Rikthimi i Duty Free Shop, ‘simbolit’ të kontrabandës?!

Para më shumë se një dekade, me urdhër të Fondit Monetar Ndërkombëtar ato u mbyllën në të gjitha pikat doganore dhe kufitare të vendit. Konkretisht, në kohën e ish-qeverisë “Nano”, kur Kuvendi i atëhershëm miratoi me shumicë votash projektligjin e posaçëm për kufizimin e tyre dhe lënien e vetëm një “Duty Free Shop” në aeroportin e Rinasit. Një iniciativë kjo e cila në ato vite u ndoq edhe nga vendet fqinje, si Mali i Zi apo Maqedonia. Por sot, dyqane të tilla në Shqipëri po kërkohet që të rihapen sërish në pikat e lartpërmendura dhe çudia qëndron pikërisht në faktin se është sërish një qeveri socialiste që po e kërkon këtë. Kur në fakt, në vitin 2012, kërkoi kufizimin e tyre. Fjala është pikërisht për dyqanet e llojit “Duty Free Shop”, të cilët jo rrallë janë etiketuar edhe si ‘simboli’ i kontrabandës, vetëm e vetëm për faktin pasi përjashtohen nga taksimi. Teksa nga mjaft qeveri ndër vite, ajo janë përdorur edhe si justifikim për mosrealizimin e të ardhurave doganore. Për të mos thënë se janë konsideruar edhe si rrënjë të krijimit të të gjitha gropave të zeza financiare në sektorin doganor. Shumë vite kaluan sakaq pa praninë e tyre në pikat doganore dhe ato kufitare, porse tani çuditërisht, ministria e Financave harton një ligj të ri duke kërkuar rihapjen e tyre. Argumenti? Do të ndihmojnë në shtimin e konkurrencës dhe liberalizimit të shërbimit që ato ofrojnë. Teksa vite më parë, FMN-ja vetëm për të siguruar moshapjen e tyre shtyu firmosjen e marrëveshjes për huazimin e një kredie prej 30 milionë dollarësh për një periudhë 7-vjeçare. Dhe ajo që nuk kuptohet mirë në këtë situatë është se çfarë ka ndryshuar. A mos vallë një “Duty Free Shop” nuk është më një simbol kontrabande?! Vetë ministri aktual i Financave, Shkëlqim Cani, dje në kominisonin parlamentar të Ekonomisë, duke prezantuar ndryshimet në Kodin Doganor, ka pohuar se  kërkesa për këtë ka ardhur nga vetë biznesi, ndërkohë që akoma nuk është marrë vendimi nëse do të jetë koncension apo leje ushtrimi të aktivitetit. "Ne synojmë prishjen e monopolit dhe krijimin e hapësirave të reja për konkurrencë për këtë biznes. Vetëm në një janë të çliruar nga taksat, vetëm në aeroporte. Ideja është të zgjerohet gama e këtyre magazinave doganore, apo duty free shop dhe në disa pika kufitare tokësore, detare", tha Cani. Madje sipas tij, prania e tyre e shtuar e njësive tregtare të çliruara nga taksat, ose Duty Free Shop, do të shtojë edhe praninë e valutës së huaj në vend. E në këtë vazhdë argumenti, ai mbrojti edhe idenë se ato do t’i shërbejnë më tepër sektorit të turizmit në vend, pasi të huajt do të kenë mundësi të blejnë mallra pa taksa. Por kjo nismë e qeverisë është kundërshtuar nga opozita, teksa ish-­ministri i Financave, Ridvan Bode, u shpreh se qeveria ka rënë pre e presioneve klienteliste për hapjen e tyre dhe se kjo do të rrisë sipas tij nivelin e kontrabandës. Kurse deputeti demokrat, Sherefedin Shehu, do deklaronte se këto në vetvete janë ndryshime klienteliste dhe se rrisin qarkullimin e mallrave kontrabande. "Ky amendim është klientelist në vlerësimin tim, prandaj do të thoja unë cilët janë klientët që ju kanë nxitur për të sjellë këtë vendim", u shpreh saktësisht ai. Ndërkaq, është përllogaritur se potenciali për hapjen e dyqaneve pa taksa është për 17 të tillë (të paktën sipas parashikimeve që ka bërë ministria e Financave). Dhe sipas ndryshimeve në Kodin e ri Doganor, çmimi i mallrave në dyqanet "Duty Free Shops" do të përfshijë një normë fitimi për shitësin dhe normalisht, çmimi i këtij malli do të jetë më i ulët se në rastin e shitjes së tij në një dyqan me taksa.

 

 

 

RETROSPEKTIVË

 

 2012, qeveria “Nano”

ligj për mbylljen e tyre

 

Qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri Fatos Nano miratoi projektigjin "Për një ndryshim në ligjin nr. 8449, të datës 27.01.1999, për Kodin Doganor”, i cili konsistonte në kufizimin e mundësive ligjore për dhënien e autorizimeve nga ministri i Financave, për hapjen e "Duty Free Shops", (dyqanet e çliruara nga taksat), në zonat doganore portuale dhe në ato tokësore (kufitare), duke përcaktuar vetëm zonën doganore të aeroporteve, si hapësira të lejuara për ushtrimin e veprimtarisë së "Duty Free Shops". Ku miratimi i këtij ndryshimi dhe shtese në ligj, argumentohej atëherë se do të sillte efekte pozitive për të mos lënë hapësira për abuzime të mundshme dhe njëkohësisht do lehtësojë mbikqyrjen doganore dhe do të përqendrojë më mirë përpjekjet e autoriteteve doganore për mbajtjen nën kontroll të kësaj zone doganore ku do të jenë të hapura "Duty Free Shops". 

