parë të qeverisjes sonë dhe viti i parë i qeverisjes sonë, pasi shqiptarët na e dhanë besimin në buzë të humnerës ku i çuat ju. Dhe shqiptarët duhet të parafytyrojnë se ku do të ishim sot, sikur të mos kishte ndryshuar rrënjësisht qasja e qeverisë dhe sikur të vazhdonte qeveria e avazit të vjetër “merr para me dhunë dhe mos paguaj për punë e për shërbime”.

Pjesa e fundit, që e shoh të arsyeshme të nënvizohet, është siguria, investimi ynë në siguri, që të gjithë shqiptarët janë të vetëdijshëm. A bëni ju anketime publike apo jo, i pyesni njerëzit, çfarë mendojnë për sigurinë dhe çfarë mendojnë për policinë dhe për ministrin e Brendshëm, se kam përshtypjen që dëgjoni vetëm njëri-tjetrin?! 

Ishte pyetje retorike, sepse e di që nuk i pyesni, se nuk keni veshë t’i dëgjoni dhe për më tepër, edhe po t’i dëgjoni, nuk ju duhet, sepse veshi juaj merr vetëm zërin që vjen nga lart, atë njeh. Kur vjen zëri nga lart, veshi juaj kupton se çfarë thuhet. Zë nga poshtë, ju s’dini të dëgjoni. Dini vetëm një zë të caktuar, jeni si ata receptorët që kapin zërin dhe janë të planifikuar vetëm për atë zë.

Gjatë vitit 2014, çdo taksapagues i rregullt përmes buxhetit të shtetit ka paguar për sigurinë publike 12 lekë në ditë. U rritën rrogat e policisë me 25%, 10 milionë dollarë. Në vitin e kthesës historike të Policisë së Shtetit dhe të marrëdhënies së shtetit me sigurinë e njerëzve, paga mesatare e punonjësve të nivelit bazë të policisë u bë 571 mijë lekë, një pagë e cila parashikohej të rritej me ritmin dhe me veshmarrjen tuaj nga policia dhe të bëhej aq sa e bëmë ne që vitin e parë, në një moment krize dhe konsolidimi fiskal, në vitin 2018.

Kësaj mase, iu shtua edhe përfitimi 2.3% mbi pagën neto nga tatimi progresiv, në të ardhurat nga rroga. U garantua statusi i posaçëm i kujdesit shëndetësor për strukturat operacionale të Policisë së Shtetit. Statusi i posaçëm, që do të thotë që nuk janë më në varësi të arkës së familjes së tyre kur plagosen por janë marrë përsipër nga shtetit. Nuk kurohen më as me miq dhe as me telefonata “ndihmojeni një çikë se kemi polic të mirë”, por me një regjim komplet të ri, mbështetjeje shëndetësore.

Ju kishit lënë 3 milionë e 259 mijë dollarë borxhe ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, detyrime të papaguara. Parafytyro, me rrogat mizerabël dhe ju kishin dhënë borxh juve. Në fakt ia kishit marrë borxhin me dhunë, siç jua morët të gjithë kompanive, siç jua morët të gjithë të tjerëve, siç jua morët edhe personave me aftësi të kufizuar, për të bërë ato rrugët tuaja. Ato rrugët “shkel – shko – ik!”

Me 9.5 milionë dollarë u modernizua një pjesë e shërbimeve policore. Ka pasur një raport të partnerëve për gjendjen skandaloze të infrastrukturës dhe logjistikës së Policisë së Shtetit, me makinë që më shumë i shtynin, sesa i hipnin. Mbetur policia rrugëve, duke shtyrë makina. Pa folur për të gjithë sistemet e komunikimit e për të tjera. E pa folur pastaj për kushtet më mizerabël që më kanë zënë sytë ndonjëherë në një infrastrukturë shtetëror, ku e kishit lënë repartin RENEA. Pse të financonit ju, infrastrukturën e repartit RENEA!Reparti RENEA ishte një repart i tradhtuar. Reparti RENEA nisej vetëm për operacione të dekonspiruara. Prandaj e kishit lënë ashtu, të demotivuar, të braktisur dhe të tradhtuar. Pse të investonit për logjistikën e për kushtet e repartit RENEA!

