Rrugëtimi i dytë problematik i Isa Boletinit drejt Vlorës

 

Agim Bahtiri ka bërë shumë premtime gjatë fushatës zgjedhore për kryetar të komunës së Mitrovicës e një ndër to është edhe punësimi i 15 mijë mitrovicasve brenda mandatit katërvjeçar në krye të njërës nga komunat më të varfra në Kosovë.

Por pavarësisht a do të mund t’i përmbushë ato premtime apo jo, kjo nuk e bën mitrovicasin Fazli Deliu ta çajë kokën.

Me banerin në ‘trend’ të shqiptarëve që paraqet imazhet e Ismail Qemalit e Isa Boletinit të vendosur në anash hartës së trojeve të dikurshme shqiptare dhe me mbishkrimin në fund të banerit “AUTOCHTONOUS”, Deliu përpiqej t’i dilte krah kundërshtuesve të largimit të eshtrave të Isa Boletinit nga vendlindja.

Baneri që bëri jehonë në tetor të vitit të kaluar, kur u lëshua përmes një fluturakeje në mes të stadiumit në Beograd gjatë ndeshjes së futbollit Serbi- Shqipëri, përmban dy ndër figurat kryesore të Shqipërisë të kohës së shpalljes së pavarësisë të vitit 1912.

“Qe dy net jam pa gjumë prej se kam dëgjuar që eshtrat e Isa Boletinit po i dërgojnë në Vlorë…Kryetari i Mitrovicës ka ba veprën më të madhe që nuk ka leju t’i çojnë eshtrat e Isa Boletinit në Vlorë”, thoshte Deliu, një 75 vjeçar nga Çabra e Mitrovicës, i cili ka përjetuar burgjet e ish Jugosllavisë për 2 vjet dhe ato të Shqipërisë komuniste për 27 vjet tjera.

Rivarrimi i mbetjeve mortore të Isa Boletinit në Vlorë po kërkohet nga politika.

Fshati Boletin, vendlindja e heroit, shtrihet në pjesën veriore të Mitrovicës, prandaj sado që nuk është thënë zyrtarisht, supozohet se çështjet e sigurisë mund të jenë ato që kanë bërë që të ketë shmangie nga planet që Isa Boletini t’i kthehet vendlindjes në arkivol.

Përcjellja e eshtrave të një heroi si Isa Boletini do të kërkonte që ceremonia të bëhej me nderime ushtarake, dhe kjo paraqet problem për institucionet shtetërore.

Kryeministri Mustafa e ka pranuar para dy muajve se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk është e lirë të shkojë në pjesën veriore të vendit, për shkak të detyrimeve ndërkombëtare që ka marrë Kosova.

“Është një pajtueshmëri me Aleancën Veri-Atlantike (NATO-n) që në veri të vendit të mos shkohet pa marrëveshje me ta”, thoshte Mustafa në prill të këtij viti.

Por kryeministri Mustafa deri më tani ka qëndruar tërësisht anash në çështjen e gjetjes së një vendi të përshtatshëm për rivarrimin e luftëtarit me nam shqiptar të fillim-shekullit 20.

Ndërsa një deputete e Kuvendit të Kosovës, Melihate Tërmkolli, e cila muaj më parë qe rikthyer në LDK-në e drejtuar nga Isa Mustafa- pas disa viteve të qëndrimit në AAK- ishte e ashpër ndaj idesë së zhvendosjes së eshtrave të Isa Boletinit drejt Vlorës.

“Isa Boletini duhet të varroset në kullën e Boletinit, përveç nëse qeveria ka heqë dorë nga veriu dhe nëse atë nuk e konsideron si pjesë të saj”, tha Tërmkolli.

Të gjendur në një situatë të vështirë për të vendosur, politika kosovare është munduar të gërmojë në opcione tjera me të cilat mund ta varrosnin heroin dhe bashkë me të edhe debatin për pafuqishmërinë e shtetit.

