Ramiz Alia dhe demokratizimi i Shqipërisë
Nga Eugjen Merlika
Para pak ditësh gazetarja Admirina Peçi, në të përditshmen “Shqiptarja.com” botoi në tre numra procesverbalin e mbledhjes së sekretariatit të KQ të PPSH, të mbajtur më 23 korrik 1990.
Materiali është mjaft interesant, veçanërisht në shpalosjen e qëndrimeve të Ramiz Alisë dhe të Ismail Kadaresë në verën e vitit 1990, gjë që ravijëzon edhe personalitetet e tyre në atë periudhë, që i paraprin tjetërsimit të sistemit komunist në Shqipëri.
Figura e Ramiz Alisë që atëherë, në rrethe intelektuale, servirej si ajo e një personi të matur, e një demokrati, e një njeriu që po iu paraprinte ndryshimeve të sistemit, në kundërshtim me klanin Hoxha, të drejtuar nga e veja e diktatorit, nga ky procesverbal i mbledhjes përgënjeshtrohet plotësisht. Megjithë respektin për urtësinë e Sabri Godos apo ndonjë tjetri, që në ato vite të para ‘90 përgjëroheshin për të, Ramiz Alia, përtej paraqitjes së tij “aristokratike”, ka qenë një komunist enverist i bindur, duke ngulur këmbë deri në fund ta ruante sistemin në format e tij arkaike e të dështuara. Në këtë mbledhje është e dukshme prirja autokratike e diktatorit të fundit komunist dhe Presidentit të parë pluralist të Shqipërisë, për të imponuar mendimin e tij, mbasi të tjerët sekretarë bëjnë ndërhyrje të rralla e të shkurtra.
Mbledhja kthehet në një monolog të Kryetarit, në të cilin spikasin dogmatizmi enverist në trajtimin e problemeve, sipërfaqësia tronditëse në shpjegimin e dukurive, paaftësia apo shtirja në të kuptuarit e thelbit dhe të arsyes së ngjarjeve, mungesa e plotë e vullnetit dhe objektivitetit për të përballuar situatat e reja të krijuara. Në monologun ramizist dalin në pah disa argumente, të cilat do të binin ndesh edhe me logjikën më parake në analizën e çastit historik që kalonte vendi e që shqetësonte drejtuesit e partisë. Ramiz Alia mëton se hyrja e qytetarëve shqiptarë në ambasadat e huaja shkaktohej nga “aktivizimi i agjenturave të huaja dhe organizimi i koordinuar i tyre për futjen e njerëzve nëpër ambasada”. Besoj se edhe një fëmijë i fillores nuk mund të pranojë një logjikë të tillë. Arsyeja e mosarsyes së Ramizit duhet kërkuar në dramën e tij të brendshme, që ishte humbja e pushtetit. Marrëzia e këtij shpjegimi jo vetëm që i trajton qytetarët shqiptarë si kukulla, të cilat regjisori i padukshëm i luan në skenën e teatrit, por injoron plotësisht edhe punën e organeve të diktaturës që, papritmas, kanë “lejuar” të vijnë qindra agjentë e të gënjejnë mijëra vetë, kur ata kishin 46 vjet që “zbulonin” agjentë në të gjitha mjediset, madje edhe në krah të Ramizit.
Sekretarët e Komitetit Qendror vërsulen me tërbim kundër termave “demokraci” e “pluralizëm”, së pari sepse këto dy koncepte ishin të panjohura për ta; së dyti, sepse të vëna në jetë në diktaturën më mizore të komunizmit europian do të thoshin “të krijohet një opozitë kundër Partisë sonë, e cila nuk do të ishte thjesht luajale, por një armë në duart e reaksionit për të përmbysur pushtetin popullor”. Këta zotërinj “naivë” të politikës nuk kanë kuptuar se në histori e politikë nuk ka asgjë të përjetshme, se çdo epokë ka fundin e saj e se ajo komuniste në Europë kishte arritur në pikën e vdekjes. Të ngulitur në kolltuqet e pushtetit që u siguronin fuqinë dhe privilegjet, edhe se ishin pa vlera të veçanta, drejtuesit e PPSH kacavirreshin mbas pasqyrave me shpresën e kotë për të kthyer kursin e ngjarjeve që përcaktonin ndryshimet epokale në Lindjen europiane dhe protestat e rinisë shqiptare.
