Rritja e pagave, policët dhe ushtarakët, rritja nga 8- 50%. Mësuesit, më mirë do të trajtohet arsimi i lartë

Pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit do të pësojnë gjithashtu rritje, të premtuar tashmë disa herë edhë nga vetë kryeministri Edi Rama.
Në përqindje, kjo rritje në terma mesatare do të jetë nga 10 për qind për personelin me grada më të larta, që përfshin ato drejtues i parë, drejtor i përgjithshëm dhe zëvendësit e tij), në 24 për qind për gradën e komisarit, 50 për qind për kryeinspektorin dhe 45 për qind për nëninspektorët.

Në këtë mënyrë, mesatarisht drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit do të marrë një pagë në masën 159.500 lekë, një kryekomisar 106.000 lekë dhe nëninspektori 69.000 lekë në muaj.

Këto përbëjnë një rritje jo të vogël, po të mendohet se 10 vjet më parë, paga bazë e funksionit/gradës më të ulët në sistemin e Policisë në vitin 2005 ishte 28.800 lekë në muaj, ndërsa paga bruto e funksionit të nivelit të lartë ishte 81.000 lekë/muaj.

Në fakt, krahasimi nuk është shumë i lehtë, për faktin se pagat e punonjësve të Policisë për vitet 2005-2008 përfaqësojnë një sistem që përfshin 13 grada policore, të cilat nuk janë të krahasueshme me sistemin aktual të gradave.

Në këtë sistem, grada më e ulët është grada “Agjent” deri tek grada “Drejtor i Përgjithshëm” dhe paga mujore bruto e tyre nuk parashikon pagën për vjetërsi në shërbim.

Ndërkohë, në pagën bruto të punonjësit përfshihen shtesat e pagës për kushte pune, për orë jashtë orarit dhe shtesa të tjera, shtesa të cilat janë të konsiderueshme në funksione të caktuara, por dhe janë shumë të ndryshme për funksione të ndryshme.

Për këtë arsye, për të patur bazë krahasimi në vite, shtesat e pagës për kushte të veçanta pune për çdo gradë janë marrë mesatarisht në masën minimale prej 6.500 lekë/muaj, por që aktualisht këto shtesa shkojnë edhe deri në 20.000 lekë/muaj.

Tani pagat e punonjësve të Policisë përfaqësojnë një sistem që përfshinte 9 grada policore në vitin 2015 dhe që me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të Policisë së Shtetit reduktohen në 8 grada. Pra, reduktohen gradat “Ndihmës-inspektor”, “Krye-inspektor” dhe “Nën-komisar”.

Në sistemin me 9 grada, grada më e ulët ishte grada “Nën-inspektor”. Sipas këtij sistemi të krijuar dhe zbatuar në vitin 2009, në pagën bruto të punonjësit përfshihet për herë të parë shtesa e pagës për vjetërsi shërbimi e cila fillon të llogaritet në masën 1% të pagës për gradë që nga data e fillimit të ligjit si dhe, shtesa e pagës për kushte pune, për orë jashtë orarit dhe shtesa të tjera, të cilat ekzistonin edhe në sistemin e mëparshëm.

Shtesa e pagës për vjetërsi në punë, sipas ligjit të ri, është llogaritur në masën 12.500 lekë në muaj për çdo gradë, ose në masën 1% për 25 vite pune mbi pagën e gradës “Inspektor”.

Ushtria
Për vitin 2017, reforma e ndërmarrë për rritjen e pagave në administratën publike, shoqërohet me rritjen e pagave edhe në sistemin e ushtarakëve në Ministrinë e Mbrojtjes. Parashikohet që rritja e pagës për çdo gradë të jetë në masën 8%-10%.

Numri i përfituesve është rreth 6.750 ushtarakë dhe fondi i parashikuar për t’u akorduar për këtë qëllim është 480 milionë lekë nga Buxheti i Shtetit. Nga kjo rritje, niveli i pagës për gradë rritet minimalishit me 4.000 lekë/muaj dhe maksimalisht rritja shkon në 12.60 lekë/muaj, sipas hierarkisë së gradave.

Në përputhje me këtë ndryshim, paga më e lartë për ushtarakët, ajo e gjeneral-lejtnantit (admiralit) do të jetë 169.560 lekë, ndërkohë që gjeneral-brigade do të marrë nga 1 marsi 2017 127.440 lekë në muaj.

Pagat e oficerëve do të jenë nga 53.460 lekë për një nëntoger, në 108.000 lekë për kolonelin.
Ndërkohë, pagat e nënoficerëve do të jenë: më e ulta 44.000 lekë për nëntetarin dhe më e larta 64.130 lekë në muaj për kryekapterin.

Mësuesit, më mirë do të trajtohet arsimi i lartë
Pagat e punonjësve mësimorë në sistemin arsimor parauniversitar rriten, sipas projektit qeveritar, me 10% nga 1 marsi 2017. Përfitues nga kjo rritje janë 31.370 punonjës mësimorë, mësues të shkollave 9-vjeçare dhe atyre të arsimit të mesëm.

Kostoja financiare shtesë për vitin 2017 është rreth 1.3 miliardë lekë, që do të sigurohen nga Buxheti i Shtetit.

Një mësues i shkollës 9-vjeçare, i cili në vitin 2013 merrte një pagë 61.100 lekë në muaj, me vendimin e ri do të ketë të drejtën e një page 64.650 lekë. Ndërkohë që mësuesi i shkollës së arsimit të mesëm do të marrë 67.950 lekë në një muaj, nga 64.100 lekë që merr aktualisht.

Nga ana tjetër, pagat e punonjësve në sistemin arsimor universitar publik rriten mesatarisht me 10%, ku stafi i drejtpërdrejtë akademik përfiton një rritje prej 12 përqindësh.

Përfitues nga kjo rritje janë 3.826 punonjës mësimorë dhe kostoja financiare shtesë për vitin 2017 është rreth 450 milionë lekë.

Me këto ndryshime, paga e një rektori bëhet 150.350 lekë, me rritje 11.137 lekë në muaj; ajo e dekanit bëhet 142.106 lekë, me rritje 10.526 lekë; e profesorit 130.032; e doktorit të shkencave 102.942; e docentit 98.728.

Një pedagog me gradën mësimore “lektor i parë” do të ketë një rritje në masën 10.397 lekë, duke bërë që paga e tij mujore të shkojë në 97.042, nga 86.645 lekë që merr aktualisht.

rritja pagave policia

rritja pagave policia

rritja pagave policia

/shqiptarja.com

SHKARKO APP