Rruga e Kosovës deri në “Olimp”

KON-i ka aprovuar kërkesën e Komitetit Olimpik të Kosovës për pranim dhe tani, KOK-u është bërë anëtarë me të drejta të plota, përkohësisht, deri në aprovimin final. Akti final i pranimit pritet të bëhet në Sesionin e radhës të KON-it, që do të mbahet më 5 dhe 6 dhjetor, në Monako.

– 22 Tetori 2014, datë historike e sportit të pavarur të Kosovës

Më 22 Tetor 2014, në ora 18:17, sporti kosovar e ka thyer zyrtarisht izolimin e gjatë gati një çerek shekulli, tregon kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani për Anadolu Agency (AA). “Nga Lozana më dërguan një sms, anëtari i Bordit Ekzekutiv, mund ta quaj si lajm i parë Ugur Erdener, ai është president i Komitetit Olimpik të Turqisë, president i Federatës Ndërkombëtare të Shigjetarisë, një mik i imi i mirë dhe më thotë “President urime, komiteti olimpik i juaji, Komiteti Olimpik Kombëtar u bë anëtar me të drejta të plota të përkohshme i Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë” tregon për momentin më emocional në jetën e tij, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani i cili ishte befasuar sepse nuk e priste që lajmi të vinte të mërkurën, por të premten, ashtu siç kishte qenë në agjendë të mbledhjes së Bordit Ekzekutiv, sipas informacioneve që ia kishin dhënë.

Ndërkohë, pas ‘myzhdesë’ me mesazh të shkruar nga Prof.Dr. Ugur Erdener, një minutë më vonë, erdhi telefonata nga selia e KON-it, Pere Miro, Drejtori i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për mardhënie me Komitetet Olimpike Kombëtare: “Beeeeesiiiim, congratulations!” përshkruan çastet e jashtëzakonshme, Hasani ndërsa edhe në momentet kur fliste për Anadolu Agency, nuk mund të fshihte emocionet, duke rrëfyer se si, nga gëzimi i madh nuk ka mundur t’ja kthejë përshëndetjen Miros.

Për Hasanin, ishte ky një realizim i një ëndrre të gjatë me dekada , një ëndrre që shumë gjenerata të sportistëve dhe punëtorëve sportiv e kanë pritur dhe kanë ikur pa e pa realizimin e saj. Miro i tregoi se KON-i ka vendosur që Kosova të pranohet me të drejta të përkohshme deri në Monako ku do të mbahet Sesioni i jashtëzakonshëm i KON-it me ç’rast pritet që KOK të pranohet me të drejta të plota.

Me atë rast, Miro i kishte thënë kryetarit të KOK-ut të qëndroi në lidhje sepse dëshiron t’ja kaloi lidhjen një njeriu që ka bërë shumë për pranimin e Kosovës në familjen olimpike ndërkombëtare.

 “ Hello president this is Thomas Bach, IOC president! – Oooou my president! Edhe ma urojë. Në fund më tha që t’i përgëzoj në emrin e tij të gjithë sportistët e Kosovës. Urime ty, urime të gjithëve dhe urime kombit, gjithë Kosovës” vazhdon rrëfimin e bisedave historike të sportit kosovar, kryetari i KOK-ut i cili bisedën po e bënte ndërsa ishte në ambientet e RTV21, ku ishte ftuar për të qenë mysafirë, drejtpërdrejt në lajmet qendrore.

Me këtë rast, Hasani i tregoi Miros se, për 15 minuta do të jetë direkt në lajme dhe a mund ta kumtoj lajmin, aq shumë të pritur për sportin kosovar.

Miro i tha Hasanit të pres pak sepse duhet të konsultohet me presidentin Bach dhe me drejtorin për informim. Pas një konsultimi dhe pritjeje disa mniutëshe në lidhje, Miro ja ktheu Hasanit se, nuk është mirë që lajmi të jepet nga KOK-u, pa u publikuar zyrtarisht në ueb faqen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë.

Kështu, duke e ditur këtë informatë, Besim Hasani hyri në studiot e lajmeve qendrore të RTV21, me shumë emocione dhe me dëshirë të madhe që këtë lajm ta ndaj me dikë, ta ndaj me tërë Kosovën dhe botën, mirëpo, duhej të priste edhe pak.

