Raportet tregtare Shqipëri-Serbi, kanë shënuar rritje
Të dhënat e Institutit të Statistikave për import-eksportet mes dy vendeve tregojnë rritje galopante, megjithëse kjo rritje ka pësuar luhatje të mëdha për shkak se një pjesë e mirë e tregtisë është e përqendruar në pak mallra.
Kështu, Shqipëria importon nga Serbia energji elektrike, ushqime, produkte kimike, metale e materiale ndërtimi ndërsa eksporton drejt Serbisë energji elektrike, ushqime (përgjithësisht zarzavate) dhe materiale ndërtimi e metale.
Importi tjetër i rëndësishëm i Shqipërisë nga Serbia është ai i skrapit, i cili shkrihet në Elbasan.
Rritja më e qëndrueshme e importeve të Shqipërisë nga Serbia i përket grupit Ushqim, Pije dhe Duhan. Në vitin 2007, në Shqipëri u importuan rreth 346 milionë lekë (3.4 milionë dollarë), ushqime nga Serbia ndërsa në vitin 2013, importet e këtij grupi arritën në 4.8 miliardë lekë.
Importet e drithit nga Serbia zunë pjesën më të madhe të importeve. Gjatë vitit 2013, Shqipëria importoi 81 mijë tonë drithë nga Serbia me vlerë të përgjithshme prej 2.9 miliardë lekësh. Serbia zë një të pestën e të gjitha importeve të drithit në Shqipëri.