 

                                                ***

2013, Kuvendi voton

ligjin dhe i mbyll ato

 

Me shumicë votash, Kuvendi ka miratuar projektligjin e  qeverisë “Nano” për mbylljen e dyqaneve të kufirit, Duty Free Shop. Ku nga të gjitha dyqanet e tilla që ekzistonin deri atëherë, ka shpëtuar vetëm Duty Free Shop në Rinas, si një dyqan i cilësuar si i nevojshëm në aeroportin e vetëm shqiptar. Edhe vetë opozita e atëherëshme, e cila rezulton në fakt të jetë ajo e sotmja, ka deklaruar pas miratimit të projektligjit per Duty Free Shop-et se edhe deputetët e saj ishte kundër ekzistencës së tyre.

Por atëherë e argumentuan një dukuri të tillë me faktin se ata donin mbi të gjitha të mbylleshin magazinat doganore, duke akuzuar mjaft politikanë socialistë të asaj periudhe se dispononin shumë prej tyre. Dhe se dëmi më i madh fiskal realizohet brenda tyre dhe është më i vogël në Duty Free Shop-e.

 

 

 

 

 

NDRYSHIMET

 

Ç’parashikon ligji i ri?

 

QËLLIMI

Synohet të zgjerohet gama e magazinave doganore të llojit “dyqane të çliruara nga taksat” (duty free shops), duke parashikuar mundësinë e krijimit të këtyre dyqaneve edhe në pikat kufitare tokësore dhe detare.

 

SHTRIRJA

Ministri i Financave mund të autorizojë hapjen e “duty free shops”, (dyqane të çliruara nga taksat) në porte, aeroporte dhe pikat kufitare tokësore që ndodhen në zonën doganore të territorit doganor të Republikës së Shqipërisë, për shitjen e produkteve me përjashtim nga detyrimet e importit. Formalitetet dhe procedurat që ndiqen në këto raste përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.

 

 

PËRPARËSITË

 

Disa prej përparësive kryesore të dyqaneve “duty free shops” në pika kufitare dhe porte, krahas atyre në aeroporte, janë, si më poshtë vijon:

 

– Blerjet që kryhen në territorin doganor të huaj mund të kryhen në territorin shqiptar. Kjo ndikon në mbajtjen e valutës së huaj në vend apo qarkullimin e monedhës brenda vendit, duke ndikuar në fuqinë e operatorëve ekonomikë që shërbejnë në pikat kufitare, si dhe ndihmon ekonomitë lokale;

 

– Rritet fuqia konkurruese e pikave kufitare, tokësore, aeroport/eve dhe porteve shqiptare në krahasim me aeroportet dhe portet evropiane, ose ato fqinje, sipas rastit. Kjo mund të shoqërohet me kthimin e tyre në pika kyçe (hubs) për destinacione të tjera dhe qendra tërheqëse për turistë;

 

– Përforcohet faktori “turizëm”. Është vërtetuar se turizmi pëson një rritje të madhe në vende ku mund të blesh mallra pa taksa, sidomos nëse në këtë skemë përfshihen mallrat e luksit (orët, çantat, këpucët e markës etj.);

 

– Imazhi i vendit përafrohet me atë të vendeve të zhvilluara, pasi dyqanet “duty free shops” janë dëshmi e zhvillimit tregtar dhe standardeve që zbatohen në atë vend.

 

– Autorizimi i dyqaneve “duty free shops” në pika të ndryshme kufitare, tokësore, detare dhe ajrore shmang monopolizimin e këtij lloj shërbimi, rrit konkurrueshmërinë dhe interesin e operatorëve që do t’u jepte kjo e drejtë për të zbatuar standarde të larta, nxit transparencën dhe krijon mundësinë e tërheqjes në Shqipëri të investitorëve të huaj seriozë, me përvojë dhe me reputacion në këtë fushë;

 

– Në rastin kur “duty free shops” mund të vendosen në dalje të pikës kufitare, përpara hyrjes në territorin shqiptar, avantazhet janë edhe më të mëdha, lidhur me praktikat e kontrollit të pikave kufitare, në rastin kur mund t’i blesh mallrat pa taksa në dalje.

 

– Mallrat e blera në mbërritje nuk do të kenë nevojë të kontrollohen nga strukturat e kontrollit të pikave kufitare;

 

–  Krijohen vende të reja pune;

 

– Rriten të ardhurat e aeroporteve dhe të porteve. Një pjesë e këtyre të ardhurave do të investohen për përmirësimin e infrastrukturës të tyre;

 

– Çmimi i mallrave në dyqanet “duty free shops” do të përfshijë një normë fitimi për shitësin dhe, normalisht, çmimi i këtij malli do të jetë më i ulët se në rastin e shitjes së tij në një dyqan jo “duty free shops”;

 

– Rriten të ardhurat nga tatim-fitimi për shkak të rritjes së volumit të shitjeve, rritje e cila synohet edhe duke krijuar kushtet e afrimit të investitorëve të huaj seriozë, si kusht paraprak për zhvillimin e këtij tregu.

 

 

 

SHKARKO APP