Roza Anagnosti, zonja e hirshme dhe shpirti i bukur i një Epoke të Artë

Nga Albert Vataj
Sot, Roza Anagnosti mbush 82 vjeç, një moshë që në rastin e saj nuk matet me vite, por me dritë. Me dritën që ajo solli në ekran, në skenë, në kujtesën dhe ndjesinë kolektive të artit shqiptar, të atij arti, i cili pavarësisht trysnisë ideologjike dhe diktatit të mbikqyrjes, mbeti i madh, sepse u mëkua nga shpirtra të mëdhenj dhe pasione të fuqishme.
Roza është një nga ato figura të rralla që nuk luajnë role, por i bëri ato të jenë jeta e saj. Ajo hyri në çdo personazh me praninë e saj të plotë shpirtërore, duke e shkrirë veten në karakteret që solli në kinemanë shqiptare. Rolet e saj nuk ishin thjesht krijime artistike, por gjendje njerëzore që ajo i jetoi me përkushtim, me përvujtëri dhe me atë finesë të pashoqe që e bën aktoren e madhe të mos interpretojë, por të rrëfejë vetë njeriun.
Ajo nuk e përfaqësoi vetëm gruan shqiptare në periudha të ndryshme të historisë sonë, por e sublimoi atë, në forcë, ndjenjë dhe dinjitet, në qëndresë dhe integritet, në dashuri dhe përulësi, në heshtje që flasin dhe në buzëqeshje që dhimbjen e kthejnë në dritë. Nëpërmjet saj, gruaja shqiptare mori zë, formë dhe frymë.
Nga mësuesja në “Detyrë e posaçme” (1963), te Filja në “Toka jonë” (1964), Rudina në “Komisari i dritës” (1966), Vera në “Plagë të vjetra” (1968), Arta në “Ndërgjegja” (1972), apo edukatorja në “Qyteti më i ri në botë” (1974), ajo vizatoi me mjeshtëri të rrallë një mozaik ndjenjash e karakteresh. Me një thjeshtësi mbretërore, Roza i dhuroi secilit rol frymë, shpirt dhe aromë njerëzore, duke përputhur brenda tyre thelbin e vetes së saj, gruan e urtë, të vendosur, të dashur dhe të ndershme.
Sa më shumë që ajo u bë pjesë e filmit shqiptar, aq më shumë u pasurua vetë historia e tij. Në çdo paraqitje, ajo solli një cilësi të re ndjenje e komunikimi, një thellësi që i jepte jetës kuptim përmes artit. Në “Në shtëpinë tonë” (1979), si mësuesja e përkushtuar, ajo mishëronte moralin dhe kujdesin e kohës. Në “Mësonjtorja” (1979), si Dafina, ajo u shndërrua në simbol të fisnikërisë së heshtur, një shkëlqim që mbetet vezullim edhe sot. Bardha në “Dita e parë e emrimit” (1981), personazhet e “Rrugës së lirisë” (1982), Mrika në “Besa e kuqe” (1982), Luli në “Taulanti kërkon një motër” (1984), janë faqe të një albumi të artë ku secili rol bart dritën e shpirtit të saj.
Rrugëtimi i saj artistik vijoi me përkushtim e dinjitet, duke skalitur në kujtesën e filmit shqiptar figura të paharruara: në “Vrasje në gjueti” (1987), në “Familja ime” (1987), si doktoreshë Besmira Haxhiraj në “Botë e padukshme” (1987), si Adelina, gruaja e Emilit, në “Rikonstruksioni” (1987), apo si nëna që ka humbur vajzën në “Kthimi i ushtrisë së vdekur” (1989), sipas romanit të Ismail Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Në këto role, ajo e shndërroi dhimbjen në poezi, dramën në dëshmi, ndjenjën në kujtesë. Çdo personazh i saj kishte një thellësi që buronte nga përjetimi, nga përkushtimi i një artisteje që dinte të rrinte në dritë pa e kërkuar atë.
Drita në “Vetmi” (1990), “Valsit të Titanikut” (1990), dhe më vonë në rolin e nënës së Abazit te një nga veprat monumentale të kinematografisë sonë, “Gjoleka, djali i Abazit” (2006), përbëjnë kulme të një jete të shenjtëruar artit.
Në çdo etapë, Roza Anagnosti nuk ndryshoi, ajo u rrit në thellësi. E bukura e saj u bë përmbajtje, drita e saj u bë kujtesë. Me një përulësi të rrallë, ajo i dha kinemasë shqiptare jo vetëm artin e interpretimit, por edhe artin e qëndresës dhe të fisnikërisë njerëzore.
Në film pas filmi, ajo u bë fytyra e ndjenjës shqiptare, zëri i një kohe që tashmë ka hyrë në legjendë.
Në zërin e saj kishte butësi dhe peshë, në sytë e saj, një dritë që mbante brenda tërë universin e një kohe. Ajo nuk interpretonte, por jetonte rolet. Dhe ndoshta për këtë arsye, pas dekadash, Roza Anagnosti mbetet ende gjallë në kujtesën tonë, jo si një emër, por si një ndjenjë.
Sot, në këtë përvjetor të bukur, ne përulemi me respekt përpara një zonje të artit, një artistjeje që e bëri kinemanë shqiptare më të thellë, më të vërtetë dhe më fisnike.
Foto e rinisë, dëshmimi në celuloid i një kohe pa kthim, aradha e vajzës që sfidoi me talent dhe kumtin interpretues që spikat, janë tërësorja e një kujtese dhe urimi, sot në ditëlindjen e Roza Anagnostit. Vajza që nuk u mjaftua vetëm me privilegjin e natyrës, por kërkoi që këtë lëndë të nyjshme ta shndërronte në formatin e një identiteti artistik, që në kohëpaskohje erdhi duke u kristalizuar për t’u bërë një nga emblemat më fisnike të artit tonë skenik e kinematografik.

