Rebelët shijakas

 

Nga Nikolla SudarD O S J E

Jeta ka skalitur shembuj të shumtë atdhetarizmi të flaktë, gjer në aktin më sublim. Shpesh për referim u drejtohemi historisë apo kujtesës së shkruar, duke harruar se pranë nesh kemi akoma shembuj të gjallë të një të kaluare, sa heroike aq edhe të paharruar. I tillë është dhe do të mbetet atdhetarizmi i Qamil Kacmolit dhe i Metali Alites, dy bijve të nderuar të Shijaku e të Shqipërisë, vepra e të cilëve për 40 vjet i rezistoi mohimit komunist, që me paramendim errësoi traditat më të mira dhe virtytet më të larta, me të cilat në shekuj është mbrujtur kjo trevë.

Cilët qenë këta? Ç’i dhanë ata popullit dhe atdheut? Ata qenë të rinj idealistë, nga shtresa e mesme, me kulturë dhe të etur për liri e drejtësi shoqërore. Miqësia familjare, mosha, jeta shkollore e mbi të gjitha hallet e atdheut i lidhën përjetësisht në një miqësi të sinqertë, që do t’i rezistonte çdo lloj prove. “Rebel shijakas, apo Qemal Deliallis i dytë”, – kështu do ta cilësonin me të drejtë moshatarët dhe shokët e luftës djaloshin trim Qamil Kacmoli. Që ne moshë të re atë e adopton xhaxhai (që nuk kishte fëmijë) dhe që ishte pronariiI fabrikës së çimentos së Vlorës. Nxënës i shkollës Tregtare të këtij qyteti, i cili asnjëherë nuk e njohu skamjen, Qamili bënte gjithçka për të ndihmuar materialisht dhe për t’i mbrojtur fizikisht nxënësit e varfër. Fiziku i tij muskuloz dhe forca e madhe fizike e këtij “divi nga Shijaku”, siç e thërrisnin bashkënxënësit, bënte që askush të mos guxonte të ngacmonte nxënësit e varfër apo të dobët fizikisht. Ai ishte futbollisti më i mirë i shkollës tregtare. Shokët e tij më të ngushtë në atë kohë u bënë vlonjatët, vëllezërit Sallata, Teli Ndini, Hysni Kapo etj (të cilët vazhdimisht i ndihmonte materialisht) si edhe bashkënxënësi i tij shijakas Metali Alite, me të cilin uleshin në një bankë. Pas kthimit nga shërbimi ushtarak Qamili ripërtërin lidhjet me shokët, tashmë pjesëtarë të “Çetës Plakë” të Vlorës, të cilën do ta ndihmonte shumë materialisht. Lidhja me çetën u bë shumë e fortë, mirëpo Qamili nuk e duronte dot arrogancën prej feudali të Mehmet Shehut. Ai arriti deri atje saqë iu kundërvu hapur kundër goditjes që iu dha Sadik Premtes dhe Anastas Lulos. Në këto kushte qendrimi në Vlorë iu bë i pamundur, sepse jeta i ishte vënë në rrezik të dyfishtë (nga pushtuesit dhe “shokët e idealit”).  Në verën e vitit 1943 Qamili kthehet në fshatin e tij të lindjes, në Rreth, pak kilometra larg Shijakut. Këtu ai e vazhdon aktivitetin e tij ilegal, por tashmë nën ndikimin e fortë edhe të të atit, me bindje të forta nacionaliste, Nel Kacmoli. Qamili krijon çetën territoriale, ku inkuadron bashkëfshatarë si edhe të tjerë nga fshatrat e afërt. Ndërkohë ai mban lidhje të ngushta me drejtuesin liberal të celulës së Shijakut, Minella Toçin, me drejtuesin e rinisë, Bahri Shaqirin, me batalionin partizan të zonës, me patriotin Qazim Domi (me origjinë po nga fshati Rreth) si dhe me nacionalistët e përmendur Deliallis, Mancakë e Kokol. Shtëpia e tij shndërrohet në njërën nga bazat kryesore të nënprefekturës së Shijakut. Ajo u bë avanposti i kalimit të sigurtë për në Pezë. Pak para rënies së tij heroike, gjatë kryerjes së një detyre ilegale në Tiranë, papritur në shtëpi i vjen miku i rinisë dhe i idealeve antifashiste, vlonjati i paharruar Teli Ndini, të cilin e deshi aq shumë.  Me krijimin pas 24 majit të vitit 1944 të Komandës së Vendit, me qendër në fshatin Shetel, ai kalon atje dhe në krye të focave partizane të kësaj komande, më 14 nëntor 1944, futet në Shijakun tashmë të braktisur nga pushtuesit nazistë.

