Rritja e çmimit të naftës, Braçe: Ndaleni këtë poshtërsi! Një skemë banale që po i imponohet institucioneve
Deputeti i PS-së, Erion Braçe ka reaguar lidhur me rritjen e çmimit të naftës në karburantet në Shqipëri në 198 lekë për litër. Ai e cilëson këtë akt një poshtërsi dhe bën thirrje që kjo të marrë fund. Braçe thekson se depozitat me naftë të karburanteve në Shqipëri janë plotë dhe nuk janë mbushur gjatë këtyre ditëve kur ka nisur lufta në Iran, çka solli edhe rritjen e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Postimi i plotë
Nafta 198 lekë për litër, ky është çmimi i pasdites! 25 lekë për litër rritje vetëm në një javë! Ndaleni këtë poshtërsi!
Është realisht poshtërsi! Depot i kanë plot dhe nuk janë mbushur këtë javë, kur çmimi ka kërcyer në bursë! Jo! I kanë imponuar çdo institucioni në këtë vend një skemë banale, sipas së cilës këta i kanë mbushur depot edhe një muaj më parë, por naftën e shesin me çmimin e bursës sot!
Është një skemë që grabit në mënyrë banale çdo qytetar! Një skemë që ka bllokuar tregun, e ka kapur tregun dhe e ka monopolizuar atë, aq sa këta reagojnë të gjithë me të njëjtin çmim brenda një pasditeje!
Edhe më e poshtër është kur thonë: “Eh, mo, se këta prapë e blejnë. Rrite sa të duash çmimin e naftës, shqiptari pa makinë nuk rri dot!” Ndaleni këtë poshtërsi!
KOHA JONË SONDAZH