Roza ishte dhe mbeti e bukur, jo vetëm në fotografi, por në skenë dhe në jetën e përditshme. Vajzë e dlirë dhe grua e përkorë, aktore e talentuar dhe bashkëshorte e denjë e një regjisori të madh, ajo luftoi, u përpoq, sfidoi dhe arriti. I’u dorëzua artit me shpirt e me mish, duke i dhënë jetës një kuptim të vetëm: të shërbejë përmes interpretimit, përmes përjetësimit të ndjenjave dhe karaktereve që mbetën në kujtesën e një kombi.
Ajo është një hir që koha nuk e zbriti dot nga piedestali, edhe pse vitet kanë rishkruar në dritat e skalitura të frymës portretin e Rozës artiste. Bukuria e saj nuk qëndron vetëm në pamje, por në qëndrimin ndaj jetës, në fisnikërinë e heshtur me të cilën përballoi sfidat, në përulësinë me të cilën e lartësoi artin.

Për një njohje më të thellë të kësaj figure, kam huazuar disa të dhëna dhe rrëfime nga teksti i mikut tim, Xhahid Bushati, botuar në shqiptarja.com më 1 shtator 2019. Ai sjell me ndjesi e kujdes filigranor portretin jetësor të artistes:
Roza Xhuxha – Anagnosti ka lindur më 27 tetor 1943 në Tiranë. I ati, oficer karriere; e ëma, shtëpiake. Pas vitit 1944 familja u vendos në Shkodër, aty ku u rrënjosën kujtimet e fëmijërisë dhe u ngjizën ëndrrat e para. Në këtë qytet Roza përfundoi shkollën fillore e të mesmen, ndërsa që e vogël shquhej për zërin dhe lëvizjen, këngëtare, balerinë, shpirt që kërkonte hapësirë për të shpërthyer. Ajo ishte mirënjohëse për mësuesit e saj të parë: Leonard Deda, Hilë Shahini, Tonin Harapi e Prenkë Jakova, emra që do të përcaktonin përjetësisht shijen e saj për artin dhe disiplinën.

Por rruga e saj nuk qe e lehtë. Dënimi i të atit dhe përjashtimi nga Liceu Artistik e vendosën përballë një realiteti të ashpër. Megjithatë, ajo nuk u dorëzua. Vazhdonte gjimnazin “29 Nëntori” dhe jepte provime me korrespondencë në degën e artit dramatik të Liceut Artistik. Në vitin 1965 u diplomua, duke i dhënë dritë një rruge që do të shndërrohej në legjendë.
Në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ajo shkëlqeu që në fillim. “Kunora e Nurijes” e Kolë Jakovës e bëri të dashur për publikun. Nga ajo ditë, Roza nuk zbriti më nga skena. “Dy binjakët venecianë”, “Trumpetjerja”, “Histori irkutase”, “Këneta”, “Mësuesja”, janë vetëm disa nga rolet që do të vendosnin themelet e një karriere të gjatë e të përkushtuar.

Në film, ndriçimi i saj mori tjetër dimension. “Detyrë e posaçme”, “Toka jonë”, “Ndërgjegjja”, “Plagë të vjetra”, “Nusja dhe shtetari”, “Në shtëpinë tonë”, janë dëshmi të një mjeshtërie që bashkon ndjeshmërinë femërore me fuqinë e karakterit. Ishte në xhirimet e “Tokës sonë” ku Roza u njoh me operatorin Dhimitër Anagnosti, regjisorin që më vonë do të bëhej bashkëudhëtari i saj në jetë dhe në art. Nga ajo bashkim frymor dhe artistik, lindën disa nga perlat e kinemasë shqiptare.
Në çdo rol, Roza shfaqte një thellësi që nuk kërkonte patetikë, një ndjenjë që buronte nga një burim i brendshëm drite. Ajo nuk interpretonte për të fituar duartrokitje, por për të dhuruar emocion, për të bartur kuptim.
Sot, në 82-vjetorin e lindjes së saj, ne përulemi me respekt përpara një figure që mbetet një monument gjallërie, përkushtimi dhe dashurie për artin. Roza Anagnosti është një nga ato emra që nuk i përkasin vetëm kujtesës, por edhe ndjenjës kombëtare. Ajo është shenjë e asaj kohe kur arti ishte akt përkushtimi, jo lavdie.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?