“Une e kisha informatën. Çdo qelizë më thoshte t’ju them por e dija se s’mund ta them atë që duhet thënë. Por në një pyetje të Bajramit, ai më tha: a është e sigurtë se do të pranohemi? – Unë i thash 100% , sepse e dija që tashmë kjo punë ishte kryer dhe pasi përfundoi ajo bisedë rreth 6 minutshe me Bajramin, unë dola dhe e përqafova edhe njëherë Bajramin dhe i thash: Bajram, mbaje në mend këtë përqafim dhe më vonë të tregoi pse të kam përqafu kështu fortë” rrëfen Hasani, për momentin kur u nda nga gazetari i RTV21 dhe doli në rrugë, ku shiu i rrëmbyeshëm kishte filluar të binte në Prishtinë. Mirëpo, nga gëzimi dhe emocionet, kryetari i KOK-ut, nuk e ndiente fare të ftohtit dhe shiun por qëndronte në mes të rrugës duke u menduar se kujt t’i lajmëroi së pari.

“ Vendosa gruan time ta informojë sepse vërtet e ka merituar. Edhe e thirra. Ka qenë pa qef para dy dite, edhe i thash: Ku je? – Tha: në kuzhinë… Thash: të lutem, shko ulu! Edhe shkoj u ul, por zgjati shumë kjo ulja e saj, në kuptimin që, tash ajo është duke menduar diçka e keqe ka ndodhur, e thash: kam lajm të mirë, por ulu një herë, se nuk isha i sigurtë a po më dëgjon. Kur u lajmëru: çka ka të re? – Thash: grua, lajmin e parë dua me ta dhënë ty, thash: U pranuam në KON! Qajti ajo, qajta unë” tregon Hasani për bisedën e parë me , Shpresa Hasanin, dikë të afërt , nga çasti kur kishte kuptuar lajmin historik.

 

– Momentet e vështira

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës i ka treguar Anadolu Agency se ka pasur shumë momente të vështira gjatë rrugëtimit të gjatë të sportit kosovar “deri në majën e Olimpit”.

Si një nga çastet më të vështira në jetë, ai përmend takimin e parë, pikërisht me Thomas Bachun, kryetarin aktual të KON-it, njeriun i cili sot është mik i madh i sportit kosovar dhe ka bërë të pamundurën për Kosovën.

Ishte vitit 2003, kur Hasani kishte dashur ta takoi Bachun, i cili në atë kohë ishte nënkryetari i parë i KON-it dhe kryetar i Komisionit për çështje  juridike. Bach ishte njeriu më i thirrur për ta interpretuar faktin se, çka nënkupton nocioni: bashkësia ndërkombëtare, që ishte shumë me rëndësi për aplikimin e KOK-ut për pranim.  Sipas nenit 30.1. të Kartës Olimpike, thuhet se anëtarë mund të jenë shtetet apo si thotë “Country”, që e ka kuptimin e shtetit të pavarur dhe të njohur nga Bashkësia Ndërkombëtare ose komunitetit ndërkombëtarë, tregon Hasani dhe dëshironte ta sqaronte dilemën se “çka është komuniteti ndërkombëtar?”ngase ata që nuk ja donin të mirën Kosovës, sipas tij, thoshin se me këtë nënkuptohet: Kombet e Bashkuara.

Por, vazhdon Hasani, fjala OKB nuk ishte e përmendur askund dhe ai dëshironte qartësimin e këtij fakti.

Pas një presioni të madh nëpërmjet të kabinetit të Bachut dhe me ndihmën e Marius Ëisserit, kryetarit të Federatës Botërore të Judos, të cilin Bach e kishte mik të madh, ky takim u realizua.

“Ai po vjen, bashkë me Sekretarin e tij, edhe po përshëndetet një herë me Marius Ëisserin edhe unë po ja zgjati dorën po i them: President of Kosovo Olympic Commitee. Ai pasi e zgjati dorën e uli dhe tha: ti nuk guxon ta quash veten kryetar të Komitetit Olimpik të Kosovës pa u njoh nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtarë. E ktheu shpinën dhe iku. Doja të hapet toka. Jam ndi keq, tmerrësisht, edhe si duket këtë e vërejti edhe Marius Ëizeri, më kapi për qafe tha: Besim kështu është. Ky është njeriu më i thirru për këto interpretime. E njeh këtë ligj në mënyrë të shkëlqyer.Mos u brengos, më vonë do ta takojmë edhe një herë. Do të ulemi, i flas pak edhe unë. Isha i pa përvojë” tregon Besim Hasani për çastet e vështira të rrugëtimit të sportit kosovar drejt pranimit në KON.

Megjithatë, ai pranon se ishte i vetëdijshëm se Kosova nuk kishte të drejtë ta quaj veten Komitet Olimpik sepse termi Olimpik është pronë e KON-it, mirëpo, ai nga papërvoja diplomatike e para 11 viteve tregonte se si , në të gjitha kartat e biznesit dhe prezantimet, në Kosovë dhe jashtë saj, përdorte termin Komitet Olimpik.