Në fillim të vitit 1945 Qamili caktohet me përgjegjësi të lartë në Komandën e Vendit, të qarkut të Durrësit. Edhe në këto kushte ai nuk u shkëput nga Shijaku, që e donte aq shumë. Të moshuarit e mbajnë mend fare mirë futbollistin me trup atleti dhe me fuqi të rrallë fizike, i cili jepte gjithçka për skuadrëm e tij të zemrës “Erzenin” (Qamili u në efektiv i përhershëm i skuadrës së futbollit).       Më kujtohet si sot, kur ne, të vegjëlit, sapo dilte Qamili në fushë thërrisnim si në kor:  “Xhaxhi Qamili, çoje topin në qiell!”. Ai buzëqeshte, na përshëndeste me dorë, pastaj merrte vrull… Dhe me gjithë mend goditja e tij e jashtëzakonshme e shpinte topin aq lart, saqë të gjithë ne, të mrekulluar mbanim frymën, duke ndjekur me sy predhën që ngjitej rrufeshëm drejt qiellit.      Nga natyra njeri “rebel”, Qamili nuk e duronte dot padrejtësinë dhe hipokrizinë. Këto, për fat të keq, i ndeshi që në fillimet e tij të punës në Durrës, si edhe në fshatin e vet. Raprezaljet, sekuestrimet, tatimet e jashtëzakonshme, ekzekutimet pa gjyq nga ana e “pushtetit të ri popullor”, tmerrojnë Qamilin dhe të atin e tij. “Qeveri kusarësh dhe kriminelësh na ka ardhë në krye!” – i thoshte babai në konfidencë të birit. Të gjitha këto, por veçanërisht e ashtuquajtura “Reformë Agrare” do t’ia ndryshonte bindjet politike si dhe rrjedhën e jetës këtij trimi dhe antifashisti të orëve të para. I revoltuar në kulm, i ati, xha Neli, nuk pranon që reforma t’i marri tokën “e tepërt”, të siguruar me mund e sakrificë, prandaj atë e arrestojnë dhe e keqtrajtojnë forcat e policisë. Në këto rrethana Qamili sulet në policinë e qarkut dhe i vë duar në fyt shefit për veprimin brutal ndaj të atit. Pas një përleshje të shkurtër në zyrë, ku u dyndën shumë policë në ndihmë të shefit të shtrirë mbi dysheme, Qamilin e çarmatosin, e shkarkojnë nga detyra dhe e arrestojnë. Ndërkohë në Vlorë “trimat e malit”, mjaft nga të cilët ishin strehuar dhe ndihmuar materialisht nga xhaxhai i Qamilit, hidhen në sulm: atij i sekuestrohet fabrika dhe gjithçka tjetër e patundshme dhe e tundshme, duke e lënë në mjerimin më të madh. Tani më tepër se kurrë Qamilit i kristalizohen pikpamjet antikomuniste. Kjo është arsyeja që ndaj tij ushtrohen tortura nga më çnjerëzoret, por akoma nuk kishte lindur kush që ta mposhtte “kreshnikun Qamil Kacmoli”. Qendrimin kundër regjimit ai e shpreh hapur, madje edhe para trupit gjykues. Me vendimin Nr. 209, të datës 2.031948, pas 16 muaj torturash të tmerrshme, por pa mundur ta thyejnë “divin shijakas”, atdhetari Qamil Kacmoli dënohet me 15 vjet burgim të rëndë (kontributi në luftë e shpëtoi nga vdekja).

