Reshje bore deri në 60 cm në zonat malore në Librazhd
Maringlen Disha, kryetari i Bashkisë Librazhd, bëri të ditur se në disa njësi administrative trashësia e dëborës ka arritur deri në 60 centimetra, çka ka sjellë bllokime të përkohshme të disa akseve rrugore dhe vështirësi në aksesin drejt fshatrave të thella.
Sipas Dishës, pavarësisht kushteve të rënduara atmosferike, strukturat vendore janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për menaxhimin e situatës. Ai theksoi se ekipet e bashkisë në bashkëpunim me Emergjencat Civile janë angazhuar për pastrimin e rrugëve, shpërndarjen e kripës dhe ofrimin e ndihmës për banorët që ndodhen në nevojë, veçanërisht për të moshuarit dhe familjet në zonat e izoluara.
“Ekipet tona ndodhen gjatë gjithë kohës në terren për të mbajtur të hapura akset kryesore dhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve. Prioritet mbetet garantimi i qarkullimit dhe ofrimi i shërbimeve bazë”, u shpreh Disha.
Kryebashkiaku u bëri thirrje banorëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të respektojnë udhëzimet e strukturave përgjegjëse, në mënyrë që të shmangen situatat e rrezikshme.
Në raste emergjente, qytetarët këshillohen të kontaktojnë menjëherë numrat 129, 128 dhe 112 për të marrë ndihmën e nevojshme.
KOHA JONË SONDAZH

