Rritja e çmimit të energjisë, kompletohet kërkesa zyrtare
Konkretisht, mësohet se OSHEE nga ana e tij kërkon rritje të tarifës së shpërndarjes së energjisë me nivelin prej rreth 70%. Kështu, sipas tij, nga 7 lekë për kilovat/orë që është aktualisht tarifa mesatare e shpërndarjes, operatori kërkon që ajo të rritet në 12 lekë për kilovat/orë. Ndërsa nga ana e saj, Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare aplikoi për rritje të çmimit me të cilin ia shet realisht energjinë OSHEE-së me nivelin prej 50%. Teksa çmimi mesatar i KESH-it aktualisht është 2.2 lekë për kilovat/orë dhe ai kërkon që ai të rritet në 3.34 lekë, duke e argumentuar këtë me gjendjen e vështirë financiare në të cilën ndodhet për shkak të blerjes së energjisë me çmim të lartë nga HEC-et private, por edhe nga importet që ka bërë për të mbuluar humbjet e ish-kompanisë CEZ. Për të vijuar më pas, me detajimin e kërkesës nga ana e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, e cila ka kërkuar pranë Entit Rregullator pikërisht rritjen e tarifës së transmetimit në nivelin prej 10%, pra nga 0.65 lekë për kilovat/orë që është aktualisht në 0.73 lekë. Në total, i bie që të treja kompanitë energjetike të cilat operojnë në vend, të kenë kërkuar që çmimi mesatar i energjisë për qytetarët të rritet nga 10 lekë për kilovat/orë që është aktualisht, në rreth 16 lekë për kilovat/orë. Ndërsa bordi i komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë do t’i shqyrtojë të tre kërkesat e bëra nga operatorët dhe pritet të marrë një vendim brenda dhjetorit. Dhe ajo që është e sigurt deri më tani është heqja e fashës mbrojtëse prej 300 kilovat/orë e deklaruar zyrtarisht nga qeveria, ndërsa ende pritet vendimi i ERE-s për çmimin e ri të energjisë që do të aplikohet nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Ndërkaq, zinxhiri i lidhjeve mes këtyre institucioneve fillon: KESH e prodhon energjinë dhe e transmeton në OST, kjo e fundit ndërkaq ia tranmeton OSHEE, i cili e bën të vlefshëm për konsumatorët.