Ndërkohë, Thomas Bach, aktualisht njeriu i parë i Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë, njeriu i cili e ‘nokautoi’ Hasanin në takimin e tyre të parë në vitin 2003, ka evoluuar aq shumë dhe sot, është bërë protagonisti kryesor i çështjes së pranimit të sportistëve kosovar në familjen ndërkombëtare olimpike.

– Çfarë ka ndikuar që KON-i të ndryshoj mendimin?

Pas refuzimit të vrazhdë nga Thomas Bach, Hasani tregon se Komiteti Olimpik nuk është zmbrapsur, përkundrazi ka vazhduar punën edhe me më shumë përkushtim dhe vendosmëri. Pas këtij takimi, është shtuar lobimi, është përpiluar një strategji e re e cila kishte për synim pranimin ndërkombëtar të sa më shumë federatave sportive të Kosovës në federatat sportive ndërkombëtare të sporteve përkatëse, me qëllim që të plotësohet kushti teknik për pranim, kuota prej 5 federatave të sporteve olimpike të pranuara në ato ndërkombëtare.

Kjo strategji është lavdëruar shumë nga miqtë ndërkombëtarë, anëtarë të federatave sportive ndërkombëtare dhe anëtarët e KON-it, të cilët kanë ditur ta çmojnë dhe respektojnë vullnetin, dëshirën dhe punë e sportistëve të Kosovës. 

Duke e ditur se pranimi direkt i KOK-ut është i pamundur, kemi bashkëpunuar shumë me federatat sportive të Kosovës dhe Ministrinë e Sportit dhe e kemi ditur se, në fund do t’i vije rendi Komitetit Olimpik. Deri atëherë, mirëpo është dashur që të funksionojmë, të veprojmë dhe të dëshmojmë se ekzistojmë si komitet olimpik. “Për shembull organizimi i ditës olimpike. Unë e di që këtu ka pasur shumë njerëz që kanë thënë: lojëra të fëmijëve, shumë çka…por s’më brengoste ajo fare, në asnjë moment nuk më ka zmbrapsur një gjë e tillë sepse unë e kam ditur se sa e çmojnë në KON” thotë kryetari i KOK-ut, Besim Hasani dhe kujton vitin 2000, kur në Kosovë ishte organizuar kuisi olimpik në të cilin kishin marr pjesë mbi 100 mijë njerëz, fakt ky që e kishte mahnitur Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Më pas, fituesit e këtij kuizi, tre fëmijë të moshës 11-12 vjeçare, nxënës të shkollës fillore Mustafa Bakija nga Gjakova, si shpërblim kishin fituar udhëtimin në Sydney të Australisë, për të përcjell Olimpiadën Verore . Këtë e ka çmuar jashtëzakonisht KON-i edhe për faktin se, ishin në dijeni që Hasani, me para personale, i ka marr me vete fëmijët dhe ka udhëtuar në Sydney. Gjitha këto, sado që dikujt i duken të vogla, thotë Hasani, kanë qenë me peshë.

– Hasani është kritikuar se po shëtit dhe po fotografohet nëpër botë 

Gjatë dekadës së fundit, Besim Hasani ka qenë i kritikuar se vetëm po udhëton nëpër botë dhe nuk po bënë asgjë. Ai në këtë përgjigjet se , kjo ka ndikuar tek ai dhe familja e tij e cila e dinte se sa shumë po sakrifikon, familjarisht dhe financiarisht, por thotë se asnjëherë nuk është lëkundur dhe garanton se këto nuk kanë qenë thjeshtë udhëtime dhe fotografime, por shumë më tepër. Këtë energji negative në Kosovë, ai e ka shndërruar në emocione dhe kur bisedonte me njerëz jashtë, ju tregonte se sportistët në Kosovë, 10 vite bëhen kampion dhe jashtë Kosovës nuk mund të garojnë, sepse ishin të privuar nga kjo e drejtë, duke e braktisur më vonë sportin. Kjo ka ndikuar shumë një njerëzit që me të vërtet e kanë dashur sportin dhe më vonë na kanë ndihmuar.

Lidhur me këtë, Hasani rrëfen për vizitën e Marius Wisserit, kryetarit të Federatës Ndërkombëtare të Judos (IJF) të cilin e kishte njoftuar me përfaqësuesit e xhudos së Kosovës dhe pasi që, ai i kishte pa sportistët kosovar, sa të mirë janë, u betua se do t’na ndihmoj në një formë.

