Rusët vërshojnë në Greqi, rritje 134% e turizmit
Duket se këtë verë miliona rusë do të zgjedhin Greqinë për të kaluar pushimet te tyre verore. Sipas Ministrisë greke të Turizmit, vetëm në 3 muajt e parë të këtij viti agjencitë ruse kanë bërë prenotime jashtë çdo parashikimi, duke sjellë një rritje prej 134.5% të fluksit turistik, ndërsa ekspertë të turizmit thonë se rritja do të jetë edhe më madhe deri në fund të vitit.
Sipas tyre, kërkesa e turistëve rusë vjen në rritje edhe për shkak të lehtësimit të procedurave të pajisjes me vizë, ku siç njofton Ministria e Jashtme greke, aktualisht jepen çdo ditë rreth 7 mijë viza turistike. Po kjo ministri njoftoi se ka dyfishuar personelin e saj konsullor në Rusi për të përballuar fluksin e kërkesave.
Por edhe operatorët turistikë grekë thonë se hapja e tregut rus në një moment që vendi po kalon një situatë të vështirë ekonomike është një shans që nuk duhet humbur. Janë disa dhjetëra milionë rusë që udhëtojnë çdo vit për turizëm, kryesisht në Turqi dhe Egjipt, por situata e sigurisë atje ka bërë që ata tashmë t’i kthejnë sytë nga Greqia.
Vetëm gjatë këtij viti, në shtetin helen priten 1.3 milon turistë më shumë se një vit më parë, çka do të thyejë rekordin e 2015-s prej 23.5 milonë mbërritjesh. Deri tani, rritja e prenotimeve i kalon 11.8% dhe kërkesa sa vjen e shtohet, thonë ekspertët. Është tepër e vështirë të gjendet hotel në Greqi, që nuk ka prenotime mbi 95% për sezonin turistik.
Për të mbështetur fluksin, autoritetet vendore kanë ndërmare një fushatë publicitare në qytetet europiane, duke e kthyer sërish sektorin në kulmin e shkëlqimit të tij.
Përveç bukurive natyrore të Greqisë, autoritetet helene thonë se kanë marrë edhe masa tepër të rrepta për sigurinë dhe shmangien e akteve terroriste, ose që mund të cënojnë sigurinë e vizitorëve.
Në çdo shesh ose pikë turistike të vendit, shumë lehtë mund të dallosh policë që patrullojnë në zonë, ndërsa anti-terrori monitoron 24 orë në 24 çdo individ të dyshimtë që mbërrin ose jeton në vend.
Duket se siguria e ofruar prej autoriteteve greke, e gërshetuar me politika të tjera lidhur me liberalizimin e vizave për turistët, paketa të veçanta për shtresa të ndryshme dhe bukurite natyrore e ato të lashtësisë, kanë bërë që autoritetet të presin një rritje të turistëve edhe nga SHBA me mbi 28.9%, nga Britania me 6.3% dhe nga Gjermania me 5.5%.
Madje, këta të fundit, të lodhur prej krizës së refugjatëve, kanë preferuar të zgjedhin destinacione ku nuk ka emigrantë të strehuar, siç është Kreta, Samosi, Rodosi dhe Korfuzi. Rritje pritet të ketë edhe nga vendet e Ballkanit, si Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova, nëse do të përfundojë me sukses procesi i liberalizimit të vizave.