Një faqe tjetër burrërie dhe humanizmi do të shfaqte edhe gjatë kryerjes së dënimit, “pasuesi i legjendës së Shijakut”, Qamil Kacmoli. Në kampin e vdekjes në Maliq, ky trim bënte tri norma, duke shpëtuar kështu jetën e dy të dënuarve të tjerë nga vdekja, midis të cilëve ishte edhe “fisniku i paharruar shijakas” Cen Kruja. Në analet e Ministrisë së Punëve të Brendshme është regjistruar akti i pashembëlltë i “rebelit shijakas”: pasi mbyll nga brenda derën e qelisë me shul, për 18 ditë me rradhë shpall grevën e urisë, për shkak të torturave çnjerëzore që kryheshin ndaj të burgosurve. Ky akt indinjon dhe shqetëson thellë kapot në Tiranë. Vetëm me ndërhyje të dhunshme nga jashtë si dhe me një pompë të fuqishme uji, gardianët mundën të shpërthejnë derën e qelisë. Pas daljes nga burgu Qamilin e priste “izolimi i plotë”, survejimi i vazhdueshëm dhe varfëria e tejskajshme. Ato do të zgjatnin me dekada, por nuk do ta thyenin kurrë trimin e vegjëlisë. Atij i lindën shumë fëmijë, të cilët u bënë gëzimi i vetëm i tij. Meritë tjetër e këtij atdhetari është, sepse ata ndoqën besnikërisht rrugën e të atit. Për vite me rradhë Qamili kreu punët më të rënda në Ndërmarrjen Komunale të Durrësit. Në një rast, vërtetë kuptimplotë, do të rishfaqej burrëria e këtij njeriu të rrallë.  Ishte viti 1969. Qamili si zakonisht po punonte në një lulishte tek “Hekurudha” (në plazh), që ndodhej afër rrugës automobilistike. Papritur në anën tjetër të asfaltit ndaloi një “Benz” luksoz dhe prej tij doli një djalosh shtatlartë. Ai ishte shoqëruesi i Sekretarit të K.Q të Partisë, “njëri prej atyre, që lëshonin rrufetë”, Hysni Kapos. Oficeri me rrobe civile i afrohet Qamilit, i cili po prashiste lulet në lulishtë dhe i drejtohet:

–  Ti je Qamil Kacmoli?

–  Po, unë jam? – ia kthen punëtori i larë në djersë dhe i mbuluar nga pluhuri,

–  Lëre punën, se po të pret shoku Hysni në anën tjetër të rrugës.

–  Nuk kam punë unë me shokun Hysni, kështu thuaji prej meje!

    Oficeri shtangu në vend. Kjo përgjigje e befasoi dhe e revoltoi pa masë. Ndërkohë vonesën e kuptoi vetë Hysniu dhe, pasi doli nga makina, ia bën me shenjë shoqëruesit që të mos shqetësohej. Me hap të shpejtë ai kalon rrugën dhe i afrohet Qamilit.  – Eh more “Qamil rebeli”, akoma s’të kanë ardhur mend? – i drejtohet me shpoti Hysniu dhe i zgjat dorën. I zënë ngushtë Qamili detyrohet t’i zgjasë edhe ai dorën. –  Mirë për vete nuk e vret mendjen, po për fëmijët s’të vjen keq? – Po më habit “interesimi juaj”, sh. Hysni, se gjatë viteve të burgut askush nuk pyeti për mua. Sa për fëmijët, po qenë Kacmol, besoj se një copë bukë do të jenë në gjendje ta sigurojnë. – Unë jam interesuar për ty, Qamil, por ti kishe shkelur rëndë, jo vetëm vijën e Partisë, por edhe ligjin.   Ky qe takimi i fundit që nga vitit 1943 me “sh. Hysni”, të cilin dikur e merrte me ditë të tëra në shtëpinë e kamur të xhaxhait në Vlorë dhe vazhdimisht e ndihmonte me të holla dhe veshje. Por “humanizmi komunist” ishte i një lloji të veçantë dhe nuk kishte asgjë të përbashkët me atë njerëzor.  Fëmijët e shumtë të Qamilit, tashmë të rritur, janë krenarë për babanë e tyre, Qamil Kacmolin, që e ngriti aq lart nderin e krahinës. Me propozim të muzeut historik të Shijakut dhe miratim të pushtetit në bazë, Presidenti i Republikës e dekoroi Qamil Kacmolin (pas vdekjes) me Urdhërin Patriotik të Kl.  I (të parë).

