Risqet nga mosregjistrimi dhe regjistrimi i vonuar i pronave publike

“Në kuadrin e modernizimit, KLSH ka marrë masa ristrukturuese brenda vetë institucionit, masa që lidhen me krijimin e vënien në efiçiencë të një departamenti të ri, Departamentit  të Auditimit të Administrimit të Aseteve, Kontrollit të Territorit dhe Mbrojtjes së Mjedisit dhe ka përsosur e përmirësuar programet e auditimit”…

Nga Alush Zaçe dhe Selfo Zeneli*

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në Konferencën e IV Shkencore me temë “Analiza e Riskut”, mbajtur me 20-22 Qershor 2016, ndërmjet të tjerash, rëndësi të veçantë i kushtoi edhe identifikimit të risqeve që rrjedhin në administrimin dhe menaxhimin e pronave publike aseteve, burimeve natyrore dhe kontrollin e territorit dhe domosdoshmërisë së përsosjes së auditimeve lidhur me identifikimin, evidentimin, matjen dhe masave për eliminimin e riskut të vënies nën administrim e efiçiencë dhe përdorimit me ekonomicitet e me efektivitet të tyre.  Në zbatim të objektivave të paraqitura në Parlament nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Bujar Leskaj, në marrjen e mandatit, si dhe nisur nga eksperienca 5- vjeçare e auditimeve të kryera në këtë fushë, Institucioni i KLSH-së tashmë zotëron një dijeni të plotë, shprehur me kapacitete audituese të mjaftueshme, të specializuara dhe në përsosje, me një problematikë të identifikuar dhe me një “Hartë“ të shtrirjes së auditimit, si dhe me një tërësi masash për menaxhimin e grup-risqeve të këtij lloji.

Në kuadrin e modernizimit, KLSH ka marrë masa ristrukturuese brenda vetë institucionit, masa që lidhen me krijimin e vënien në efiçiencë të një departamenti të ri, Departamentit  të Auditimit të Administrimit të Aseteve, Kontrollit të Territorit dhe Mbrojtjes së Mjedisit dhe ka përsosur e përmirësuar programet e auditimit, kryesisht duke përfshirë e trajtuar auditimin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme publike. Këto masa synojnë në radhë të parë eliminimin e riskut brenda vetë institucionit dhe të riskut për subjektet që auditohen në këto fusha.  Një ndër grup-risqet e evidentuara është risku nga mosregjistrimi dhe regjistrimi i vonuar i pronave publike. Këto risqe janë të lidhura me faktin që regjistrimi i pronave publike është hapi i parë dhe kusht i domosdoshëm, që identifikon nga pikëpamja juridike pronarin dhe është parakusht që pronarit përfaqësues të Qeverisjes Qendrore apo të Qeverisjes Vendore t’i jepet mundësia e marrjes dhe vënies nën administrim, në menaxhim dhe efiçiencë përdorimi të pasurisë apo asetit publik.

Lidhur me riskun e mosregjistrimit dhe vonesës në regjistrim, në përfundim të auditimeve KLSH ka rekomanduar dhe kërkuar nga subjektet e audituara, të marrin masa të shpejtojnë procesin e kryerjes së regjistrimeve të pasurive publike dhe të përcaktojnë e parashikojnë në buxhetet e tyre fondet përkatëse të nevojshme për mbulimin e shpenzimeve të tarifës së regjistrimit dhe të shpenzimeve për përgatitjen e dokumentacionit si harta, plane rilevimi, etj.

Nga eksperienca e përfituar në auditime është konstatuar se ky risk është i lidhur me veprime dhe mosveprime të ndërmarra nga subjektet dhe që prek objekte, elementë pasurorë, asete, burime natyrore të shtrira në territoret përkatëse të pothuajse të gjithë entiteteve.

Kështu, është konstatuar mosregjistrim apo vonesa në regjistrim i pronave dhe pasurive të paluajtshme, që rrjedh nga ndërprerjet dhe ecuria e ngadaltë e procesit të transferimit të pronave, mosmarrja e hapave të duhur ligjorë e në kohë, vonesa në procedurat e vendimmarrjes gjatë procesit të transferimit të Pronave Publike tek Njësitë e Qeverisjes Vendore (NJQV) dhe gjatë procesit të Kthimit dhe Kompensimit Fizik të Pronave tek pronarët.

