Reforma në duart e atyre që e nisën

Nga Skënder Minxhozi

Dihej se do të vinte një moment kur paqja e teknicienëve do të prishej. Pas muajsh pune në hije thuajse të plotë, ekspertët ndodhen tashmë në “provimin” e parë dhe të vështirë të klasës politike. E cila brenda pak ditëve tregoi edhe një herë se çfarë është në gjendje të prodhojë, kur ka mundësinë dhe hapësirën: bllokim total, sherr dhe mungesë patologjike aftësish për të kërkuar dhe gjetur konsensus. Procesi i reformës në drejtësi, me gjasë ushtrimi më i komplikuar për demokracinë shqiptare në 25 vjetët e fundit, ka hasur në murin prej gome të politikës shqiptare, e cila deri më sot është mbajtur larg procesit, me shpresën se vetëm kështu do të sigurohej progres, në vend të bllokimit.

Ka një debat të dyfishtë që shkon paralelisht këto orë, në lidhje me reformën në drejtësi. Debati i parë është ai i procedurave të formulimit, diskutimit, gjetjes së konsensusit dhe më pas miratimit të draftit. Kurse debati i dytë ka të bëjë me përmbajtjen e neneve të reformës, me institucionet e reja që ajo prodhon, me mënyrat sesi do të ndryshojë dhe sesi do të transformojë gjyqësori, prokuroria dhe politika në raport me këto të dyja.

Që të dyja debatet janë mëse të logjikshme dhe të pritshme. Nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe. Madje, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, as që politika të qëndronte larg tundimit për ta bllokuar procesin. Reforma në drejtësi është një gur themeli unikal, drejt ndryshimit të kursit në një vend si Shqipëria, ku kultura e korrupsionit dhe bashkëjetesës me shkeljen e ligjit, është e ngulur thellë në shoqëri dhe në institucionet e shtetit. Interesat politike rreth saj janë të jashtëzakonshme. Që tek ne të ndodhë ajo që po ndodh në Kroaci, Rumani apo Serbi, kërkohet që sistemi i drejtësisë të pësojë një pastrim radikal, larg çdo influence të politikës dhe mbi të gjitha, nën një mbikëqyrje të rreptë ndërkombëtare. Drafti i reformës parasheh një prani të kudondodhur të ekspertëve të huaj, në institucionet që do të bëjnë shqyrtimin e figurës së gjyqtarëve e prokurorëve që janë apo që do të futen në sistem në vitet e ardhshme.

Është e vetmja garanci, që procesi të jetë i vërtetë dhe jo fasadë. Është e vetmja rrethanë që shqiptarët e pastër, të dënojnë shqiptarët e korruptuar, në një ambient ku kjo s’ka ndodhur kurrë më parë. Prezenca e huaj është garancia e vetme që do të ketë një reformë të drejtësisë. Kjo prezencë, presioni i saj i jashtëzakonshëm, ndihma dhe ekspertiza e saj juridike, do të bëjnë të mundur që nga njëra anë klasa politike shqiptare të pajtohet me reformën, e nga ana tjetër, përmes Komisionit të Venecias, të vendoset një standard i pranueshëm nga të gjitha palët.

Këto orë aleati kryesor i PS Ilir Meta, po shtyn me anë të ministrit të tij të drejtësisë, drejt idesë së një konsensusi politik. Përtej faktit që kjo ribën rregullat e lojës që kanë qenë në fuqi qysh nga dita e parë e fillimit të punës për reformën, ngulmimi i LSI për konsensus para Venecias (e jo pasi ky organizëm të ketë folur), duket sikur po mundohet të krijojë një pengesë shtesë për t’ja lënë fjalën e fundit ekspertëve të qytetit të famshëm bregdetar. Nëse është e vërtetë se ka një konsensus në distancë nga të gjithë aktorët kryesorë politikë, për të votuar bashkërisht draftin final që do të dalë nga tryeza e Komisionit të Venecias, përse duhet që politika shqiptare të fusë shkopinj në rrota? Nga ana tjetër, a nuk është tashmë “politik” procesi i reformës, meqenëse ai drejtohet nga një komision i posaçëm parlamentar, ku janë të përfaqësuara të gjitha palët politike?

Reforma ndodhet përballë një muri gome, i cili është aty prej 25 vjetësh. I takon ndërkombëtarëve, që janë marrë me orët e dorës, pronat dhe paratë e pista të gjyqtarëve e politikanëve, që të vijojnë ta mbajnë të lartë presionin mbi të gjitha forcat kryesore politike. Një shpërqendrim nga ky presion, do ta rrëzonte në mënyrë fatale procesin e deritanishëm, duke i dhënë terren idesë së vjetër fataliste, se këtu është e pamundur të ndryshojë diçka. Reforma ndodhet sërish në duart e atyre që e nisën: ndërkombëtarëve! (Java)

SHKARKO APP