Rrëfimi i Nexhmijes: Si më propozoi Enveri për martesë

“Një ditë, kur Enveri e pa që unë nuk merrja vesh ose bëja sikur, vendosi të flasë vetë. Një ditë vere më tha, po shtrihem të fle, më zgjo në orën 5. Unë shkova ta zgjoj, por ai në fakt nuk kishte fjetur, ndoshta kishte ndenjur për të marrë vendimin e tij. Aty më bëri propozimin për martesë, një propozim aq prozaik, sa nuk e kisha menduar kurrë…”.

Kështu rrëfen gjatë një interviste për “Dritare.net”, Nexhmije Hoxha propozimin e Enver Hoxhës, në një bazë ilegale, në qershor të vitit 1942, në Tiranë.

“Ai, përpara se të më thoshte shprehimisht të dua, më tha tek po bëja kafenë që më kishte kërkuar: ‘Unë dua të martohem me ty’. Unë ngriva, mbeta aty, duke bërë kafenë, e nuk po lëvizja, ndërsa ai më thotë: ‘Po, hë, supë po bën? Ulu këtu se nuk të ha!’, domethënë, u mundua të më shkrifëronte pak. Me kokën ulur, i thashë: ‘Unë nuk martohem gjatë luftës’. ‘Po kush tha që do martohemi në luftë’, tha ai, në fillim do t’u themi miqve, por mendohu mirë, se ti je e re e kemi diferencë moshe”. Pastaj vazhdoi: ‘Por unë nuk mund ta zgjas shumë, se aneja pret, ngaqë jam djalë i vetëm’. Unë nuk iu përgjigja në atë kohë, por kaloi nja një muaj e pak dhe pastaj i ktheva përgjigje”… shton më tej Nexhmije Hoxha, gjatë intervistës ku ajo tregon 95 vitet e saj dhe sidomos ato të kaluara me të shoqin, që nga njohja, propozimi, martesa, jeta bashkëshortore dhe puna e përbashkët, deri te momenti, kur vdiq pranë saj.

SHKARKO APP