Janë konstatuar mosregjistrime, vonesa në procedurat e shpronësimit për interesa publike të pronave publike, pasurive të përfituara nga investimet shtetërore në ndërtim rrugësh e autostradash, aeroporte etj., sipas ligjit përkatës të shpronësimit për interes publik dhe akteve nënligjore përkatës, pasuritë, asetet, objektet pasurorë, burimet natyrore dhe territoret që kërcënohen nga këto rreziqe. Janë evidentuar si ende të paregjistruara dhe me pronar të paidentifikuar (Shtetin apo Entitete e përfaqësues shtetëror që i kanë nën administrim), por të paregjistruara, pra pa zotëruar dokumentin e pronësisë (certifikatën), pa titullin ligjor të pronësisë, për shkak të mos regjistrimit: -Pasuritë, asetet, objektet pasuri e paluajtshme të ndodhura në procesin e transferimit, si gjatë identifikimit, inventarizimit dhe hartimit të listave paraprake dhe pasuritë e transferuara te NJQV-të (ish komunat dhe bashkitë), sipas vendimeve përkatëse dhe që aktualisht i përkasin vetëm Bashkive, pas kryerjes së Reformës Administrative Territoriale të Pushtetit Vendor;

-Pasuritë, asetet, objektet pasuri e paluajtshme të ndodhura në procesin e transferimit nga shtetëzimet për interesa publike gjatë procesit dhe pas përfundimit të kryerjes së investimit publik;

-Pasuritë, asetet, objektet pasuri e paluajtshme, të transferuara, sidomos ato me funksion social dhe kulturor, si ish-shkolla, ish-Qendra shëndetësore, fushat e sportit, objektet me funksion mbrojtës civil, trojet të ndodhura në juridiksion territorial të NJQV-ve dhe objektet përkatës;

-Pasuritë, asetet, objektet pasuri e paluajtshme me funksion zhvillimi bujqësor, të transferuara në NJQV-të, në Bordet e Ujitjes dhe Kullimit (edhe këto së fundi të transferuara në Bashkitë), si rezervuarët, ujëmbledhësit me aksesoret përkatës, digat, skemat ujitëse, sifonet, stacionet e pompave, nyjet dhe pikat e shpërndarjes së ujit, etj;

-Pasuritë, asetet, objektet pasuri e paluajtshme të llojit “Pyje Kullota” së bashku me aksesoret përkatës dhe asetet Florë e Faunë, të transferuara në pronësi sipas ligjit dhe akteve nënligjore dhe të shtrira në juridiksion territorial, burimet natyrore të shtrira në territorin e NJQV-ve dhe territorin e gjithë vendit.

KLSH, nga auditimet e kryera në disa Zyra Vendore Regjistrimi të Pasurive të Paluajtshme, ka konstatuar se disa NJQV dhe Institucione Shtetërore kanë kryer regjistrime “selektive”, të pjesshme, për lloje pronash të veçanta me synime të rastit, për të realizuar një kontratë qiraje, apo arsye të tjera dhe jo për arsye të përmbushjes së detyrimit ligjor të regjistrimit të gjithë pasurive dhe të pajisjes me dokumentin e dhënies së formës së plotë juridike të titujve të pronësisë mbi pasuritë në zotërim dhe të transferuara nga shteti.

