Roli i Rusisë së Putinit dhe rëndësia e ekuilibrit
Nga Alessandro Catto
Rusia e Putinit, në një situatë gjeopolitike të vështirë për t’u analizuar, tërheq nga vetja kritika dhe shpresa. Kritika nga ata që e gjykojnë një bastion të konservatorizmit dhe agresivitetit, apo ata që vazhdojnë të shohin tek ajo rrezikun që trembi aq shumë Perëndimin nga paslufta e dytë e këtej. Shpresa për ata që besojnë në funksionin e saj si bllok kundërpeshë, ekuilibruesi politik, poli alternativ ndaj udhëheqjes së botës prej SHBA dhe BE.
Që ekuilibrat sa u përket preferencave, kanë ndryshuar në krahasim me disa dekada më parë, kjo është e dukshme: mjafton që të mendosh që ndër anëtarët më të zjarrtë të bllokut të parë, mes antiputinianëve më të thekur, gjejmë atë qendër të majtë europiane, e cila deri disa vite më parë shihte nga Lindja me sytë e një të dashuruari. Sot, ata sy shohin nga Brukseli dhe nga Uashingtoni obamian, shpesh herë me integralizmin e kohëve të dikurshme. Një qendër e majtë që nuk nguron të mbështesë operacione që shiten si humanitarë, por që fshehin në fakt projekte të caktuar dhe shumë të njohur, si në rastin e Libisë së Gedafit dhe kohët e fundit, luftën civile në Siri. Pozicione shpesh herë në dakordësi me një politikë të jashtme që vjen prej së largu dhe është e detyrueshme për të gjithë.
Gazeta dhe media gjithmonë të gatshme të lëshojnë apele të përzemërt kundër këtij apo atij kreu shteti, fajtor se nuk gjunjëzohet para politikës së jashtme made in USA të viteve të fundit. Mjafton të shohësh, në këtë kuptim, sjelljen kundrejt Sirisë së Assadit, të atyre që kërkonin një zëvendësim të dhunshëm të fshehur nën ndërhyrjen humanitare, të një udhëheqësi të harruar në Itali dhe në Europë, ashtu si ishte i harruar në kohën e tij edhe Gedafi, por me vetëm një dallim mes dy historive: pikërisht roli i luajtur nga Rusia e Putinit.
Udhëheqësi nga Shën Petërsburgu ka luajtur në fakt një rol themelor në shmangien e ndërhyrjes së sipërpërmendur në Lindjen e Mesme, dhe në një situatë të vështirë dhe komplekse ka bërë kujdes që qeverisë legjitime siriane të mos i mungonte e gjithë mbështetja e nevojshme diplomatike. Një pikë e rëndësishme në një ekuilibër politik ku forcat islamiste, të bashkuara në funksionin antiAssad, gjenden përballë një rezistence kompakte. Eshtë ky portreti i një roli, atij rus, që bëhet i domosdoshëm dhe që, ndonëse i ndikuar prej mundimeve politikë të 20 viteve të fundit, mbetet gjithnjë i njëjti: ai i garantit të ekuilibrit, në një skenar me blloqe të kundërvënë mes tyre, që duket se është ringritur në këmbë pas epopesë Jelsiniane. Dhe pikërisht në të majtë, kjo hipotezë hidhet poshtë si negative, një e majtë që duket se jeton me klishe, e cila prej njëzetë vitesh duket se “këndon” me më të keqen e retorikës “së mirë” dhe internacionaliste që mund të ekzistojë, me ndërtimin e urave dhe jo mureve, me rrëzimin e çfarëdolloj kufiri dhe me të gjithë repertorin e diktaturës kulturore të salloneve, madje duke e përshkruar Bashkimin Sovjetik si një parajsë të lirisë dhe mikpritjes, ndryshe nga, me sa duket sipas pikëpamjes së tyre, Rusia e sotme. Në të vërtetë, roli ka mbetur pothuajse i njëjti, ashtu sikurse dhe rëndësia themelore në skakierën politike. Dhe nuk ka nevojë të jesh gjeni për të kuptuar se kush e identifikon BRSS si një parajsë të të drejtave dhe sheh tek Putini monstrën reaksionare dhe homofobe, fajtor se ka tradhëtuar pikërisht BRSS-në, jeton në një oborr imagjinar, mbushur me shpresa dhe hipokrizi të kultivuara në mënyrë të përditshme. E vërteta është se pa Rusinë e sotme, nuk do të kishte kundërvënie ndaj fatkeqësive të ngjashme me atë libiane dhe do të mungonte një alternativë reale gjeopolitike.
Ekuilibrimi nevojitet, ashtu sikurse nevojiten sisteme të ndryshëm. “Muret” aq shumë të kritikuar, që nuk është aq në modë të mbrohen, mund të jenë në mënyrë metaforike një shans në shumë drejtime, duke qenë se e pasurojnë botën duke e bërë policentrike, ndihmojnë për të ndërtuar alternative dhe lejojnë të ndalet ajo kanosja gjeopolitike që sot, më shumë se kurrë, rreizkon shumë skenarë politikë. Rusia e Putinit sot rizbulon një frymë kombëtare që dukej e mbytur, rizbulon spiritualitetin dhe traditën, paguan pozicionin e saj të sfiduesit. Paguan pozicionin e rezistencës që sot e dallon, paguan kanosjen e një klase politike dhe drejtuese italiane që reshtohet gjithmonë me më të fortin, radha e parë e të cilës sheh gjithmonë përmes syve të mësuesit Obama, ose më saktë asaj qendre të majtë e cila është gjithmonë e më e vetësigurtë. Ashtu sikurse dje Fjala vinte nga Moska, sot vjen nga Uashingtoni. Me një ndryshim drejtimi çarmatosës, për nga shpejtësia dhe hipokrizia, kemi parë metamorfozën e atyre që jetojnë gjithmonë me importe ideologjike dhe kulturorë. Fjala kyç është gjithmonë e njëjta: homologizimi.
Pikërisht sepse kjo nuk është e dëshirueshme dhe nuk është as më e tolerueshme gjetkë, atëherë mirëseardhtë Rusia. Mirë se të vijnë alternativat dhe mirë se të vijë një botë e ekuilibruar, ku ekziston ende një mundësi reagimi dhe një ideal alternativë. /Il Giornale/
bota.al