Rrëshqitje masive toke kanë goditur fshatin Spathar, shkaktohen dëme të konsiderueshme në banesa
Rrëshqitje masive toke kanë goditur fshatin Spathar, në bashkinë e Librazhdit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa, infrastrukturë rrugore dhe toka bujqësore.
Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ndau në rrjete sociale momente të zonës së dëmuar, teksa bëri të ditur se lëvizjet e para të dheut u vunë re të shtunën rreth orës 14:30, ndërsa rreth një orë më vonë fenomeni u riaktivizua me intensitet më të madh. Në orët e vona të pasdites, situata u përkeqësua ndjeshëm, kur rrëshqitja përfshiu një bllok të tërë banimi, kryesisht në lagjen “Hoxha”.
Sipas Emergjencave Civile të bashkisë Librazhd, shtatë banesa janë dëmtuar rëndë dhe konsiderohen të pabanueshme. Zona e prekura ndodhet pranë ish-depos së furnizimit me ujë të qytetit të Librazhdit, duke rritur rrezikun për banorët vendas.
Situata mbetet kritike, ndërsa bashkia Librazhd ka aktivizuar të gjitha strukturat për të mbështetur banorët dhe për të parandaluar dëme të mëtejshme nga rrëshqitjet e dherave.
KOHA JONË SONDAZH

