Reforma territoriale në kolaps? Tabaku: Model i dështuar, bashki pa para dhe qytetarë të harruar
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, gjatë diskutimeve në Komisionin e Posaçëm për Reformën Territoriale në Kuvendi i Shqipërisë, theksoi se problematikat e evidentuara nuk janë të fragmentuara, por tregojnë dështimin e vetë modelit mbi të cilin u ndërtua reforma e vitit 2015. Për të ky dështim reflektohet njëkohësisht në tre dimensione kyçe: në mënyrën si gjenerohen të ardhurat, në strukturën e investimeve dhe në vetë logjikën e organizimit territorial.
Tabaku ngriti shqetësimin se bashkitë sot nuk mbështeten mbi një bazë të qëndrueshme ekonomike lokale, por mbi të ardhura të përkohshme dhe të paqëndrueshme, të lidhura kryesisht me ndërtimin. Ajo theksoi se pesha e taksës së ndikimit në infrastrukturë është rritur ndjeshëm, ndërsa të ardhurat nga taksat e zakonshme vendore janë tkurrur, duke krijuar një model të brishtë dhe të varur nga cikle afatshkurtra.
Ajo vuri në dukje se edhe logjika mbi të cilën u ndërtua reforma territoriale, bashkimi i njësive për të ofruar më shumë shërbime dhe për të afruar pushtetin me qytetarin ka dështuar në praktikë. Qytetarët sot, sipas saj, përballen me më pak shërbime, më shumë burokraci dhe një distancë më të madhe nga vendimmarrja.
”Reforma premtoi afërsi me qytetarin dhe efikasitet. Sot kemi të kundërtën: centralizim, pabarazi dhe mungesë përfaqësimi real”,-theksoi ajo. Deputetja argumentoi se këto tre elemente, baza e paqëndrueshme e të ardhurave, rënia e investimeve dhe centralizimi i vendimmarrjes, nuk janë probleme të ndara, por pasoja të drejtpërdrejta të një modeli të gabuar. Në këtë kuadër, Tabaku ngriti pikëpyetjen thelbësore mbi drejtimin e reformës së re, duke theksuar se nuk mund të ndërtohet një reformë e re mbi të njëjtin model që ka prodhuar këto rezultate.
KOHA JONË SONDAZH

