Reforma në drejtësi sjell ‘pranverën amerikane’…

Nga Vladimir Lulaj/

Reforma në Drejtësi nuk duhet lidhur doemos me ndryshimin emergjent të Kushtetutës. Koha do të vërtetojë se deklarata e datës 14 shkurt 2016, mëtuar në prezencë të sekretarit të Shtetit Amerikan, z. Xhon Kerry, nga ana e kryeministrit shqiptar, z.Edi Rama, për të miratuar ndryshimet kushtetuese brenda muajit mars, ka qenë një intuitë e madhe diplomatike; ose një ‘zotim dhe premtim totalisht i nxituar’, që mund ta vendosë në pozita të vështira ‘cejnoti’ koalicionin e pozitës qeverisëse; e cila, për të mbajtur me doemos ‘premtimin e nxituar’, do detyrohet të bëjë ‘jo vetëm gabime vendimmarrëse evolutive ’, për shkak të  mungesës së kohës së nevojshme për të reaguar dhe maturuar racionalitetin e pritshëm për ndryshimin pozitiv të Kushtetutës, por edhe lëshime me karakter strategjik kundrejt opozitës ‘komode’, që nuk bëri prononcime të qarta diplomatike në linjat mediatike për publikun.  Kjo situatë ka krijuar pozicione evolutive disi kundërthënëse njëra me tjetrën në planin diplomatik dhe lidhur me pritshmërinë e qëndrimeve legjislative; ku roli vendimmarrës ka lidhje me qëndrimet në Kuvendin Popullor të triadës politike PS – LSI – PD.

Cili burrë shteti në Botë nuk do të sillej me modesti dhe si ‘yesman’i vërtetë me Sekretarin e Shtetit Amerikan, z. Xhon Kerry? Në këtë kuadër, Kryeministri ‘i sinqertë’ i Shqipërisë, z. Edi Rama, diti të respektojë me vetëpërmbajtje dhe modesti të shkëlqyer të gjitha nuancat e protokollit shtetëror; por këtë gjë nuk mund ta themi për ‘kryeministrin hije’, z. Lulzim Basha; i cili, duke përfituar nga kortezia, modestia, mirësjellja dhe toleranca brilante e Sekretarit të Shtetit Amerikan, z. Xhon Kerry, shkeli haptazi etikën dhe procedurën zyrtare, duke “e detyruar” kryediplomatin e SHBA-ve, ta ‘pranonte dhe trajtonte’ atë, kryetarin ende anonim të opozitës shqiptare, njëlloj siç bën ‘gjyshi prudent’ me nipin e vet ‘tekanjoz’, kur  sillet si kotelja mburravece dhe ‘budallaqe’, duke dalë ‘pa frikë’ përpara ‘putrave vigane’ të kryeluanit të diplomacisë Botërore. Por, pavarësisht vlerësimeve tona pragmatiste, një gjë tashmë është plotësisht e qartë; së shpejti në gjirin e Partisë Demokratike do të ketë një kurs të ri strategjik proamerikan dhe distancim pa rezerva nga konceptet destruktive berishiane. Në këtë kuadër, ish- kryetari dhe ish- kryeministri i partisë ‘blu’, z. Sali Berisha, do të detyrohet, ose do ta detyrojnë ngjarjet evolutive, të heqë dorë nga ‘pratagonizmi destruktiv’ dhe ‘zhurma’ disinformuese lidhur me Byronë Kombëtare të Hetimit.

Siç u vu re, kryeministri ‘i qetë’ i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, e kishte kuptuar se vizita e sekretarit të SHBA-ve, z. Xhon Kerry në Tiranë, ndonëse përkonte me 25- vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në thelb synonte nxitjen, kultivimin dhe krijimin e kushteve për arritjen e objektivit strategjik adekuat dhe perspektiv për ‘vërshimin’ e investimeve strategjike të kapitalit financiar të SHBA dhe BE në Shqipëri; ndaj bëri premtimin e ‘nxituar’, duke u zotuar për miratimin e ndryshimeve kushtetuese brenda muajit mars 2016. Tash edhe intuita e politikanëve të moderuar shqiptarë duhet të kuptojë se ‘përse bien kaq fort ‘daullet’ e SHBA dhe BE në Tiranë lidhur me reformën në Drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit’…

