Rënia e euros dhe rritja e çmimeve, deputetja Tabaku: Po dëmtojnë ekonominë reale shqiptare

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku në cilësinë e anëtares së Komisionit të Ekonomisë, Financave dhe Punësimit, flet një sërë shqetësimesh gjatë seancës dëgjimore me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, duke vënë theksin te rënia e euros dhe rritja e çmimeve. ”Më vjen mirë që SEPA u bë realitet më 1 tetor dhe shpresojmë që edhe Kryeministri ta ketë mësuar, pasi u ka thënë njerëzve që nisi më 1 janar”,-tha Tabaku, duke nënvizuar se opozita ka pasur ndër vite debate të sakta mbi drejtimin e ekonomisë shqiptare.

Tabaku theksoi se ekonomia po përballet me një strukturë të dobët dhe të paqëndrueshme, ku 60% e rritjes ekonomike vjen nga ndërtimi, ndërkohë që sektorët realë si industria dhe bujqësia janë në rënie. “Kjo pasqyrohet edhe në të dhënat e punësimit dhe produktivitetit. Papunësia që raportoni është nominale, sepse punësimi po zhvendoset drejt sektorëve jo produktivë”,-deklaroi ajo. Një prej shqetësimeve kryesore që ngriti Tabaku lidhej me inflacionin dhe koston e jetesës, ku sipas saj shifrat zyrtare nuk përputhen me realitetin e qytetarëve.

“Si ka mundësi që zhvlerësimi i euros dhe ulja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare nuk janë reflektuar në produktet e shportës së konsumit? Inflacioni 2.2% nuk ndjehet në xhepat e shqiptarëve që sot harxhojnë 40% të të ardhurave për ushqime”, u shpreh deputetja demokrate. Në fund të fjalës së saj, Tabaku rikujtoi se ka depozituar disa propozime ligjore për mbrojtjen e konsumatorëve në sektorin e mikrofinancës, të cilat janë rrëzuar nga mazhoranca, dhe kërkoi që Kuvendi të rikthejë për shqyrtim ato nisma.

Swiss Digital Desktop Reklama

”Është koha që Parlamenti të marrë rolin e vet kontrollues dhe të mos lejojë që ekonomia shqiptare të kthehet në një laborator eksperimental ku përfitojnë pakica të lidhura me pushtetin, ndërsa shumica e qytetarëve përballet çdo ditë me rritje çmimesh, paga të ulëta dhe pamundësi për një jetë normale”.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?