Gjithashtu, në disa auditime, KLSH ka konstatuar fenomene të vonesës dhe zgjatjes së ecurisë së procesit të shtetëzimit, lidhur me identifikimin e pasurive, me përdorimin në kohë të fondit të vënë në dispozicion për likuidimin e vlerës së pronës së shtetëzuar, që kanë sjellë si pasojë vonesa prej disa vjetësh të përfundimit të procesit të shtetëzimit dhe mosregjistrime e regjistrime të pjesshme të pronave publike të përfituara nga procesi i shtetëzimit, ndër të cilët mund të përmendim:

 -Autoriteti i Aviacionit Civil, për regjistrimin e pasurive të shpronësuara që i përkasin Aeroportit të Kukësit, megjithë vonesën prej 11 vjet nga hyrja në fuqi e VKM nr. 95, datë 20.02.2004 “Për shpronësimin për interes Publik të Pasurive të Paluajtshme që preken nga ndërtimi i Aeroportit të Kukësit dhe rrugëve të reja të tij”dhe  VKM nr. 892, datë 22.12.2004 “Për plotësimin e dokumentacionit të Pronësisë mbi tokën që zihet nga Aeroporti i Kukësit” nuk ka regjistruar e kaluar pronësi shtet 331,098 m2 truall përfituar nga shtetëzimi (përfshirë pjesën historike përbërë nga 1821 m2 truall dhe 771 m2 sipërfaqe objektesh) dhe nuk ka regjistruar objektet ndërtimore të Aeroportit, të përfunduara prej disa vitesh. Duhet theksuar se kjo pasuri aktualisht është objekt i marrëveshjes për vënien në efiçiencë të aeroportit, marrëveshje e cila do të kushtëzohet nga procesi i vonuar dhe i papërfunduar i regjistrimit të pasurisë “shtet”.

Për këtë, KLSH pas përfundimit të auditimit ka rekomanduar masat për regjistrimin e pasurive e përfundimin e procesit të shpronësimit dhe për keqpërdorimin e fondeve të shpronësimit, ka rekomanduar masat përkatëse zhdëmtuese dhe masat për vënien para përgjegjësisë të personave përkatës.

– Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), për Autostradën Durrës – Morinë, segmentin Kalimash Morinë, lidhur me shpronësimin e vonuar, ka konstatuar zvarritje të procedurave për vendimmarrjen, mospërcaktimin e hartës së gjurmës së kalimit të rrugës, identifikimin e sipërfaqeve të 593 pasurive private objekt shpronësimi dhe kalimin në pronësi shtet (vonesë e cila vazhdon edhe pas konfirmimit nga ZVRPP për gjendjen juridike të pasurive) dhe mungesën e informacionit për ecurinë e procesit të shpronësimit dhe të regjistrimit të 135 pasurive me sipërfaqe 794,513 m2 nga pasuri private në pasuri “shtet” në administrim të ARRSH-së, si dhe të 15 pasurive me sipërfaqe 471,355 m2 nga pronë e Institucioneve Shtetërore dhe Njësive të Qeverisjes Vendore në pronësi te ARRSH-së.

Për këtë, pas përfundimit të auditimit, KLSH ka rekomanduar për ZVRPP Kukës dhe ARRSH të marrin masa dhe në bashkëpunim të hartojnë listat përfundimtare mbi konfirmimin e gjendjen juridike të pasurive të segmentit të rrugës Kalimash-Morinë, për caktimin e fondit të shpronësimit për shpërblimin e pronarëve si dhe kryerjen e inventarizimit regjistrimin të pasurisë “shtet” të sipërfaqes së truallit të segmentit “Kalimash-Morinë” në përgjegjësi administrimi të ARRSH-së.

Zbatimi i këtyre rekomandimeve nga subjektet e audituara do të krijonte mundësinë e marrjes dhe vënies nën administrim, në menaxhim dhe efiçiencë përdorimi të pasurisë apo asetit publik, burimit natyror të çfarëdo lloji pasurie të paluajtshme dhe jep mundësinë të parashikojë, mobilizojë fondet përkatëse për vënien në efiçiencë të pronës, me synim krijim të ardhurash përdorimi apo krijim kushtesh për përmbushjen e funksioneve, por në veçanti krijon mundësinë e ruajtjes së pronës nga përdorimi pa titull pronësie e në mënyrë të paligjshme nga persona të tretë.

*Alush Zaçe është Drejtor i Departamentit të Auditimit të Administrimit të Aseteve, Kontrollit të Territorit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Kontrollin e Lartë të Shtetit. Selfo Zeneli është Kryeauditues në këtë departament

SHKARKO APP