Pse flet kaq bukur ‘shqip’ dhe ‘pa rezerva diplomatike’ ambasadori i ShBA në Tiranë, z. Donald Lu? Pse papritmas kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, ‘nxitoi’, duke u zotuar se ndryshimet kushtetuese do të miratohen brenda muajit mars, pra në pranverën e parë të vitit historik 2016? Mos vallë do të kemi vërtet një Kushtetutë të re me 58 nene të ndryshuara në ligjin themelor të Shtetit, siç ka propozuar Komisioni i Ekspertëve të Nivelit të Lartë?… Përgjigja racionale do të ishte: – Jo!; sepse Kushtetuta do kohën e vet për t’u përmirësuar dhe afati optimal do të përkonte me hapjen e negociatave për futjen e Shqipërisë në BE. Deri atëherë do të ndodhin shumë ndryshime strategjike në Shqipërinë tonë të dashur; sepse ‘pranvera e Demokracisë ligjore dhe reale’ nuk vjen me lulet e fishkura berishiane; nuk vjen me sistem gjyqësor të korruptuar; nuk vjen me prokurorë dhe gjyqtarë të inkriminuar; nuk vjen me resurse të kufizuara financiare; nuk vjen me ndikime të palëve të treta, që nxisin destabilitet, ose investojnë veprime dhe mosveprime me karakter antishqiptar; por vjen me investime masive të kapitalit financiar të SHBA dhe Bashkimit Europian, me ndërtim, monitorim, forcim dhe funksionalitet normal të Shtetit Ligjor.

Mbase jemi tepër optimistë, por nëse SHBA dhe BE kanë vendosur të investojnë kapitale financiare strategjike në Shqipëri, Byroja Kombëtare e Hetimit do miratohet me ligj organik, ose me 3/5 e votave të Kuvendit Popullor, brenda muajit Mars 2016 ; pra nuk do të ketë ndryshime të tjera kushtetuese, ndërkohë që do të vijojë fushata për ndryshimin optimal të Kushtetutës, duke mbajtur qartazi në konsideratë Kushtetutën e Bashkimit Europian dhe atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Rezervat e faktorit të jashtëm financiar barabiten me disa qindra miliardë dollarë USD. Diaspora shqiptare në SHBA zotëron mbi 180 miliardë USD. Po si mund të investohen këto kapitale financiare në Shqipëri, kur ende mungon Byroja Kombëtare e Hetimit dhe eksponentët e klasës politike ‘shesin haptazi’ 300 kilometra katrorë të hapësirës detare të vendit, ku ndodhen rezerva gazi dhe nafte, që kapin shifrën disa qindra miliardë euro, por nuk ndëshkohen për veprimtarinë e tyre antikombëtare?… A nuk duhet hulumtuar vjedhja 25 vjeçare e KESH –it, që kap shifrën mbi 7 miliardë USD, e kryer periodikisht nga pushtetet ‘de jure të përkohshëm’, por de facto ‘të përhershëm’ të pushteteve partiakë destruktivë?. A nuk duhet nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore ‘korporata’ e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar’?; që kanë vila të shtrenjta, toka, bizhuteri, pasuri marramendëse dhe miliona euro; të cilat i kanë siguruar nga përdorimi i paligjshëm, ose si biznes, i funksioneve të gjyqtarit dhe prokurorit, pra nga ‘shitblerja’ e drejtësisë…Vetëm pas fillimit të veprimtarisë ligjore të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Shqipëri, askush nuk do jetë në gjendje për t’i kërkuar ryshfet kapitalit financiar amerikan, ose atij gjerman; sepse, duke mbajtur parasysh këtë garanci, ky kapital do ‘vërshojë si lumë’ për të hapur qindramijë vende të reja pune; për të kryer investime strategjike, operatike, apo taktike në ekonominë ende të pa zhvilluar të vendit tonë.

Konceptualisht, me siguri ndryshimet e pritshme materiale moderne të kapitalit të SHBA dhe BE do të rrisin sa dhe si duhet nivelin e domosdoshëm të ndërgjegjes demokratike dhe ligjore të forcave prodhuese në Shqipëri; të cilat do të zhvillojnë organizimin dhe vetëveprimin modern sindikalist; madje patjetër do të diktojnë nevojën e përmirësimit afatgjatë të superstrukturave shtetërore, pra edhe ndryshimin e paevitueshëm imediat dhe perspektiv të klasës politike feodaleske destruktive ekzistuese.

SHKARKO APP