Riatdhesimet nga Siria, ministri Lamallari: Kemi identifikuar 1/6 e shqiptarëve që jetojnë në ato kampe
Operacioni për rikthimin në Shqipëri të dy grave, Hajrije Taushani dhe Myrvete Dibra, së bashku me tre fëmijët e moshave 9 deri në 17 vjeç, është finalizuar pas tetë muajsh pune dhe koordinimi. Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, bëri me dije se procesi u realizua falë bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe koordinimit mes institucioneve shqiptare. Sipas tij, operacioni për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga Siria ishte një proces kompleks, i cili kërkoi angazhim të vazhdueshëm të strukturave përgjegjëse dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
“E theksova vullnetar, sepse për të rriturit kërkohet miratimi i tyre për të ardhur në atdhe. Kjo është pjesë e punës së përditshme. Kemi 8 muaj që jemi angazhuar për këtë operacion, për të mundur komunikimin me ta dhe marrjen e dakordësisë për të ardhur këtu. Në rastin e mbrëmshëm 3 prej tyre ishin të mitur. Në total në 6 operacione, numri i personave të riatdhesuar është e verifikueshëm lehtësisht. Por për faktin që kemi të bëjmë me njerëz, nuk mund të flasim me shifra. Duhet të përmbushim detyrimin që kemi karshi shtetit dhe qytetarëve shqiptarë. Pra të riatdhesojmë personat e mbetur atje. Sidomos gratë dhe të miturit, që janë marrë nga bashkëshortët. Ka edhe të mitur që kanë lindur atje, por kanë gjak shqiptari”, tha mes të tjerash Lamallari për ”Report TV”.
Ministri nënvizon edhe se jo të gjithë personat që ndodhen në kamp janë bashkëpunues dhe kjo e vështirëson edhe punën e shtetit shqiptar në kryerjen e riatdhesimeve. ”Në fakt janë operacione tejet komplekse. Duke qenë se flasim për zona në konflikt, të pasigurta, edhe në kuadër të funksionimit të instancave shtetërore, në kushtet në të cilat gjenden këto kampe, sigurisht që është e vështirë që të identifikosh këta persona. Jo të gjithë personat në kamp janë bashkëpunues me autoritetet. Madje ka edhe persona në kamp që kanë ndikuar në përpjekjet e shtetit shqiptar për të bërë të mundur kthimin e tyre. Pra operacioni kompleks nis me identifikimin, kredencialet diplomatike, fluturimin e sigurt për kthimin e të riatdhesuarve në atdhe, etj. Gjendja e 5 të riatdhesuarve është e kuptueshme. Situata nga ata vijnë, kërkon ndjeshmëri, profesionalizëm nga personat e angazhuar në kontaktin me ta. Janë marrë masat edhe me QSUT, që të ketë staf të specializuar mjekësor që të japë këtë ndihmë”, shtoi Lamallari.
Ai shton se riatdhesimi i shqiptarëve nga Siria bëhet në mënyrë vullnetare, pra duke marrë më parë edhe mendimin e personave të moshës madhore që do të riatdhesohen. Vetëm në rastet kur personat në fjalë kanë probleme me drejtësinë, sipas Lamallarit kryhet riatdhesim i detyruar nga shteti shqiptar. ”Ne kemi informacion për të gjithë shtetasit shqiptar që shkuan atje. Përsa i përket identitetit në kuptimin psikologjik të fjalës, unë prandaj thashë vullnetar. Pra ata zgjedhin vetë nëse do të riatdhesohen. Përgjegjësia tani është e shoqërisë shqiptare që t’i pranojë dhe të mos i paragjykojë. S’më ndahet nga mendja takimi me fëmijën që ishte pjesë e grupit. I shkëlqenin sytë. Kjo është shtëpia e tij. Unë uroj që ai ta harrojë shumë shpejtë situatën e kaluar atje”.
Në përfundim Lamallari tha se rreth 1/6 e shqiptarëve që jetojnë në kampet në Siri janë identifikuar nga shteti shqiptar dhe puna do të vijojë për të bërë të mundur riatdhesimin e tyre. ”Rreth 1/6 e personave që ne mendojmë se kanë mbetur ende në këto kampe (17), sigurisht që janë identifikuar nga strukturat tona. Ne nuk do të rreshtim derisa të bëjmë të mundur riatdhesimin vullnetar të tyre. Fakti që mbaroi ky operacion nuk do të thotë se mbaroj e gjitha. Ne jemi në tratativa të vazhdueshme për kthimin e të gjithë personave. Nuk ka kurrësesi rikthime të detyruara. Ne mund të rikthejmë me detyrim vetëm persona që duhet t’i përgjigjen drejtësisë. Të gjitha rastet që janë kthyer deri më sot, kanë qenë të mundura bazuar në themelin e zgjedhjes së tyre të bërë vullnetarisht për t’u rikthyer këtu”, përfundoi Lamallari.
KOHA JONË SONDAZH