Për ta do të ishte tragjedi kthimi i pronës private, pajtimi kombëtar, nacionalizmi, madje dhe bashkimi kombëtar. Deri në ditët e fundit të pushtetit të tyre ata shfaqen si grabitës të pasurive të qytetarëve, si racistë të llojit më të keq, deri në autorë genocidi, antikombëtarë e antishqiptarë. Për të gjetur një curriculum të tillë duhet të marrim kandilin e Diogjenit e të kërkojmë në të gjithë historinë shqiptare. Ndoshta mund të gjejmë ngjashmëri vetëm në vitin e mbrapshtë 1914, kur hordhitë anadollake të Musa Qazimit e të Haxhi Qamilit përzunë nga Shqipëria Mbretin që na kishte dhënë Europa.
Nuk duan pajtim kombëtar sepse “synohet të luftohet komunizmi”, sepse duhet “të mbajmë armiqësi me djalin e ballistit”, “sepse rininë duhet ta mbajmë gjithnjë pranë e ta ushqejmë me ideologjinë tonë”.
Duket se nuk kanë kaluar 46 vjet nga koha kur Ramiz Alia, simbas studiuesit të njohur Uran Butka, së bashku me të tjerë kuadro të Divizionit V, ua dorëzonte më shumë se 4000 djem kosovarë forcave serbo-malazeze për masakrën e Tivarit. Më 1990-n është po ai njeri, atëherë komisar divizioni, sot Kryetar shteti e partie, po ato ide, po ajo urrejtje, po ai cinizëm kriminal kundër vendit të tij, i cili nuk mund të konceptohet ndryshe prej tij veçse i drejtuar prej kastës komuniste me të në krye. Obskurantizmi ideor i tij nuk njeh kufij, kur ai kundërshton mundësinë e punësimit të shqiptarëve jashtë shtetit dhe arrin në krim shtetëror kur vazhdon të urdhërojë vrasjen e atyre shqiptarëve që duan të kalojnë kufirin.
Nuk habit qëndrimi i tij në lidhje me konceptin e nacionalizmit, që në atë periudhë transformimesh epokale edhe të shteteve multietnike, mund të kishte zhvillime pozitive që iu jepnin shpresë edhe shqiptarëve. I njoftuar nga Xhelil Gjoni mbi zërat e ndryshëm që vinin nga mjedise mbarëkombëtare, ku diskutohej për një braktisje të ideologjisë e kthimin e vështrimit nga problemi kombëtar, Kryetari i Shqipërisë shprehet kështu: “Po të pranosh nacionalizmin, do të thotë të vijnë këtu Rexhep Krasniqi, Balli Kombëtar, Legaliteti. Ne nuk mund të sakrifikojmë idealet tona për një Shqipëri të tillë “etnike”.
Është gjuha e atyre që në fundin e 1944-s ua dorëzuan Shqipërinë e bashkuar jugosllavëve, sepse për ta, kombi dhe interesat e tij shuheshin para internacionalizmit proletar. “Idealet” e tyre vlenin më shumë sesa Shqipëria etnike, të tilla që i shohim mirë edhe në këtë procesverbal. Ka edhe një dozë të theksuar miopie politike në këtë pohim, në mëtimin për t’i mbajtur gjithmonë larg atdheut të mërguarit politikë, është një tregues i faktit se nuk ekzistonte tek udhëheqja shqiptare më 1990-n vetëdija se epoka e mureve dhe perdeve të hekurta në Europë kishte perënduar.
