Reagon Ministria e Energjetikës: Në Zvërnec jo puse, thjesht testim për naftë
Pas pretendimeve të ambientalistëve dhe opozitës, për dëmtimin e zonës së mbrojtur të Zvërnecit, Ministria e Energjetikës sqaron se kompania nuk do të hapë puse shfrytëzimi për hidrokarburet, por thjesht do të testojë nëse aty ka apo jo naftë, sipas marrëveshjes së miratuar me VKM në 2004, dhe e amenduar së fundmi në prill të 2013-s.
Në bazë të marrëveshjes, kontratori është i detyruar që minimalisht të realizojë shpimin e dy puseve kërkimi gjatë fazës së dytë, ndaj kompania San Leon Durrësi B.V ka planifikuar shpimin e dy puseve horizontal “Zvërneci West-1” dhe “Zverneci West-2” dhe është pajisur me leje ndërtimi të sheshit të këtyre puseve më datë 22.07.2015 me Vendimin nr.1 të Këshillit Kombëtar të Territorit, thuhet në njoftimin zyrtar të ministrisë së Energjisë. Sipas këtij institucioni, kompania është e pajisur edhe me leje mjedisore e Tipit A, ndërkohë që përzgjedhja e sheshit është bërë bazuar në parametra teknike dhe mjedisore në fazën e projektimit, duke siguruar zbutjen e impakteve të mundshme mjedisore e sociale. Ndërkohë ministria përdor si precedent, shpimet e mëhershme në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, nga albpetrol sh.a, etj.
Në njoftimin e ministrisë shpjegohet gjithashtu edhe fakti se pas përfundimit të periudhës së testimit të puseve, kontraktori duhet të rehabilitojë ambientin e përdorur dhe ta rikthejë në gjendjen e mëparshme.
Sipas saj, puset testuese të hidrokarbureve do të shpohen në tokë, për shkak të kostos disa herë më të ulët, në krahasim me detin.