Rriten mashtrimet me sigurimet – 726 procedime penale në vitin 2016, 290 të dënuar
Dy vitet e fundit kanë shënuar një rritje të fortë të veprës penale të mashtrimit në sigurime. Vetëm në vitin 2016 janë hetuar në total 726 raste mashtrimi për të përfituar sigurime nga kompanitë e këtij tregu. Numri i mashtrimeve të kësaj natyre rezulton 74% më i lartë se në vitin 2015 kur numri i çështjeve të hetuara për këtë vepër penale ishte 421. Në vitin 2014 u regjistruan në total 220 procedime për mashtrimet me sigurimet.
Vepra e mashtrimit në sigurime parashikohet në nenin 145 të Kodit Penal. Ai përcakton që paraqitja e rrethanave të rreme në lidhje me objektin që sigurohet, ose krijimi i rrethanave të rreme dhe paraqitja e tyre në dokumentet duke përfituar padrejtësisht sigurime, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet.
Mjaft i lartë është edhe numri i dënimeve për mashtrimin e kompanive të sigurimeve. Të dhënat zyrtare të Prokurorisë zbardhin se numri i të dënuarve për këtë vepër është 290 vetëm për vitin 2016. Në vitin 2015 numri i të dënuarve ishte 223.