Rritet numri i bizneseve të vogla me katër të punësuar

Me ngadalësim të dukshëm 6 vitet e fundit, sektori i ndërtimit ka reflektuar rënie të qarkullimit vjetor, ulje të të punësuarve dhe reduktim të normave të fitimit.

Në fund të vitit 2013, ushtronin gjithsej aktivitetin në fushën e ndërtimit 3497 ndërmarrje, me rritje të lehtë 1% në raport me vitin e mëparshëm, si efekt i rritjes së numrit të ndërmarrjeve të vogla me deri katër persona të punësuar dhe me rënie të numrit të të punësuarve.

Sipas Anketës Strukturore 2013 të INSTAT, të ardhurat gjithsej të sektorit arritën në 181 miliardë lekë, me ulje 1.6% në raport me vitin e mëparshëm.

I konsideruar për më se një dhjetëvjeçar si sektor me ndikim në zhvillimin ekonomik të vendit, ndërtimi sot rezulton me tkurrje, ku më e dukshme mbetet situata në qarqet e mëdha, si Tirana, Durrësi, Vlora, Saranda, ku fluksi i ndërtimeve në sektorin imobiliar nuk u justifikua nga fuqia bleërëse.

Edhe për vitin 2014 sipas planit buxhetor afatmesëm të qeverisë, ndërtimi vijoi me rënie, ndërsa parashikohet të kthehet në norma pozitive rritjeje për vitet 2015, 2016 dhe 2017. Mesatarisht ndërtimi parashikohet të rritet në terma reale me 1.5% gjatë vitit 2014-2017.

SHKARKO APP