Revolucioni “antikomunist” kundër drejtësisë

 

Nga Andrea Stefani

Partia Demokratike por bën qametin për marrjen e një medaljeje nga një ish-sigurims, të cilin, po rezulton se e ka futur në listat e veteranëve vetë Sali Berisha. Dhe këtë lapsus qesharak PD po e fryn si tullumbac që t’i shërbejë si provë i rikthimit të diktaturës komuniste e cila u dashka përmbysur me revolucion “demokratik paqësor”!

Të ketë funksionuar me sukses ky truk i tipit hitlerian, që tenton të shpikë diktaturën për të legjitimuar dhunën mbi qeverinë, ashtu siç u shpik në 21 janar “puçi” për të përligjur vrasjet e protestuesve?! Sepse është habi e madhe që kalojnë thuajse në heshtje tentativa të qarta të lidershipit të PD drejt praktikave të bolshevike të përmbysjes së qeverisë me dhunë! Të tilla janë thirrjet dhe çjerrjet e pareshtura të Bashës, Berishës, Topallit dhe të tjerëve në PD, për ta “shporrur” qeverinë, thirrje këto që nuk mund të mos nxisin turmat për akte dhune barbare si ato që u panë në 8 dhjetor por që janë parë edhe vite më parë në 14 shtator 1998. Dinakërisht, fjala dhunë nuk përmendet për të qenë brenda me ligjin dhe Kushtetutën. Madje emrit “revolucion” i shtohet mbiemri “paqësor”. Por kuptohet fare lehtë se kemi të bëjmë me një dhelpëri për t’i hedhur trutë e gomarit jo vetëm shqiptarëve por edhe ndërkombëtarëve.

Jemi në një vigjilje të një reforme në drejtësi që për herë të parë, për shkak të një pakënaqësia në rritje për korrupsionin dhe kalbëzimin e shtetit por edhe të mbështetjes pa ekuivok nga ana e ndërkombëtarëve, ka shkaktuar drithma frike në radhët e një klani oligarkik të politikës shqiptare që ka sunduar dhe është pasuruar kafshërisht në sajë edhe të kapjes dhe korruptimit të pushtetit të drejtësisë. Po vjen çasti që drejtësia nuk do të jetë më nën kapistrën e tij. Po vjen ora kur pandëshkueshmëria e superkrimeve dhe superskandaleve do të marrë fund. Prandaj dhe ky klan oligarkik, tashmë i flakur në opozitë me vota, rreket të mbrojë pozicionet e tij të fundit, gjykatat dhe prokuroritë e kapura. Ndaj bën thirrje për revolucion me shpresë se destabiliteti politik, do ta shmangë edhe reformën në drejtësi.

Situata ngjason me atë të pas rënies së Sali Berishës në vitin 1997 kur drejtësia u bë gati ta ndëshkojë, atë dhe bashkëpunëtorët e tij, për krimet e vitit të mbrapshtë ’97. Edhe atëherë Berisha gjeti strehë tek aksioni politik destruktiv, te një zinxhir protestash të dhunshme dhe me bomba molotov mbi institucione, që u përshkallëzuan me grushtin e shtetit në shtator ’98. Të mos harrojmë se me thirrjet “ta shporrim qelbësirën” (atbotë ai epsh ato sharje drejtoheshin kundër qeverisë së Fatos Nanos) u nxit grushti i armatosur i shtetit i 14 shtatorit 1998.

E njëjta teknikë po përdoret edhe sot nga PD “e Bashës”. Pse? Sepse është po ai lidership i vjetër me në krye mjeshtrin e dhunës revolucionare në demokraci, komunistin-antikomunist Sali Berisha. Dhe komunistët-antikomunistë janë shumë të rrezikshëm pikërisht se e maskojnë dhunën revolucionare komuniste me fraza demokratike, revolucionin bolshevik dhe revolucion “paqësor”. Ata e kanë provuar me fakte të panumërta në këto 25 vjet, ndër të cilat 16 në pushtet, se nuk kanë asnjë dedikim për demokracinë por keqpërdorim atë si gjethe fiku për të maskuar hallatet e gjakimit të tyre të pafjetur për pushtet. Gjendja e mjeruar e shtetit dhe e demokracisë liberale në Shqipëri është një dështim ku ata kanë pjesën kryesore të kontributit.

