Reforma në drejtësi është detyrë dhe jo meritë e shqiptarëve

Nga Zef Shtjefni –

Është akoma pa u mbjellë kjo pemë dhe palët e politikës sonë kanë marrë shkallët dhe trajset e po vrapojnë secila që t’i përvetësojnë frytet për interesa të ngushta politike. Se kjo luftë që bëhet, nuk ka qellim tjetër, veç përfitimeve politike. Më thoni çfarë merite ka politika jonë tani, pas 25 viteve “demokraci”, kur korrupsioni ka bërë kërdinë dhe e ka transformuar sistemin tonë të drejtësisë në biznesin më të fëlliqur në këtë vend, ku një vendim gjyqësor apo prokurorie blihet si çdo gjë tjetër në treg.

Është pikërisht politika që e ka krijuar e lejuar një katastrofë të tillë për vendin dhe i kishte gjithsesi të gjitha mundësitë që të ndërhynte më kohë e ta shëronte gjendjen. Por ajo e ka krijuar, kultivuar dhe ka përfituar prej kësaj vjedhje masive që u është bërë shqiptarëve tash çerek shekulli. Kësaj radhe është meritë e SHBA-ve dhe BE-së, nëse do të arrijmë të bëjmë diçka dhe jo e politikës sonë. Është këmbëngulja e tyre e madhe që të futemi në rrugën e zotit, të cilën e kishim braktisur me kohë. Nuk ka nevojë për shumë koment kjo. Mjafton të shohim ambasadorët Lu dhe Vlahutin, por dhe ato të shteteve të tjera, që janë jo vetëm në vijën e parë, por janë protagonistë si të bërjes së reformës, por dhe të shuarjes së çdo sherri mes palëve. Madje kjo e shuarjes së sherreve është shumë qesharake, se i bën palët e politikës sonë të duken pa kurrfarë dinjiteti personal, partiak e kombëtar. Në asnjë vend perëndimor nuk do të binin kaq poshtë politikanët vendas, sa të merren për dore në këtë mënyrë nga të huajt për të bërë diçka të mirë për vendin e tyre.

Por siç duket ata kanë vërtetë arsye të mëdha që nuk e duan reformën në drejtësi, ose bëjnë çmos ta deformojnë. Pastaj kur sjellin dhe “ekspertët” partiakë nuk bëjnë më për të qeshur, por për të vjellë. Më të veçantë janë këta “ekspertët” e PD, të cilët nuk kanë marrë pjesë dhe nuk kanë dhënë asnjë kontribut në asnjë reformë, megjithëse u janë lutur gati në gjunjë Rama dhe Meta. Kësaj here me sa duket nuk kanë nga t’ia mbajnë, sepse të huajt i kanë vënë përpara. Por shikoni se si kërcejnë, herë vijnë e herë ikin për sebepe banale. Herë bëjnë të fortin dhe me gjithë se nuk kanë asnjë numër në dorë, duan të vendosin apo të venë veton, mënyrë kjo alla Berishë e të kuptuarit të demokracisë dhe e të bërit politikë. A nuk do të ishte më mirë që te jepnin mendimet e tyre, vërejtjen e sugjerimet për çdo ligj, që shqiptarët të dinin vërtetë se çfarë mendon Opozita jonë!?

Kjo nuk u duhet gjë opozitareve tanë. Ata duan të mbetën faktor duke bllokuar, duke bërë sherre e zhurmë. Janë bërë vërtetë për të thënë: mjerë ky vend për Opozitë që ka. Është kjo arsyeja që Rama i bën kaq lehtazi gabimet në mbylljen e mijëra vendeve të punës e qindra bizneseve në ndërtim, që godet këdo me gjoba të çmendura qindra milionëshe etj. Nuk kemi Opozite dhe kështu rrezikojmë që të na bëhet dhe Rama si Saliu. Shpresa e vetme mbetet përsëri Ilir Meta, që të mos e lejojë të bëjë ç’të dojë me ne.

E çfarë merite ka politika jonë për reformën në drejtësi, kur drafti është sjellë nga Venecianët, urdhrat e paratë janë dhënë nga europianët dhe detyrimi e guida bëhet nga amerikanët. Duhet thjeshtë t’i lexojnë , t’i diskutojnë e mbi të gjitha t’i kuptojnë e zbatojnë këto ligje. Të jeni të sigurtë se veç kaq janë detyrat tona:t’i lexojmë, t’i kuptojmë dhe t’i zbatojmë. Dhe të jeni të sigurt se po i lanë në duar të shqiptarëve dhe këto tri gjëra, që duken aq të thjeshta, ato nuk do të bëhen, ose do të bëhen, por ashtu siç dimë ne shqiptarët t’i bëjmë gjithnjë. Ma do mendja se tashmë dhe këtë e dinë amerikanët dhe europianët, ndaj shpresojmë se nuk do na lënë vetëm as në zbatimin e tyre kësaj here.

SHKARKO APP