Raporti i Tranzicionit, FMN: Borxhi, rrezik për ekonominë

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në raportin e fundit “Ballkani Perëndimor: 15 Vitet e Tranzicionit Ekonomik” referon se Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia janë duke mbetur prapa vendeve të tjera ish-komuniste që kanë kaluar tranzicione të krahasueshme. Kështu, teksa një ekip i ekspertëve të FMN-së analizoi zhvillimet ekonomike që nga fundi i konfliktit të viteve 1990, ka arritur në përfundimin se transformimi i vendeve të rajonit tonë, ku përfshihet edhe Shqipëria, e humbi vrullin në mesin e viteve ‘2000, pjesërisht për shkak të frenimit të reformave për interesa vetjake. Teksa për vendin tonë thuhet mes të tjerash se paraqet si rrezik për ekonominë e tij pikërisht rritjen e nivelit të borxhit publik. Duke argumentuar se sfida kryesore e tij është pikërisht borxhi i lartë dhe nevojat e financimit, të cilat janë sipas FMN-së gjerësisht të varura nga bankat. Raporti rekomandon gjithashtu edhe konsolidimin fiskal që do të vijë gjerësisht përmes masave në drejtim të të ardhurave dhe eliminimin e subvencioneve të energjisë. Nga ana tjetër, ekspertët e FMN-së thekojnë se subvencionet e energjisë janë një mënyrë shumë jo eficiente për të shpenzuar paratë publike. Kurse për të gjithë rajonin në tërësinë e tij, raporti rekomandon që konsolidimi fiskal duhet të plotësohet nga ndryshime në përbërjen e tij, duke reduktuar në veçanti peshën që zënë shpenzimet korente. Siç thuhet edhe se kontrollet në sektorin e gjerë publik duhet gjithashtu të përmirësohen, teksa shpenzimet sociale dhe subvencionet vazhdojnë të komplikojnë planifikimin e buxhetit në disa shtete të Ballkanit Perëndimor. “Në pjesën më të madhe të vendeve masat në drejtim të të ardhurave duhet të shihen si një plotësues për rregullimet që ndodhin në kahun e shpenzimeve. Reformat strukturore fiskale duhet të përqendrohen në zgjerimin e bazës së taksapaguesve dhe luftën ndaj ekonomisë informale”, saktësojnë ekspertët e FMN-së mes të tjerash. “Sot, gjashtë vjet pas krizës, është e qartë se Ballkani Perëndimor mbetet mbrapa vendeve të tjera të Evropës në zhvillim në rritjen e të ardhurave dhe duke mbyllur hendekun me vendet e avancuar të Bashkimit Evropian”, referohet konkretisht në raportin e FMN-së. Teksa këshilla kyçë e ekspertëve të tij është që vendet e rajonit të shtojnë vëmendjen ndaj reformave. “Ne duhet të jemi të shqetësuar për këtë. Pa reforma të mëtejshme rritja e viteve të fundit do të mund të bëhet normë.”, tha David Lipton, zv-drejtori i parë i FMN-së menaxhues. Duke përfunduar me faktin se Ballkani Perëndimor ka pasur një rritje mesatare të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej pak më shumë se 5%, pak më poshtë shteteve të reja antare si, Bullgaria, Republika Çeke , Estonia, Hungaria, Lituania, Letonia, Polonia, Rumania, Republika Sllovake dhe Sllovenia, vendet që u bashkuan me BE gjatë zgjerimit të 2004 dhe 2007. Dhe se pas krizës së vitit 2008 , ndërsa grupi vendet e reja të BE-së kanë pasur një rritje mesatare prej rreth 2%, Ballkani u përball me një rezultat negativ.

 

 

REKOMANDIMET

Çfarë duhet bërë? Dy rekomandimet kryesore të FMN-së janë ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe reformat e thella strukturore. Vendet duhet të trajtojnë deficitet fiskale dhe të reduktojnë borxhin publik; të investojnë në sektorët e tregtueshëm për të rritur eksportet dhe të reduktojnë deficitin e llogarisë korente. Gjithashtu, FMB rekomandon se vendet duhet të përballen me problemin e kredive me probleme që bllokojnë sistemet financiare, kështu që bankat mund të japin hua përsëri në sektorin privat. Të përmirësohet konkurrenca, të privatizohen ndërmarrjet shtetërore dhe të përmirësohen tregjet e punës.

SHKARKO APP