Rruga e Arbrit, qeveria konsulencë për projektin e kompanisë kineze

 

Qeveria do të paguajë një kompani konsulence për ta ndihmuar që të vlerësojë ofertën e kompanisë kineze “China State Construction” për ndërtimin e Rrugës së Arbrit.

Përmes një njoftimi zyrtar bëhet e ditur se, Avokatura e Shtetit ka hapur zyrtarisht procesin e kontraktimit të studios konsulente, e cila do të këshillojë komisionin e negocimit. 

Sipas dokumentit, qeveria kërkon asistencë për të vlerësuar jo vetëm aspektin ligjor, por edhe atë financiar të ofertës që ka paraqitur kompania kineze. 

Rruga e Arbrit do të ndërtohet përmes një procedure të veçantë, jashtë ligjit të konçesioneve dhe atij të partneritetit publik-privat. 

Pak muaj më parë, Parlamenti miratoi një ligj të posaçëm, i cili i jep të drejtën qeverisë të shmangë ligjin e prokurimeve dhe t’ia akordojë kompanisë kineze pa garë kontratën për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e rrugës. 

Sipas ligjit, i gjithë procesi i negocimit për lidhjen e kontratës do të ndiqet nga një komision i posaçëm, i kryesuar nga Ministria e Transporteve, por me anëtarë edhe nga Ministria e Financave, ajo e Zhvillimit Ekonomik, e Drejtësisë dhe Avokatura e Shtetit. 

Komisioni do të ketë për detyrë të shqyrtojë propozimin që kompania kineze ka paraqitur në Ministrinë e Transporteve. Në këtë propozim janë përcaktuar kushtet financiare, afati dhe gjithë detajet e tjera të draft-kontratës. 

Dokumenti i Avokatit të Shtetit zbulon se oferta zyrtare e “China State Construction” ka mbërritur, edhe pse qeveria, përkatësisht Ministria e Transportit ka qenë e rezervuar për ta bërë publike. 

Tani, ajo që mbetet për t’u parë është se cilat do të jenë kushtet financiare, por jo vetëm ato të propozuara nga “China State Construction” dhe se çfarë do të pranojë qeveria. 

Ajo që dihet me siguri është se 26.8 kilometrat e patenderuar të rrugës do të ndërtohen nga kompania kineze dhe, me gjasa, aksi do të jetë me pagesë për qytetarët; drejtpërdrejt ose përmes buxhetit, apo një kombinim i të dyjave. Kjo do të zbulohet kur kontrata të bëhet publike.

SHKARKO APP