Takimi “i gabuar” te Edi Rama

Dhe kur Mitrovica po vlonte nga këto debate, më 14 maj, zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, tërhoqi nga ky qytet një pjesë të madhe të pasardhësve të familjes Boletini për t’i dërguar në Tiranë në një audiencë te kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Të ulur në të ashtuquajturën ‘Salla e Hartave’, në objektin e Kryeministrisë, familjarët duket se nuk patën si të mos entuziazmohen nga atmosfera kuqezi e sallës së dekoruar me hartat e moçme të vendbanimeve të shqiptarëve.

Vendimi i befasishëm qe marrë brenda takimit; eshtrave të Isa Boletinit i qe bërë vend krah varrit të Ismail Qemalit në Kaninë të Vlorës, si simbolikë e bashkimit në botën tjetër të dy figurave ndër të njohurat për pavarësinë e Shqipërisë- i pari me anë të përpjekjeve diplomatike dhe i dyti për nga rezistenca e armatosur në Kosovë në periudhën para dhe pas pavarësisë së Shqipërisë.

Për ta bërë këtë vendim më të “përtypshëm” për opinionin kosovar, Hashim Thaçi e vlerësoi Isa Boletinin si “njëri nga bashkëthemeluesit e shtetit shqiptar”.

Edhe data e rivarrimit, 10 qershori,  duket të jetë zgjedhur jo pa takt.

Në këtë ditë të vitit 1878, përfaqësues të shqiptarëve kishin themeluar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit për të kërkuar të drejta të avancuara të shqiptarëve që po i afroheshin shekullit të pestë të jetës nën Perandorinë Osmane.

“Jemi të bindur që jo vetëm së bashku po bëjmë gjënë e duhur për të nderuar këtë figurë të madhe, por edhe për t’i përcjellë gjeneratave të reja mesazhin e fortë dhe të kthjellët të ëndrrës dhe të betejës së përbashkët të këtyre dy baballarëve të kombit dhe padyshim, edhe të shtetit tonë”, tha Edi Rama në një fjalim pas këtij takimi të cilin ditë më vonë, analisti shqiptar Armand Shkullaku e cilësoi si “shou patriotik” i kryeministrit shqiptar.

“I plotfuqishëm në këtë botën tonë, kryeministri po sistemon tashmë edhe botën tjetër”, ironizoi Shkullaku në një editorial të publikuar tri ditë më vonë.

As kryetari i komunës së Mitrovicës nuk u entuziazmua nga ‘ambalazhimi patriotik’ i vendimit të marrë në Tiranë.

Të njëjtën ditë në mbrëmje, në studion e televizionit Klan Kosova, ai e quajti “palidhje” vendimin për rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit në Vlorë.

“Isa Boletini identifikohet me Mitrovicën dhe Mitrovica identifikohet me Isa Boletinin”, tha Bahtiri.

Tashmë politika e kishte bërë të veten duke hyrë në mes të dëshirës së familjarëve për t’ia sjellë mbetjet mortore në oborrin e kullës së tij në fshatin Boletin të Mitrovicës për t’i dhënë fund qëndrimit tash e katër vjet të këtyre eshtrave në mjediset e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Muhamet Mala, profesor i Historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, thotë që çështja e varrimit të eshtrave të Isa Boletinit ka marrë “një konotacion  të pastër politik”.

Mala tha për Gazetën Jeta në Kosovë se shikuar jashtë kontekstit politik, ekziston një e drejtë e pashkruar morale, humane apo civilizuese sipas të cilës konsiderohet si  “vlerë dhe nder i madh” për secilin njeri  që ka  kontribuar për vendlindjen  e vete të varroset aty dhe “nga aty të respektohet nga  i tërë kombi”.

“Sikur të mos te ekzistonte politizimi i këtij procesi , kjo çështje që tani debatohet as që do te ishte shtruar për diskutim sepse ishte nënkuptuar natyrshëm që eshtrat e tij duhet te prehen përjetësisht ne Boletin”, tha Mala.

