Requiem për muzikën e humbur të ca qenieve
Esse
Nga Artur Zheji-
Duke lexuar e rilexuar kolegët që shkruajnë, por edhe ata që na ndjekin e na komentojnë, gjë të cilën e bëj përditshmërisht, ajo që bie pandryshueshmërisht në sy, është zymtësia e panoramës tonë politike. Një zymtësi që qëndron si një mjegull e trashë, e gatuar me prapaskena dhe hilera të panumërta bizantine, një përpëlitje tragjikomike zhytur në një llucë e në një baltovinë, që duket sikur e ka kapur edhe Shqipërinë nga gryka.
Duhet të jenë rreth 2000 ose 3000 njerëz në Shqipëri, që ngrysen dhe gdhihen me intrigat e politikës sonë të përditshme, të cilat, përtej pasionit dhe ambicies, janë kthyer padyshim, në një makinë parash dhe pushtetesh progresive.
Shpesh e më shpesh, përtej nevojës.
Dhe pra, nuk flitet dhe nuk shkruhet tjetër, veçse kush tha çfarë dhe cili bëri këtë apo atë manovër, aksh apo ipsilon privatizim, aferë apo biznes, ndërtim apo zhvatje.
Në këtë arkitekturë të së përditshmes, që ngjan me një akuarium të madh, ku mbizotërojnë peshkaqenët, që hanë përpos nesh, që na kanë si një racion bazë ditor, edhe njeri-tjetrin, flitet dhe stërflitet vetëm për llokma të gjakosura, femra të epshme që ngrenë gishtat politikë lart, mbasi mbrëmjeve ulin kryet apo fustanet poshtë e më poshtë në prehrin e shefave, për llogari bankare, për transferta, për vota, skema dhe pusira.
Tavolinave me verë të shtrenjtë dhe populluar me njerëz veçse gënjeshtarë, me sy prej peshku dhe të ftohtë, që përpiqen të kacavirren në hierarkinë e Vëmendjes së Bosit, hartohen “sulme” dhe kalkulime përfitimesh, nga ca mendje dukshëm të sëmura nga një Uri e pashërueshme, për të grumbulluar në xhepa apo në sëndukë, në kasaforta apo në llogari bankare, pirgje me letra me vlerë, përgjime të shitshme, të vjetra apo të reja, lista me emra personash publikë të shantazhueshëm dhe ndoshta edhe dorëshkrime delirante, me subjekte te çartura përtej kohës dhe hapësirës.
Dhe pastaj përsëri verë dhe tension. Përsëri pusira dhe skema. Pa pushim dhe deri në frymën e fundit.
Fill më pas, në Banketin e Madh, ku hahet e pihet dhe arkitektohen mashtrime, gënjeshtra të holla dhe të trasha, poema retorike dhe skeçe plot batuta, përdhunime dhe grabitje, ku tek derdhet shishja, shfryhen mllefe dhe pështyhen sharje dhe nepse të papërmbushura, fillojnë të shfaqen aksidentet shëndetësore, të cilat, ndonëse kurohen në klinikat më të shtrenjta të botës, nuk shërojnë dot nepsin për të shqyer dhe për të kapërdirë çfarë nuk të përket. E fillon e mbruhet në qeniet e kësaj “Elite të pandëshkueshme dhe të papërgënjeshtrueshme parallinjsh”, një psikozë e veçantë.
“Jemi të ndryshëm nga ata”, skllevërit që na mbajnë për ca kacidhe në shpatullat e tyre mjerane dhe idiote.
Sepse Ne, jemi Racë! Jemi të përzgjedhur!” fillon e flet në monologun e brendshëm psikoza.
Në trajtën e vet tragjike ky vetëpëlqim dhe vetadhurim, pati shkëlqimin e vet në Mesjetë, me Luigjët në Europë apo Perandorët kinezë të Azisë, ndërsa sot, e aq më tepër në Shqipëri, përsëritet si një komedi dhe si një kllounatë.
Ndonëse në thelb, edhe ata, të vetëndjerë dhe të vetëshpallur si ndryshe nga ne, janë krejtësisht si ne, ndoshta edhe më të aftë pse jo, një keqardhje e thellë të rrëmben, kur vë re, se në tërë këtë çfarë përshkrova, mungon muzika.
U mungon muzika dhe harmonia që ajo transmeton drejtpërdrejt nga parajsa apo e përtejmja. Dhe brenda tyre, janë ca krijesa të shurdhëta, që kanë për këngë mbllaçitjen, shushurimën e kartëmonedhave apo zërat e mbytura orgazmikë të putanave që aktrojnë për klientin, orgazmën që nuk u jepet.
Dhe të vjen befas keq, për keqbërësit tanë të përditshëm, për kufomat e tyre pa harmoni, pa paqe dhe pa muzikë, brenda kostumeve të tyre fare kot dhe fare tepër, aq të shtrenjta.
Dhe kuptoj kësisoj, një grimcë fare të vogël, të ekuilibrit universal apo të Peshores Hyjnore. Që duke derdhur mbi ne, Muzikë më të tepërt dhe pasje të mangët njëkohësisht, ka dënuar ata, keqbërësit tanë të përditshëm dhe të pangopshëm, me zhurma dhe britma ankthi brenda kafkës, ku milionat e eurove apo pronat e grabitura nuk bëjnë fajde.
Përpos orgazmueseve profesioniste, që shtiren të kënaqura se ashtu ua do puna. (MAPO)