Retorika, kjo shërbëtore e regjimit
Nga Gëzim Mekuli
Nga bindja e fuqisë së madhe që posedon gjuha, është vlerësuar se është retorika ajo që përdorë këtë art si instrument, për qëllime e synime te veta. Është situata retorike ajo, që paradirigjon dhe paracakton atë se çfarë do të flitet e çfarë do të thuhet në publik. Kjo shprehje për të parën herë u shfaq në vitin 1968 (The Rhetorical Situation). Pra, është dikush në këto situata që kërkon që dikush të reagoj dhe të merrë fjalën dhe të provoj që të ndryshojë situatën. Në çastin kur një situatë mund të ndryshohet pjesërisht apo plotësisht përmes komunikimit (fjalës dhe tekstit) atëherë kemi të bëjmë me një situatë retorike. Sipas Lloyd Bitzer, çdo situatë retorike përbëhet nga tre faktorë: Problemi i ngutshëm, Publiku dhe Kushtet retorike.
– Problemi i ngutshëm, është diçka e pambaruar, e papërfunduar. Është një “gabim”, një pengesë, diçka që pritet që të ndodhë e bëhet, diçka që nuk është si do të duhej të ishte. Por që situata të jetë retorike, duhet që “problemi i ngutshëm” të ketë mundësinë të ndryshohet nga njerëzit. Bitzer merrë shembullin e vdekjes, dimrit dhe katastrofave natyrore, si tipike për problemet e ngutshme, e të cilat njeriu nuk ka mundësi ti ndryshoj, e as ti ndaloj.
– Publiku është elementi i dytë në një situatë retorike. Retorika kërkon çdoherë një publik. Shprehjet retorike mund të ndikojnë apo edhe të ndryshojnë vendimet dhe veprimet e popullit. Situata retorike kërkon çdoherë një publik, i cili është në gjendje të ndryshoj rrjedhën e problemit të ngutshëm. Një publik retorik është ai i cili “pranon” dhe është në gjendje të ndikohet nga diskursi dhe, po ashtu, të jetë mediatorë i ndryshimeve në shoqëri.
– Elementi i tretë është “kushtet e retorikës”. E, këto mund të jenë besimi, faktet, tradita, interesi dhe motivet e ndryshme. Bitzer është kritikuar për shkak të qëndrimit të tij determinues rreth retorikës. E veçanërisht ky u kritikua për mos njohjen e veprimeve të pavarura që ka një folës. Pra edhe folësi ka edhe përgjegjësi etike. Kritiku më i madh ishte Richard E. Vatz i cili pikëpamjen e Bitzer i quante si mit, sepse sipas Vatz, mendimi është cilësi e brendshme e secilit njeri. Veprimet retorike krijojnë ndryshime duke ndikuar në mendimet, vendimet dhe veprimet e personave të cilët mund të kontribuojnë në krijimin e ndryshimeve. Pra, sipas kësaj retorika çdoherë kërkon një publik. Nuk mund të ketë situatë retorike, nëse nuk kemi publikun.
Jeta na ndeshë me shumë probleme, qofshin këto të mëdha apo të vogla. Po të mos ishin këto komplikime e këto probleme të ngutshme nuk do të kishim nevojë për përshtatje, “arnime” e adaptime. Nuk do të kishim nevojë për hulumtime retorike, e as për debate, argumentime e komunikim. Arsyeja është e thjeshtë, sepse nuk do të kishim kurrfarë arsye për ndryshime; ndryshime këto që kryhen përmes komunikimit. Por jeta është me shumë telashe. Kur u vra John F. Kennedi, në vitin 1963, në Dallas, papritmas u shfaqën me qindra probleme; si frika, nevoja dhe kërkesa për informacione, sqarimet dhe lavdërimet për presidentin e vrarë. Dua të them se në këtë botë ka shumë probleme e gabime. Por të gjitha këto nuk janë retorike. Një problem i ngutshëm i cili nuk mund të modifikohet dhe të zgjidhet, nuk është retorik. Gjerat që ndodhin jashtë kontrollit të njeriut, si për shembull stinët e vitit, mplakja e njeriut, vdekja dhe shumë të tjera fatkeqësi natyrore, janë probleme të ngutshme, por këto, nuk janë retorike. Komunikimi retorik nuk ka të bëjë me proceset natyrore; ne nuk mund të ndalojmë dhe të shërojmë vdekjen. Kjo do të na gjejë të gjithëve. Gjërat që nuk mund ti ndryshojmë sot, apo edhe nesër, nuk debatohen dhe nuk bisedohen dot. Po sikur të ishte e mundur unë do ta shtyja vdekjen time edhe nja, së pakut, 300 vjet. Pra, ne s’mund të vendosim dhe s’mundemi as edhe të ndikojmë se kur do të vdesim, edhe nëse debatojmë natë e ditë. Pra, një problem i ngutshëm, e i cili mund të zgjidhet përmes mjeteve tjera, e jo përmes komunikimit, nuk është retorik. Nëse mua më është prishur biçikleta, dhe këtë kam mundësi ta rregulloj, duke mos përdorë komunikimin si mjet, atëherë, këtu, kemi të bëjmë me një problem teknik e jo retorik. Një publik retorik përbëhet kryesisht nga njerëzit të cilët me ndihmën e shprehjeve retorike munden (1) të ndikohen dhe të bindën që të mendojnë apo të veprojnë në mënyra të caktuara, dhe (2) të cilët kanë mundësi dhe (3) dëshirë për të krijuar ndryshime që do ti ndihmonin problemit të ngutshëm të situatës.
Situata retorike dhe problemi i ngutshëm ka provokuar dhe ka nxitur shumë publicist, politikan dhe analist shqiptarë që në shkrimet dhe idetë e tyre të përzgjedhin argumentime dikotomie. Dhe, pikërisht, është propaganda ajo që operon me botën dikotomike, të ndarë në “NE = TË MIRËT” dhe “ATA = TË KËQINJËT”. Këto rrëfime mitike, stereotipe dhe prodhime të fotografisë së armikut, njihen si strategji e propagandës së tmerrit. Debatet liberale e konsiderojnë si problematike argumentimin dikotomik. Sepse shoqëritë demokratike pranojnë “mendimin tjetër” si pjese e shoqërisë pluralistike. Këto e trajtojnë ”mendimin tjetër” si ”kundërshtare” e jo si armike; edhe pse nuk kanë hiçgjë të përbashkët me ”mendimin tjetër.”