Ai thotë se është e mundu që edhe vetë familjarët që fillimisht u pajtuan për ta rivarrosur heroin e tyre në Vlorë kanë dhënë pëlqimin“pa dëshirën e tyre”, për shkak të situatës së krijuar.

Kësisoj, Mala mendon se është politika ajo që ia vështirëson dhe ia ndërron kahjen rrugëtimit të fundit të Isa Boletinit.

“Mungesës e sovranitetit të plotë mbi tërë hapësirën e vendit tone  e vështirëson dhe e pamundëson një akt të drejtë dhe të padiskutueshëm ne secilin shtet ku respektohen normat ligjore dhe ekziston respekti historik për heronjtë”, thotë ai.

Odisejada e eshtrave të Isa Boletinit

Eshtrat e Isa Boletinit kanë një odisejadë të pazakontë për një hero kombëtar.

I vrarë brenda territorit të Malit të Zi në vitin 1916 bashkë me disa meshkuj të familjes, ai ishte varrosur në Podgoricë.

Trupi i tij ishte prerë në varrezat e kryeqytetit malazez deri në vitin 1998 kur disa shqiptarë i tërhoqën nga varri dhe i sollën në Mitrovicë.

Pjesë e ekspeditës për t’i marrë eshtrat e Boletinëve ishte edhe imami Asllan Murati nga Mitrovica.

Për gjashtë vjet ai i mbajti këto eshtra në një xhami në Mitrovicë por në vitin 2004 i tërhoqi nga aty për shkak të situatës së sigurisë në qytet dhe u gjeti vend brenda oborrit të shtëpisë. Më në fund, në vitin 2011, aii dorëzoi eshtrat te Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për t’ua bërë analizat e ADN-së. Sot e asaj dite, eshtrat e Isa Boletinit janë duke ndenjur në këtë Institut.

“Jam indinjuar se si dikush mund të mendojë që rivarrimi i heroit tonë mund të bëhet në Vlorë”, tha imam Murati për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai tregon se në vitin 2004 ishte përgatitur një Këshill për rivarrimin e Isa Boletinit i cili sado që nuk kishte mundur ta përfundojë punën, të paktën një vendim e kishte marrë: që Isa Boletini të rivarroset në vendlindjen e tij.

Kushtrim Boletini, anëtar i familjes Boletini, thotë se familja e heroit nuk pajtohet me dërgimin e eshtrave në Vlorë.

Ndërsa Gazmend Boletini që ishte pjesë e ekspeditës boletinase në takim me Ramën e Thaçin tha në një deklaratë për Kosovapress, një ditë pas takimit kontrovers, se tërhiqet nga vendimi “pas reagimeve të qytetarëve”.

“Familja (Boletini) do të jetë gjithmonë pranë qytetarëve dhe me qytetarët. Është edhe kërkesë e tyre unanime që Isa Boletini të rivarroset në Boletin, pavarësisht se edhe Vlora është vendi ku është shpallur pavarësia më 1912”, tha Gazmend Boletini.

103 vjet më parë, Isa Boletini kishte ndërmarrë një udhëtim të vështirë drejt Vlorës në përpjekje për të marrë pjesë si përfaqësues nga Kosova në mbledhjen ku u shpall pavarësia e Shqipërisë.

Rrethanat e kohës bënë që ai ta humbë këtë ngjarje për shkak të vështirësive me të cilat hasi gjatë rrugës.

Por 99 vjet pas vdekjes, politika i ka futur në lojë eshtrat e tij.

Kjo për imamin Asllan Murati nuk ka kuptim.

“Isa Boletini ka jetuar 52 vjet dhe tërë jetën e ka kaluar në Boletin”, thotë rojtari i eshtrave të Isa Boletinit.

BIRN

SHKARKO APP