Reshjet dhe ngricat bllokojnë rrugët në Qarkun e Shkodrës, mbi 200 mjete të ndaluara
Situata e qarkullimit në Qarkun e Shkodrës paraqitet e vështirë gjatë orëve të fundit, për shkak të reshjeve të dendura dhe ngricave që kanë krijuar bllokime në disa segmente rrugore. Si pasojë, disa familje, mes tyre edhe fëmijë, kanë mbetur të izoluar në automjete.
Sipas informacioneve nga terreni, vështirësi të mëdha janë regjistruar në segmentin nga Buni i Bajraktarit në drejtim të Koplikut, ku mbi 200 automjete po tentojnë të lëvizin mes kushteve të rënda atmosferike. Reshjet e alternuara të breshërit me dëborë dhe ngricat e formuara në rrugë kanë rënduar ndjeshëm qarkullimin.
Ndërkohë, aksi Qafë Thore–Bogë është zhbllokuar dhe qarkullimi po zhvillohet normalisht. Problematike vijon të mbetet rruga Selcë–Qafë Berdelëci, ku ngricat e shumta kanë detyruar disa mjete të kthehen pas në fshatin Tamare.
Në zonë ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore dhe mjetet borëpastruese, të cilat po punojnë në koordinim për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë, ndërsa në raste emergjente të kontaktojnë menjëherë shërbimet përkatëse.
KOHA JONË SONDAZH