Çdo ditë më dilte para syve një burrë i moshuar, me vështrim të çiltër dhe mjaft energjik për vitet që mban. Atë e quajnë Metali Alite. Por e kaluara e tij flet shumë.  I ati, intelektuali i shquar Neki Alite, i kishte kryer studimet e larta në Stamboll. Ai do të hapte të parën farmaci në Shijak. Në kushtet e prapambetjes së theksuar, ky humanist i nderuar përgatiste vetë në laboratorin e tij ilaçe të ndryshme dhe mjaft të komplikuara për rrethanat e tij të punës. Të shumtë janë shijakasit, të cilët janë shëruar si rezultat i “ilaçeve çudibërëse” të këtij famacisti të talentuar, që e ndiqte efektin e tyre tek i sëmuri. Z. Nekiu, ky burrë i urtë e dashamirës, vendosi marrëdhënie shumë të mira më vendasit. Miqtë të tij të ngushtë u bënë Dr. Koço Deda, Qazim Domi, Abdulla Malltezi, Abdulla Gashi, Deliallist, Kokolt, Cen Kruja etj. Shembullin e të atit do ta ndiqte i biri, Metaliu, tashmë student në universitetin e Torinos, ku shquhet për rezultate të larta.  Por koha do të shtronte detyra të tjera, kurse atdheu do t’u kërkonte bijve të tij t’i dilnin për zot. Në këto rrethana studenti antifashist Metali Alite braktis studimet, kthehet në atdhe dhe menjëherë inkuadrohet në lëvizjen ilegale në Shijak. Ai zotëronte shumë mirë frengjishten, italishten dhe gjermanishten, të cilat i vuri plotësisht në shërbim të luftës për liri. Këtu lidhet ngushtë me atdhetarë të njohur si Qazim Domin, komunistin liberal Minella Toçi e veçanërisht me njërin nga aktivistët më në zë ilegalë, mësuesin patriot Abdyl Keçi. Tashmë shtëpia e Metaliut kthehet në një bazë të rëndësishme jo vetëm për ilegalët shijakas, por edhe për shumë të tjerë nga Durrësi, Tirana dhe Peza. Interesant dhe shumë kuptimplotë është historiku i kësaj familjeje të shquar atdhetare, sepse të gjithë pjestarët e saj u lidhën ngushtë me luftën për liri. I vëllai, Hyseni, ky shofer i jashtëzakonshëm, ishte shpirti i njësitit gueril të Shijakut dhe ndërlidhësi kryesor i batalionit partizan (ishte ai, që në mes reaksionit më të egër nazist, kur duhej të kalonte shumë postblloqe, dërgoi në spitalin e Tiranës për mjekim, duke rrezikuar seriozisht jetën, partizanin e plagosur Dum Alla dhe vetëm dy muaj më vonë, ilegalin tjetër të plagosur rëndë, infermierin Koço Kaftani). Hyseni kryente detyrën e ndërlidhësit, transportonte midis armikut (falë njohjes shumë mirë të gjuhës italishte dhe gjermanishte), ilegalë, material propagandistik, armë dhe ndihma etj. Vëllai tjetër, Skënderi, bënte pjesë në rininë antifashiste të qytetit (meritë e veçantë e tij dhe e familjes është strehimi dhe marrja në mbrojtje për vite të tëra, mes një rreziku të jashtëzakonshëm, të një familjeje çifute). Metaliu u bë një nga propagandistët më të palodhur në të gjitha shtresat e popullit, deri dhe në batalionin partizan të zonës. Në betejën frontale të tetorit 1943 (23 – 28 tetor) ai dhe aktivistë të tjerë nga qyteti, luftuan me armë në dorë, së bashku me partizanët e zonës. Këtë aktivitet e vazhdoi edhe gjatë vitit 1944. Në tetor të këtij viti, në Kuvendin e madh të Shetelit ku morën pjesë përfaqësues nga e gjithë nënprefektura e Shijakut, u zgjodh Këshilli Nacionalçlirimtar i nënprefekturës, ku edhe Metaliu e meritoi zgjedhjen unanime në këtë këshill, bashkë me bashkëluftëtarin e tij, Abdyl Keçin.

