Raporti i riskut botëror, Shqipëria më e ekspozuara nga fatkeqësitë natyrore
Shqipëria rezulton të jetë vendi me i ekspozuar në Europë nga katastrofat natyrore për vitin 2014. Raporti i Riskut Botëror e rendit Shqipërinë në vendin e parë në Europë dhe në vendin e 37 mes 171 vendeve të botës, për fatkeqësitë natyrore, apo për pasojat ekonomike që shkaktohen nga to.
Shemsi Premçi: “Raporti i riskut botëror të vitit 2014, i botuar rishtazi nga universitetet e Kombeve të Bashkuara, institutet për mjedisin dhe sigurinë njerëzore, i cili ka përllogaritur indeksin e riskut në fatkeqësitë natyrore për vitin 2014 në 171 vende të botës, bazuar në ekspozimin ndaj fatkeqësive dhe cënueshmërinë pre tyre, si dhe mundësive për të reaguar ndaj fatkeqësive, e ka renditur Shqipërinë në vendin e parë më të rrezikuar në Europë dhe të 37-in në botë”.
Një pjesë të kësaj situate drejtori i emergjencave civile ia faturon politikës që sipas tij duhet të jetë më koherente në miratimin e ligjeve jo vetëm për të menaxhuar fateqësitë natyrore, si përmbytjet apo tërmetet por edhe për t’i minimizuar ato.
Shemsi Premçi: “Është tepër e vështirë të ndërgjegjësohet politika shqiptare për të reaguar ndaj kërcënimeve që natyra i shkakton njeriut dhe shoqërisë shqiptare. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për përshpejtimet dhe miratimet e ligjeve të ndryshme në kohë rekord kur e kërkon situata politike. Por asnjëherë nuk përshpejtohen dhe nuk përqëndrohen politika shqiptare për të miratuar ligje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e jetës së njeriut”.
Këto deklarata kanë ardhur gjatë konferencës së “Menaxhimi i emergjencave civile në Shqipëri”, në të cilën kanë qenë të pranishëm, ekspertë, akademikë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Situata e fundit e përmbytjeve në jug të vendit, ka bërë që institucionet të mobilizohen në mbajtjen e konferencave ndërgjegjësuese për rolin e menaxhimit të emergjencave civile në Shqipëri, si dhe për gatishmërinë në kushte fatkeqësisht natyrore.