Pa folur edhe për pjesën tjetër, për investimin që bëmë për rrjetin e gjithë zyrave unike të shërbimit ndaj qytetarit në Policinë e Shtetit. 1200 shërbime jepen në ditë për qytetarin direkt nga Polica e Shtetit sot, falë këtij rrjeti.

Rezultatet janë evidente, flasin vetë. 22% më pak vrasje; 11% më pak plagosje të rënda; 50% më pak vjedhje me armë; 67% më pak vjedhje me pasojë vdekjen dhe 20% më pak aksidente. Por ju nuk i llogarisni këto. Ju i llogarisni me kilometra gjërat! Ju keni një nocion, kilometrin, se keni mësuar nga ai që thoshte u bënë 9000, u bënë 10 000, tani do të bëhen 11 000 kilometra. Madje dikush këtu tha “më ka befasu kryetari i Parlamentit të Norvegjisë. Kur i thashë që kemi bë 10.000 mijë kilometra, më tha si ka mundësi! Ne Norvegjia nuk i kemi arritur akoma 10.000 mijë kilometra”. Domethënë Norvegjia s’ka arritur akoma të bëjë 10.000 mijë kilometra rrugë, kurse u desh të takonin përfaqësuesit e Partisë Demokratike që të tronditeshin. Ku i keni këto 10.000 mijë kilometra! Sigurisht t’ju flasësh juve për vrasjet, për vjedhjet, për aksidentet është kot, se ato mateshin me kilometra në kohën tuaj.

Te droga do hyj patjetër. Shifra që tregojnë qartë se çfarë ka bërë vaki në këtë vend, se të rritet 371% më shumë sekuestrimi i mariuanës, – flasim për vitin 2014 – të asgjësohen 500% më shumë rrënjë kanabis, të sekuestrohet 604% më shumë. Janë mbjell më shumë thoni? Po kur u mbollën, në tetor?! Keni harruar edhe kur keni ikur nga pushteti. Sa herë do të ikni ju!

Gjëja që vlen për t’u thënë më shumë për qytetarët, janë të trajtuara dhe të regjistruara 48 mijë e 511 konflikte nëpërmjet qytetarëve; janë përpunuar vetëm në 2014-ën, 200 mijë telefonata të qytetarëve nga Policia e Shtetit. Të krahasojmë telefonatat e qytetarëve dhe përpunimin e tyre në 2014-ën me telefonatat e 2013-ës e të viteve të tjera, se keni edhe ju ca shifra telefonatash, është deformim, sepse ju e përdornit telefonin për punë tjetër, kur ishit në polici. 

Vetëm në vitin 2014, 1 116 autorë, zyrtare dhe nëpunës janë ndaluar dhe arrestuar për korrupsion dhe janë sekuestruar 19 milionë euro asete, – kjo është shifër që duhet ta dëgjoni, se ju në gjithë 8 vitet mezi kapët 1 milionshin e aseteve kriminale të sekuestruara dhe është shifër kjo. Nëqoftëse i keni sekuestruar dhe nuk i keni regjistruar, atëherë ja keni marrë Colit dhe ja keni dhënë Lolit.

Me keqardhje të madhe ju them që për sa kohë, ju nuk do t’i gjeni punë opozitës, na prishni punën edhe neve dhe vështirësimi i punës sonë, sigurisht ndikon edhe në cilësinë e përgjithshme të jetës politike dhe demokratike. Prandaj gjejini punë opozitës, mos e lini papunë. Kjo që bëni ju nuk është puna e opozitës. Kjo që bëni ju nuk ka lidhje me opozitën. Kjo që bëni ju është një barbari e përditshme, e bazuar tek ideja juaj fikse se shqiptarët janë një tufë delesh që do t’i tërheqë prapë, nga kërraba e tij e gjatë e gënjeshtrave, çobani juaj. Problemi është që juve, edhe çobani ju ka ngelur pa punë. Ju ka lënë juve kërrabën. Por ngaqë ju çdo ditë dilni me kërrabën për të tërheq miletin dhe nuk tërhiqni dot askënd, vjen çobani këtu edhe përpiqet tre orë tamam si ai që thoshte K.Th. Spiri, “O i shkretë, punëtuar, bam me këmbë e bam me duar” dhe prapë ju lë juve këtu.

Faleminderit!

SHKARKO APP