“ Ai lejoi që xhudistat e rinj të Kosovës të marrin pjesë në gara ndërkombëtare nën flamurin e IJF dhe kështu, në kampionatin e parë Botëror të juniorëve, Majlinda Kelmendi bëhet kampione. Njeriu më i gëzuar, lotët që i kanë dal ka qenë Marius Wizzer sepse ka pasur të drejtë. Shembull më të mirë në bisedat e mia lobuese, për me i pru në këtë pozicion nuk ka pasur. Çdo herë kamë thënë, veproni si Marius Wizzer” shpjegon për angazhimin e Kosovës e cila ka vepruar me ngulm dhe në fund, ka arritur që të ndikoj në pranimin e 13 federatave të sporteve olimpike nga Federatat Ndërkombëtare të këtyre sporteve.

 

– Bashkëpunimi me Ministrinë Krasniqi

Gjatë rrugëtimit të Komitetit Olimpik të Kosovës drejt familjes olimpike ndërkombëtare, KON-it, Hasani tregon se ka bashkëpunuar me disa ministra. Sipas tij, angazhimi më serioz dhe bashkëveprimi Qeveri-KOK, në drejtim të ndërkombëtarizimit të sportit kosovar, ka filluar me ish-ministrin e sportit, Lytfi Hazirin i cili, përkundër faktit se ishte një kohë të shkurtër ministër, kishte vizion të qartë dhe ishte shumë konstruktiv. Pas tij erdhi, ministri Krasniqi.

Përshtypjet e para, është i sinqertë Hasani, nuk kanë qenë aspak të mira sepse, duke e marr parasysh ‘backgroundin’ muzikor të ministrit Krasniqi, ka menduar se, ai do të koncentrohet më shumë në kulturë, artë dhe muzikë dhe sportin nuk do ta trajtoj si prioritet.

“Mirëpo, çuditërisht, dhe për të mirën e kësaj që ka ndodhur në ndërkohë, çasja e tij ishte jashtëzakonisht pozitive dhe ishte shumë i përkushtuar rreth sportit” kemi pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm dhe jo që kjo përshtypje është fituar në Kosovë, se besoj që edhe ju jeni dëshmitar se keni qenë gazetarë i cili e keni përcjell sportin në vazhdimësi, mirëpo këtë përshtypje e kanë fituar edhe krejt ndërkombëtarët, duke thënë se jemi një shembull jashtëzakonisht i mirë se si duhet të bashkëpunohet sektori qeveritar me sektorin joqeveritar pa asnjë interferencë” shpjegon Hasani dhe shton se , ajo që e mundon më së shumti KON-in është interferenca e shtetit ose e ministrive në Komitetet Olimpike kombëtare.

Me këtë rast, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës theksoi se, ministri i Sportit të Kosovës, Memli Krasniqi, ka qenë shumë aktiv dhe pjesëmarrës për lobim edhe për përshpejtim të procesit të njohjes të KOK-ut nga KON-i dhe e ka falënderuar publikisht, për krejt atë kontribut që e ka dhënë, sikurse i ka falënderuar edhe të gjithë ata që kanë kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme, në më shumë se dy dekada të rrugës së pavarësimit të sportit kosovar.

 

– Nga Rio 2016 do të kthehemi medalje

Me njohjen e KOK-ut, krijohen perspektiva të reja dhe do të hapen dyert për të gjitha federatat tjera dhe sportistët do të kenë mundësi të marrin pjesë në kampionate evropiane dhe botërore, si dhe në gara kualifikuese për Lojëra Olimpike.

Hasani, tregon se vitin e ardhshëm, Kosovën e presin tri gara ndërkombëtare të karakterit olimpik, ndër to, më e rëndësishme është ngjarja e cila zhvillohet në kryeqytetin e Azerbajxhanit , në Baku. Aty do të mbahen Lojërat Olimpike Evropiane apo Lojërat Evropiane si quhen dhe në shumicën e sporteve do të shërbejnë si shans kualifikuese për Rio 2016.

Duke u bazuar në rezultatet e sportistëve që veprojnë dhe ushtrojnë, në Kosovë, Hasani pret që një delegacion nga 6 deri 10 sportistë të Kosovës, do të mund të udhëtojnë në Olimpiadën Rio 2016.

“Gjysma prej tyre do të jenë me kualifikime kurse të tjerët do të jenë afër normës olimpike dhe do të marrin pjesë në Rio, dhe nuk do të  kthehemi nga Rio, pa medalje” përfundon Besim Hasani, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, tashmë të pranuar me të drejta të plota, përkohësisht, deri sa në Sesionin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë, më 5-6 Dhjetor, në Monako, të aprovohet përfundimisht pranimi i sportit kosovar në KON dhe flamuri i Republikës së Kosovës të valojë përkrah të gjithë flamujve tjerë, të shteteve anëtare të organizatës më të madhe të sportit në Botë.

Agon Fehmiu 

SHKARKO APP