Reforma në drejtësi, LSI-ja: S’negociojmë më me PD-në
Mazhoranca dhe opozita duket se janë larg një qëndrimi të përbashkët për vijimin e punës në reformën e drejtësisë. Dhe kjo, pasi e para i cilëson si të pabaza dhe bllokuese, pretendimet e Partisë Demokratike për komisionin e posaçëm parlamentar për këtë reformë. Kështu, nga ana e tij, kryetari i grupit parlametar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, gjatë një prononcimi të tij për mediat rreth kësaj çështjeje, ka pohuar se Partia Demokratike duhet të angazhohet në punën parlamentare në ato raporte të cilat asaj i ka imponuar elektrorati. Dhe sipas tij, tërheqja e opozitës është në fakt vijim i bojkotit 6-mujor të punës parlamentare. "Partia Demokratike duhet të jetë kaq e përgjegjshme sa të lërë mënjanë të njëjtat histori të bojkotit të gjashtë muajve të mëparshëm dhe t’i kthehet jetës normale parlamentare në ato raporte dhe pozicione që ajo ka”, apeloi ai. Duke shtuar më tej se është e papranueshme që kjo forcë politike të punojë “me korrespondencë”, pasi ajo në fakt ka vendet e saj në reformën në drejtësi. “Komunikimi nga larg me letra e telegrame, besoj që është një reagim fëminor dhe një mosdëshirë për tu bërë pjesë e procesit", tha për “AS”, Petrit Vasili, kreu i grupit parlamentar të LSI-së. Teksa më tej, përfaqësuesi zyrtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka hedhur poshtë edhe hamendësimet për një raund të dytë të mundshëm negociatash mes dy kampeve politike për rikompozimin e këtij komisioni, i cili mund t'i plotësonte Partisë Demokratike, një nga kushtet, pikërisht atë të numrit të barabartë të anëtarëve. "Mënyra e kompozimit të komisionit të reformës në drejtësi është sipas rregullave të ndërtimit të komisioneve në Parlamentin shqiptar dhe sigurisht nuk ka asnjë arsye që të bëjë përjashtime kjo dhe ky komision dhe nuk priret nga shërbimi për taktikat bllokuese të opozitës në këtë apo atë mënyrë", vijon Vasili.
DEKLARATA
"Mënyra e kompozimit të komisionit të reformës në drejtësi është sipas rregullave të ndërtimit të komisioneve në Parlamentin shqiptar dhe sigurisht nuk ka asnjë arsye që të bëjë përjashtime kjo dhe ky komision dhe nuk priret nga shërbimi për taktikat bllokuese të opozitës në këtë apo atë mënyrë"