Ana tjetër interesante e këtij proces–verbali është trajtimi i figurës së Ismail Kadaresë nga sekretariati i Komitetit Qendror. “Ismail Kadareja nuk po ndihet”, “Pse nuk shkruani në gazetë që Ismail Kadareja nuk pranoi të jepte intervistë?”, “A është në nderin e intelektualit tonë të mos i thotë një fjalë presidentit Miteran….?”, “Situata e tanishme kërkon që Ismaili me qëndrimin e tij prej intelektuali të njohur t’i bëjë një shërbim të ri popullit, Partisë, Atdheut.”; “Kujt do t’i vlenin botimet e tua kur nuk thua asnjë fjalë për këto që sheh?”, janë disa nga shprehjet e Ramizit në lidhje me qëndrimin politik të çastit të shkrimtarit të madh. Kuadri është i qartë: qytetari, deputeti, shkrimtari Kadare, në këtë çast vendimtar për të ardhmen e vendit të tij, nuk pranon të flijojë personalitetin e tij në dobi të klikës obskurantiste komuniste të Shqipërisë, duke ligjësuar veprimet e saj regresive. Ky është një qëndrim që paraqet rrezik real për të dhe familjen, e kjo shpjegon kërkimin e strehimit politik në Francë mbas pak muajsh. Por një organ i rëndësishëm i shtypit shqiptar të asaj periudhe vë në gojën e shkrimtarit një shprehje tepër përçmuese për qytetarët shqiptarë që u futën nëpër ambasadat: “jashtëqitja e kombit”. Megjithëse shkrimtari e kishte mohuar atë shprehje, në këto 25 vjet askush nga zyrat e shtypit apo të propagandës së ish-Partisë së Punës, nuk pati burrërinë apo ndershmërinë të thotë të vërtetën. Pa një përgënjeshtrim zyrtar, ajo shprehje është instrumentalizuar shumë e kuptohet se sa i ka rënduar kjo shpifje edhe vetë shkrimtarit e familjes së tij.
Mbas botimit të këtij proces–verbali, që është një dokument historik, më duket një shprehje ndershmërie intelektuale dhe detyre morale e atyre që kanë instrumentalizuar atë shprehje të shpifur, t’i kërkojnë sinqerisht falje shkrimtarit të madh. Duhet ta kërkojnë zyrtarisht ndjesën e qytetarit Kadare, një shqiptari që e ka ngritur lart në botë emrin e kombit të tij si pakkush i lindur në këtë truall, por edhe atij që, në ato çaste kritike për Shqipërinë, nuk pranoi të bëhej vegël e udhëheqjes komuniste për të njollosur bashkatdhetarët e tij.
Ndokush mund të më kritikojë ashpër se po flas në dobi të “shkrimtarit të regjimit”, unë, një nga viktimat e atij regjimi. Duhet të pohoj se ka qenë një autor të cilin e kam lexuar me ëndje dhe e kam vlerësuar jo për faktin se “temat për Partinë, Enver Hoxhën, Atdheun, socializmin, janë boshti kryesor që përshkon tërë veprën e Ismailit”, siç thotë Ramiz Alia, por për talentin e fuqishëm e meritat letrare të padiskutueshme. Nëse ndokush do të kërkonte dosjen time gjyqësore më 1980-n, do të shihte në të se një nga akuzat që më bëhej për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, ishte kjo: “Ka lexuar Dostojevskin e ka pëlqyer Ismail Kadarenë”, një akuzë e pranuar prej meje edhe në gjyq. Në tavolinën e hetuesit tim qëndronte libri “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” me nënvizimet e zakonshme që gjinden në librat e lexuara prej meje. Nga kontrolli në shtëpi ishin marrë dy libra, njëri prej tyre ishte “Gjenerali…”. Shumëkush mund të shprehë habi për këtë akuzë, dhe vetë nuk e kam kuptuar atëherë, por fakti të bën të reflektosh se shumë gjëra ne nuk i dimë ende si shkonin, por sigurisht jo ashtu si i shihnim ne prej larg.
Dua të shtoj edhe pak fjalë për qëndrimin e Ismail Kadaresë në çerekshekullin e fundit të së ashtuquajturës demokraci: ka përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në botën e jashtme, ka luftuar për demokracinë e vërtetë, nuk është pajtuar me demokraturën shqiptare të këtyre viteve, ka qenë faktor i fuqishëm përparimi, atdhetarie, europianizimi e demokracie nëpërmjet veprave të shkruara, intervistave dhe veprimtarisë publike jashtë vendit.
Si të gjithë njerëzit që hyjnë në histori, kjo e fundit do të flasë për të. Si “dritë e së vërtetës e mësuese e jetës”, do të jetë e drejtë me të, me dritë-hijet e veprës së tij, duke mbajtur parasysh kohët, tejet të jashtëzakonshme, në të cilat pati fatin të jetojë ai dhe brezi i tij.
Gazeta Mapo