Rugova, pacifist pa të meta – populli i tij nuk e donte luftën
Nga Halil Matoshi*
Kosova u riokupue me forcën e armëve – siç theksuam – edhe dy herë të tjera pas Luftës së Dytë Botërore, në të dyja rastet në momentin kur Jugosllavia, përkatësisht Serbia, i kishte shteruar masat represive-administrative, për ta mbajtur kontrollin mbi Kosovën.
Së pari, më 1945, kur krahina e posa dalë nga lufta u vu nën regjim ushtarak dhe për të dytën herë më 1989 kur u suprimua autonomia e saj sipas Kushtetutës së Jugosllavisë Federative të vitit 1974, kur Kuvendi i Kosovës ishte rrethuar me tanke.
Por Serbia kurrë nuk mundi të vendoste pushtet legjitim në Kosovë, të pranueshëm nga shumica e popullsisë.
Në rrafshin e së Drejtës Ndërkombëtare, Serbia e konvertuar në RFJ që ende nuk kishte njohje ndërkombëtare, nuk do të mund të arsyetonte pushtetin e vet ushtarak dhe administratën e dhunshme në Kosovë të vënë mbi majat e bajonetave!
Mirëpo, heshtur, nga qarqe të ndryshme ndërkombëtare, për të mos prishur punë në Bosnjë, Serbisë iu njoh e drejta e sundimit me Kosovën, por se makineria luftarake e Milosheviqit nuk mundi tashmë të ndalej në përdorimin e “forcës proporcionale”, ajo shkoi në shkatërrimin total të shqiptarëve, në të gjitha sferat dhe me të gjitha mjetet.
Akademik Gazmend Zajmi konsideronte se Kosova, sipas Kushtetutës së vitit 1974, ishte e barabartë me republikat e tjera të ish-Federatës jugosllave.
“Në dispozitën e Kushtetutës së RSFJ-së të vitit 1974, (si akt normativ i njohur sipas së Drejtës Ndërkombëtare) mbi atë se Kosova është pjesë konstituitive e Jugosllavisë (neni 2 i Kushtetutës), thënia se Kosova është në kuadër të Republikës Socialiste të Serbisë ka karakter deklarativ dhe jokonstituitiv, meqë baza konstituitive e gjetjes së Kosovës në kuadër të Republikës së Serbisë është “Rezoluta e Prizrenit” e vitit 1945 (10 korrik) e cila, si e tillë, u derogua me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik 1990”.
Në Deklaratën Kushtetuese (2 korrik 1990) të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës, normativisht u rrumbullakua legjislacioni i brendshëm për pavarësimin e Kosovës, që u fuqizua me shpalljen e Kushtetutës së Kosovës, më 7 shtator 1990, në Kaçanik, prandaj historikisht u quajt edhe si “Kushtetuta e Kaçanikut”.
Ky proces konstituitiv pastaj fitoi edhe legjitimitetin e përmasave plebishitare pas konsultave të qytetarëve kosovarë (Referendumi për pavarësinë dhe zgjedhjet e lira parlamentare dhe presidenciale), duke siguruar legjitimitetin e brendshëm për një udhëheqje kredibile, që ka mandatin e popullit shumicë, për përfaqësim në raport me Serbinë dhe me faktorin ndërkombëtar, si dhe në mbrojtjen e interesave vitale politike të shqiptarëve në Konferencat e ndryshme ndërkombëtare, që pasuan.
Në planin procedural-demokratik, Kosova kishte përmbushur kushtin për të qenë palë në bisedimet ndërkombëtare.
“Kosova, shtet i pavarur e neutral, i hapur ndaj Serbisë dhe Shqipërisë”, ishte kredoja politike dhe postulati themeltar i dr. Ibrahim Rugovës, me të cilin postulat edhe hyri në vorbullën e rezistencës joviolente.
Ky projekt politik i kosovarëve, ndonëse nuk u mbështet de jure nga faktori relevant ndërkombëtar, po hynte në etapën e vet të “pritjes historike”, sipas parimit të lëvizjes shoqërore, gjë që nuk paraqet stagnim historik, pra as kthim retrogard historik.