Të nesërmen e datës 14 nëntor 1944, në ish godinën e nënprefekturës u vendos Këshilli i nënprefekurës me kryetar Qazim Domin, ku do të fillonte detyrën e re të përfaqësuesit të popullit edhe Metali Alite. Por slloganet bajate dhe hipokrite komuniste nuk mund ta mashtronin intelektualin e formuar. Gjithçka ndodhte e revoltonte atë dhe e afronte më shumë me Qazim Domin dhe Adyl Keçin. Të tre ata, me kurajo të rrallë ngrenë zërin kundër masave drastike të regjimit të ri, të ashtuquajtur “popullor”. Kundërshtimet e tyre ata i përcjellin deri në qendër. Kjo është arsyeja që të tre shkarkohen nga detyra dhe ndaj secilit mbahet qendrim ekstrem. Ishte koha e shtypjes me gjak të Grupit martir të deputetëve, kur në Shijak, u krijua një grup nacionalistësh “antipushtet”. Vetë Metaliu mban një qendrim miratues dhe i mbështet ata. Në vitin 1948 intelektuali, që kishte dhënë aq shumë për lirinë e atdheut, arrestohet dhe, duke mos duruar torturat shtazarake të hetuesve sadistë, arrin të arratiset. Por “forcat vigjilente” të mbrojtjes e arrestojnë pak kilometra larg qytetit. Per ta poshtëruar atë bashkë me të shoqen, ish aktivisten e rinisë antifashiste, Sabrije Shkodra (Alite) i shetisin të lidhur me hekura nëpër qytet. “Shpërblimi” për guximin e treguar qe 50 ditë lakuriq në ujë të ftohtë. Përveç torturave të tjera, hetuesi sadist shpiku një marifet tjetër: mbushte një fuçi me lëng gëlqereje dhe në fuste brenda duarlidhur, martirin Metali Alite. “Gjyqi i popullit” e dënoi atë me dhjetë vjet burg. Ai doli nga burgu, por me një shëndet të rrënuar. Tashmë intelektualin e njohur e detyrojnë të ruante bagëtitë, ndërsa vite më vonë me shumë vështirësi emërohet mësues filloreje në një fshat të thellë të zonës. Gjatë 20 viteve të punës së tij në arsim, si rrallëkush shkëlqen për aftësi të rralla në mësimdhënie dhe rezultate shumë të larta në fillore. Por asnjëherë ai nuk u lejua të referonte për arritjet e tij të dukshme.  Por do të vinte koha e madhe e shumëpritur e përmbysjes së komunizmit. Për fat të keq atë e gjeti të moshuar dhe të rënë nga shëndeti, megjithatë iu gëzua viteve të demokracisë, deri sa u nda përfundimisht nga jeta.  Me dekretin Nr. 768, datë 10.02.1994, Presidenti i Republikës i dha Metali Alites titullin e nderuar “Mësues i Merituar”.

 

Historian dhe përkthyes.

SHKARKO APP