Rihapet Qendra e Gjadrit për azilkërkuesit nga vende të sigurta, Italia zgjeron planin e transferimit

Qendra e Gjadrit në Shqipëri pritet të rihapet për të pritur azilkërkuesit që vijnë nga vende të konsideruara të sigurta, me qëllim përshpejtimin e procedurave kufitare. Plani i ministrit të Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, parashikon që emigrantët të mos merren më drejtpërdrejt nga deti përmes kontrolleve në bordin e anijeve të Marinës, por të dërgohen në Shqipëri pas regjistrimit fillestar në qendrat e pritjes (hotspot-et) italiane. Kjo do të zbatohet pavarësisht nëse mbërritja e tyre ndodh me anije shtetërore, gomone apo mjete të tjera. Ky mekanizëm synon të lehtësojë barrën mbi sistemin italian të azilit dhe të përshpejtojë proceset e kthimit për ata që nuk kualifikohen për mbrojtje.

Sipas qeverisë italiane, qendra shqiptare do të funksionojë si një pikë kthimi në një vend të tretë të sigurt, duke u bazuar në rregulloret e reja evropiane. Këto rregulla lejojnë mbajtjen dhe shqyrtimin e kërkesave të emigrantëve nga vende të sigurta përmes procedurave të përshpejtuara. Autoritetet presin që numri i personave të transferuar të jetë dukshëm më i lartë se në fazën e parë të marrëveshjes. Kjo rritje vjen si pasojë e zgjerimit të listës evropiane të vendeve të origjinës së sigurta, e cila tani do të përfshijë Bangladeshin dhe Egjiptin. Nga këto dy vende, këtë vit kanë mbërritur mbi 28 mijë persona, duke përbërë gati gjysmën e totalit të mbërritjeve. Gjithashtu, në këtë skemë do të përfshihen edhe shtetasit tunizianë dhe marokenë, të cilët mund të riatdhesohen shpejt sipas këtyre procedurave të përshpejtuara.

Plani i Ministrisë së Brendshme italiane (Viminales) parashikon që shumica, në mos të gjitha 1.100 vendet e qendrës së Gjadrit, të mbushen me një qarkullim të shpejtë emigrantësh. Kjo është e mundur pasi procedurat e përshpejtuara kufitare parashikojnë riatdhesimin brenda një muaji. Ministria beson se, me rregullat e reja të Bashkimit Evropian, emigrantët nuk do të mund të përdorin më apelimet automatike për të shmangur qëndrimin në qendër dhe për t’u rikthyer në Itali gjatë pritjes së vendimit përfundimtar të gjykatës. Ndër normat e miratuara në Këshillin e BE-së është edhe heqja e pezullimit automatik të riatdhesimit në rast ankimi. Emigranti mund të paraqesë apel, por riatdhesimi do të kryhet, përveçse nëse gjykata vendos shprehimisht të pezullojë urdhrin e dëbimit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ministri italian i Drejtësisë, Carlo Nordio, e ka cilësuar këtë paketë rregullash si një hap thelbësor drejt qartësimit juridik. Ai theksoi se vendimet e pritshme të trilogut do të eliminojnë çdo paqartësi gjyqësore dhe do të forcojnë zbatimin e procedurave. Qeveria italiane po përgatitet të riaktivizojë mekanizmin e dërgimit të emigrantëve në Shqipëri, e bindur se lista e re evropiane e vendeve të sigurta adreson të gjitha kundërshtimet e ngritura më herët nga gjykatat italiane. Aktualisht, qendra e Gjadrit, e cila është thelbi i të ashtuquajturit “model Shqipëria”, ka mbetur kryesisht e zbrazët. Kjo situatë është kritikuar nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane, e cila e ka cilësuar atë si “në kufijtë e demokracisë”.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?