Projekti politik i kosovarëve dhe rezistenca joviolente të identifikuar me figurën e Rugovës po të kihet parasysh ajo që thotë Ortega Y Gasset del të jetë perfekte.
“Shteti është në fillim një imagjinatë absolute, por imagjinata zhvillohet (krahas zhvillimit të vetëdijes së një populli) dhe projektohet në lëvizje të orientuar me vetëdije drejt themelimit të shtetit. (…) Shtetit të formuar i paraprin shteti në formim.” (Ortega Y Gasset, “Pobuna masa”; Fq. 118.)
Ekziston një debat juridik megjithatë rreth konsumimit ose jo të së drejtës për vetëvendosje.
Në këtë debat përmendet Rezoluta e Bunjajt (1943-44) dhe Rezoluta e Kuvendit të Prizrenit (1945), e para spikat vullnetin e popullit të Kosovës me u bashkue me ‘nanën Shqipni’ kurse e dyta ‘shpreh vullnetin për bashkim me Serbinë federale’.
Megjithëse, edhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese nga ana e Kuvendit të Kosovës, me 1989, ndonëse nën shtetrrethim, nuk ishte pa ndikim në rrjedhat konstituitive të vendit.
Derisa shqiptarët e Kosovës, me vetëflijim dhe vetëkontroll, pas heqjes së autonomisë i shmangen luftës, por kjo nuk do të thoshte ende se lufta përfundimisht ishte shmangur, dhe në këtë ‘vetënjohje në joviolencë” shqiptarët edhe ndërtuan identitetin e tyre shtetëror, ndërkaq që mbi ta, por edhe mbi Serbinë ende vepronte ‘balanca e frikës’, si postulat i Luftës së Ftohtë.
Por edhe përmendja e shpeshtë nga zyrtarë amerikanë si senatori Bob Dole e të tjerë, e Kërcënimit të Kërshëndellave të vitit 1991 nga presidenti George Bush, Senior, ‘vija e kuqe e cila në Kosovës nuk guxon të kalohet’ e kishte zmbrapsur Serbinë nga ndonjë ndërhyrje për spastrim etnik në Kosovë.
“Në Kosovë, që të dyja palët e duan fitoren, por asnjëra palë nuk e dëshiron luftën” thoshte Philip Han, vëzhgues i OSBE-së (atëherë KSBE) në Kosovë.
“Në Kosovë cenohen interesat amerikane” – pati thënë Wiliam Perry, sekretari amerikan i mbrojtjes, ndërkaq në qershor të vitit 1995 sekretari amerikan i shtetit Christopher, ftoi Rugovën në Washington dhe sipas medieve shqiptare, ai ishte shprehur se ShBA-ja ’nuk do të qëndrojë anash në rast të konfliktit të hapur në Kosovë.
Kjo nuk ishte megjithatë sinjal i qartë që shqiptarët t’ia nisnin konfliktit për ta pasur Amerikën si aleate!?
Kur fliste për liri e pavarësi, Rugova vazhdimisht e përdorte edhe “cilësinë” e kësaj lirie që ishte demokracia.
Më 10 qershor 1999 liria u realizua, porse shteti në formim duhej të priste ende, ndërsa demokracia ende, për guerilen kosovare ishte vetëm frazë e zbrazët dhe e ftohtë, sepse synohej kapja e pushtetit pa u legjitimuar në zgjedhje të lira!?.
Dikur shumëkush e kishte përqeshur që po kërkonte një “protektorat civil ndërkombëtar” në Kosovë…
Dhe koha e tij e njohu këtë me UNMIK-un, kurse paskoha e tij me EULEX-in…
Rugova pra zëshëm kërkonte një protektorat civil ndërkombëtar, me afat të kufizuar, derisa të stabilizohej jeta për të kërkuar zgjidhje politike pastaj, përmes negociatave shqiptaro-serbe me intermediatorë. Porse, atëbotë bëhej ndërkaq presion mbi Beogradin nga Washingtoni zyrtar për ta lejuar rivendosjen e misionit vëzhgues të OSBE-së, e ideja e Rugovës për protektorat, ndonëse ishte vendosur në listën e pritjeve, ndodhi…
Dikur shumëkujt i është dukur utopi ideja e tij për një autostradë Prizren – Peshkopi – Tiranë – Durrës, që kosovarët të “zdirgjeshin’ për kafe e të ktheheshin në mbrëmje në shtëpi…
Ajo sot, mund të thuhet së është projekt madhor, i kryer.
