Rriten humbjet e OSHEE për muajt janar-prill 2017, bien edhe arkëtimet
Humbjet e energjisë në rrjet u rriten në katërmujorin e parë të vitit në 29.3 për qind në krahasim me fundin e vitit 2016, kur ishin 28.04%, teksa u pa se arkëtimet ranë gjithashtu në 92.6 për qind të faturimit nga 93.4 për qind që ishte ky tregues në fund të vitit.
Kështu efektiviteti i shitjeve në OSHEE për katërmujorin e parë ra në 65.5% në krahasim me 67.2 për qind në fund të vitit, sipas Burimeve nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE).
Por burimet nga OSHEE pohojnë se humbjet kanë karakteristikë sezonale. Ata pohojnë se krahasimi i humbjeve duhet bërë sezon me sezon, për shkak të karakteristikave në konsum dhe ne disa linja te shpërndarjes.
Gjithashtu borxhi ndaj kompanisë mbetet i lartë. Siç raportoi ERE për katërmujorin borxhi i akumuluar nga entet publike dhe ato private përfshirë edhe borxhin e familjarëve arriti në 70.8 miliardë lekë. Por ndryshe nga viti i kaluar ERE nuk i ka detajuar borxhin që konsumatorët kanë ndaj OSHEE-së sipas kategorive.
Enti Rregullator i Energjisë ka njoftuar se në fund të vitit 2016, detyrimet që entet publike i kanë krijuar OSHEE-së nëpërmjet mospagimit të faturave të energjisë arrijnë një vlerë prej 8 miliardë lekësh, ose 58 milionë eurosh.
Përveç faturës së lartë të detyrimit, shteti i ka vënë shkelmin moralit që vetë nxiti nëpërmjet një aksioni që synonte të mblidhte detyrimet e prapambetura të energjisë te konsumatorët familjarë me forcë. Gjatë këtyre tre viteve, dhjetëra qytetarë janë përballur me burgun, pasi nuk kanë paguar energjinë, teksa qeveria me entet në saj nuk paguajnë faturat korente.
Ky vit nuk ka qenë favorizues në shumë drejtime për OSHEE-në. Mungesa e prodhimit vendas ka rritur kostot, teksa zgjedhjet lokale nuk ishin një terren i favorshëm për kompaninë.
/Monitor.al