Rritja e çmimeve – Bien pritshmëritë, zbehet rritja e Indeksit të Çmimeve të Prodhimit
Pritshmëritë për rritjen e çmimeve të konsumit në ekonomi u frenuan në tremujorin e dytë të vitit. Indeksi i çmimeve të prodhimit e ngadalësoi ndjeshëm rritjen në 1.6%, kundrejt një rritjeje prej 5.1% që ishte regjistruar në tremujorin e parë.
Indeksi i çmimeve të prodhimit mat çmimet me të cilin ato hidhen në treg nga prodhuesit dhe ecuria e tyre është një tregues i rëndësishëm i shëndetit të bizneseve.
Ecuria e çmimeve të prodhimit jep një orientim për rritjen e çmimeve të konsumit në një të ardhme të afërt. Nëse prodhuesit rrisin çmimet, me shumë të ngjarë, kjo rritje përcillet edhe në çmimet me të cilët konsumatorët i blejnë mallrat me pakicë.
Një rritje e çmimeve të prodhimit është domethënëse për performancën e ndërmarrjeve, sepse nënkupton më shumë stimuj për të rritur prodhimin, punësimin dhe pagat në të ardhmen.
Sipas NSTAT, rritja e çmimeve të prodhimit në vend edhe për tremujorin e dytë u udhëhoq nga industria nxjerrëse, me 8.2%, ndërsa specifikisht për sektorin e nxjerrjes së naftës rritja ishte 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sidoqoftë, rritja e çmimeve në industrinë nxjerrëse ishte më e dobët krahasuar me tremujorin e mëparshëm, faktor ky që rezultoi përcaktues në rritjen mesatare të çmimeve të prodhimit. Për sa i takon industrisë përpunuese, sektorit që mban edhe më shumë peshë në prodhim, rritja edhe për tremujorin e dytë ishte e përmbajtur, me 1.2%.