Rivali i Manastirliut për Tiranën? Berisha: PD ka disa kandidatura, dalim me një emër opozitar
Kush do të jetë kandidati i PD-së që do të garojë përballë Ogerta Manastirliut nga PS-ja për Bashkinë e Tiranës? Sali Berisha këtë të hënë nga selia blu, ndër të tjera për gazetarët tha se nuk është i autorizuar për të nxjerrë emra, por nënvizoi se PD ka disa emra potencialë, të cilët janë shumë herë më të mirë se sa ish-ministrja e Shëndetësisë dhe Arsimit. Në vijim Berisha sqaroi se PD po punon për të hyrë në koalicion në këto zgjedhje të pjesshme, madje duke lënë të hapur mundësin e kandidimit të një emri nga aleatët opozitarë.
”Janë dy momente të rëndësishme. Së pari, PD do të bëjë përpjekje të hyjë me koalicion. Ne do përpiqemi të rakordojmë, biem në ujdi në bashkëpunim me ato parti që ndihen opozitare. Aty pastaj, sigurisht, debati do të jetë për kandidaturat. Ne nuk themi që o kandidatura jonë o nuk ka koalicion me ne. Secili është i vetëdijshëm që zë kryesor për përzgjedhjen do të jetë PD. Prandaj dhe pasi të ulemi me aleatët dhe partitë opozitare të tjera, aleatë në tërësi, të debatohet, të diskutohet, do të ua japim kandidatin. PD ka jo një, por disa kandidat të shkëlqyer, brenda, jashtë kudo. Nuk kemi asnjë problem”, deklaroi kreu i PD.
Duke e cilësuar situatën si një betejë në vazhdim, Sali Berisha njoftoi se opozita do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm institucionalë për të kundërshtuar atë që e quan shkelje të kushtetutës. ”Ne do të insistojmë me të gjitha mënyrat. Është bërë një vendim që të kërkohet një mocion mosbesimi për Peleshin e Ramës dhe do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese. Tani unë u garantoj ju se protesta dhe vetëm protesta është rruga e vetme që ka opozita për t’i imponuar këtij narkoregjimi ligjin dhe Kushtetutën”, tha Berisha.
KOHA JONË SONDAZH

