Ronaldo mes pilotëve Hamilton e Marquez , kandidiatë për çmimin Laures
Mes favoritëve për të fituar çmimin Laureus, si sportisti më i mirë i vitit janë Cristiano Ronaldo, piloti dhe kampioni i Formula 1, Leëis Hamilton, dhe Marc Marquez por këtë vit sipas të gjitha gjasave trofeu do të shkojë në duart e francezit Renuad Lavillenie. Ky i fundit bëri një gjë të jashtëzakonshme në garat e kërcimit me shkop gjatë vitit 2014, teksa në sallat e mbyllura arriti të thyente rekordin absolut të ukrainasit Sergei Bubka që mbizotëronte prej 21 vjetësh duke kërcyer 6 metra e 16 centimetra. Gjithsesi në mbrëmjen gala të çmimeve Laures, që do të zhvillohet në Shangai nuk do të vlerësohet vetëm sportisti më i mirë i vitit, pasi do të jepen edhe shumë çmime të tjera. Kështu për zbulimin e vitit në sport do të garojnë mes tyre emra të tillë si Daniel Ricciardo, që fitoi tre gara në Botërorin e fundit të Formula 1, James Rodriguez, që spikati me Kolumbinë në Kupën e Botës, Mario Gotze që me golin e tij ndaj Argjentinës ngjiti Gjermaninë në majën e botës, apo edhe Marin Cilic që triumfoi në US Open.
Çmimi Laureus për skuadrën më të mirë të vitit do të diskutohet mes kombëtares gjermane të futbollit, Realit të Madridit, kampionëve të NBA, San Antonio Spurs, Mercedesit që u shpall kampione bote në Formula 1, dhe kombëtares së Zvicrës në tenis, që fitoi Kupën Davis. Ndërkohë që për sportisten më të mirë janë nominuar atletja Valerie Adams, skiatorja Martin Bjorgen, atletja Genzebe Dibaba, skiatorja tjetër Tina Maze si dhe dy tenistet Li Na dhe Serena Williams me amerikanen fituesen më të fundit në Australian Open që është ndjeshëm favorite në këtë garë.