Sado që si pasojë e politikave jokreative të liderëve shqiptarë dhe kosovarë ende projekt “ekonomikisht i vdekur.”
Dhe së fundi, Kosovës i ra hise ta sprovonte veten si shtet funksional në mort, më 2006 kur Rugova vdiq.
Ndonëse në zi për presidentin e parë Kosova funksionoi si shtet normal, madje i krahasueshëm më shtetet me demokraci të zhvilluara.
Trupat e KFOR-it dhe policia e UNMIK-ut kishin ulur në minimum gjendjen e gatishmërisë.
U “kthyen” në vëzhgues ose në dhe fotografë amatorë…
Shtyllat e këtij shteti, si lidershipi, TMK-ja, SHPK-ja (Policia e Kosovës) dëshmuan se janë të ndërtuara me themele të forta dhe në segmentet e veta kruciale nuk ranë në provim faqe botës.
Në një ditë me ngrica, rreth gjysmë milioni njerëz u dyndën në kryeqytet për të manifestuar unitet rreth vizionit të ish-presidentit Rugova, për një shtet demokratik, të lirë dhe për një shoqëri që i ka akseptuar vlerat e qytetërimit perëndimor.
Dhe kur në temperatura shumë të ulëta, njerëzit duke qarë prisnin në radhë të gjata për t’i dhënë lamtumirën e fundit, sërish u rishfaq fuqia ikonike e Ibrahim Rugovës, si të ishte një Papë!?
Në favor të kësaj shkon fakti se ato ditë zie kombëtare nuk ishte shënuar asnjë incident, protokolli i ceremonisë mortore pati funksionuar mirë, por edhe skenografia dhe elementet e tjera që e bëjnë madhështore një zi kombëtare u zhvilluan si në çdo shtet normal demokratik.
Por tek parakalonte nëpër qytetin e tij, qytetari i parë, tashmë i vdekur, ëndrra e tij shihej se ishte bërë realitet.
Ai me amanetin e tij që të pushonte i qetë në varrezat e dëshmorëve sikur me fuqinë e vdekjes tejçoi mesazhin se shoqëria kosovare ka marrë anën e jetës.
Në ato varreza prehen martirë të tri lëvizjeve të mëdha, partizanë antifashistë, luftëtarë të UÇK-së si dhe kampioni i rezistencës së padhunshme, Rugova.
Mesazhi duhet kuptuar drejt.
Ka diçka martire në veprimtarinë politike të Rugovës, dhe për t’u avitur te flijimi i Jezuit, Kosovës i jep ende emër e pietet, edhe i vdekur.
Ai, Rugova, që sot kur shpirti i tij lartësohet, i dha Kosovës një pamje zie të hijshme: Shteti u pa. Është Presidenti i parë i vendit që shkoi në amshim dhe që sot ai zë vendin meritor në historinë e shtetit.
Mrekullia e parë ndodhi: Kosova nisi historinë e shtetit.
Atë të enjte, kur po varrosej lideri i kosovarëve, shtyllat themeltare të shtetit funksionuan mirë dhe të pavarura.
Kosova do të ketë presidentin e dytë… të tretë dhe të tjerët, aq sa do të rrojë njerëzimi.
Që do të mbahen mend si liderë të mirë ose të këqij, që do të lavdërohen ose qortohen…
Ikona e pavarësisë së shqiptarëve është e paqortueshme.
Sepse çdo ikonë është ide pafajësie.
Pra, Rugova është një, ai ka hyrë në mbamendjen e kosovarëve si kundërshtarë i luftës dhe i fatkeqësisë, si mik i njeriut dhe si mendimtar i lirisë. (Fund)
*Koha Ditore