Si të gjithë komunistët edhe për komunistet antikomuniste si Berisha e K°, çështja e pushtetit mbetet çështja më kryesore. Ata janë të gatshëm të rrënojnë shtetin, vetëm që të arrijnë dhe të mbeten në krye të pushtetit. Ç’do rol apo kontribut tjetër jashtë pushtetit është i papajtueshëm për ta. Sepse nuk e pranojnë demokracinë. Ose e pranojnë si një të keqe të domosdoshme, të përkohshme, vetëm sa për të kapur pushtetin që e duan përjetësisht. Por kur demokracia, vota, nuk ia u jep këtë shans ose, edhe kur ia u rrëmben këtë shans, atëherë i drejtohen dhunës revolucionare që e rrënon demokracinë.

Ky është pikërisht kriptokomunizmi, komunizmi i fshehur që Berisha dikur e denonconte tek kundërshtarët e tij për të maskuar veten. Pikërisht ky është rreziku kryesor për demokracinë shqiptare sot së cilës nuk i duhet një antikomunizëm-komunist, as një antikomunizëm-fashist apo nazist por një antikomunizëm demokratik me rrënjë te liria. Dhe nuk janë ish-komunistët, ata që u rropatën gjithë jetën e tyre në frontet më të vështira ku i degdisi Partia, ata që kanë bërë divorcin me një regjim totalitar, me atë burg të madh sa vetë Shqipëria që me izolimin total, censurën dhe gjymtimin e informacionit, kish gjymtuar deri edhe lirinë dhe aftësinë e shqiptarëve për të menduar dhe reflektuar, pra edhe të komunistëve. Rreziku malinj sot janë “demokratët” si Berisha, komunistët antikomunistë që denonconte Havel, ujqit e vjetër të diktaturës dhe servilët e udhëheqjes që ngroheshin në oxhakët e Byrosë Politike, që kanë hedhur mbi kurriz lëkurën prej deleje të demokracisë. Që e luftojnë komunizmin me llafe kazani por që në praktikë, zbatojnë mësimet leniniste për dhunën revolucionare.

Dhe është e trishtueshme qe një ujk plak i politikës së stërvjetër si Berisha, që ia ka ngulur dhëmbët kaq herë në qafë demokracisë shqiptare duke i shkaktuar plagë të pashërueshme, që nxit me urrejtje, përçarjen Jug e Veri mes shqiptarëve dhe vrull revolucionar në turmat që i shet si “populli”, arrin të ngrejë një debat fals dhe idiotesk, kinse antikomunist, për marrjen nga një ish-sigurims të një medaljeje që ai vetë ja ka sanksionuar me ligj. Është tragjike, fyese e turpshme për një pjesë të shqiptarëve që arrijnë të manipulohen nga ky sharlatan patologjik pushtetesh dhe pasurisht groteske, qe ndërsa “Lufton” simbolikisht komunizmin, zbaton realisht teorinë e tij të revolucionit dhe të marrjes me dhunë të pushtetit.

E ndërsa nxit turmat për dhunë dhe shkatërrim të institucioneve përgatit edhe alibinë duke paralajmëruar se “populli” mund të dalë “jashtë kontrollit”. Një alibi kjo e njohur me “vullnetin e popullit” me anë të së cilës janë justifikuar krimet e të gjithë diktaturave dhe autokratëve. Të mos harrojmë se pikërisht këtë taktikë djallëzore zbatoi ai edhe ne grushtin e armatosur të 14 shtatorit. I mbushi turmat (ashtu si mbushet një armë) me urrejtje ndaj qeverisë duke ulëritur se Azemin e vrau Fatos Nano. Dhe ndërsa me gojë thoshte ta varrosim Azemin, ja bënte me sy turmave dhe ca fanatikëve berishistë të armatosur brenda tyre, që të merrnin arkivolin e tij dhe të varrosnin me dhunë qeverinë.

Kësaj loje hitleriane me demokracinë të këtij komunisti antikomunist i duhet dhënë fund. Demokracia dhe liria në Shqipëri duhet te çlirohen nga ky makth 25 vjeçar. Gjë që nuk mund të arrihet pa vënë para drejtësisë komunistin antikomunist dhe klanit të tij që s’di ku të fshehë pronat (se paret i kanë degdisur jashtë) për krimet që ka bërë ndaj demokracisë, njerëzve dhe pronës publike. Gjë që është e lidhur ngushtë me reformën në drejtësi të cilën ai jo rastësisht rreket ta pengojë me destabilitet politik, me zgjedhje të parakohshme. Për të rrëmbyer përsëri pushtetin që si komunist antikomunsit, si autokrat i konfirmuar nuk mund te mos e përdorë kundër demokracisë, lirisë dhe drejtësisë. Pra, edhe kundër Shqipërisë!DITA

SHKARKO APP