Rusi: Marrëdhëniet me Ukrainën dhe Perëndimin në pikën me të ulët
Ndërsa largimi i rusëve nga Perëndimi konceptohet nga popullsia edhe si ftohje e marrëdhënieve me Gjermaninë, ukrainasit po bëhen gjithnjë e më tepër ithtarë të vendeve dhe të organizatave perëndimore.
Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Ukrainës janë krejtësisht të ftohta. Popullsia e Ukrainës nuk ka aktualisht asnjë lloj iluzioni: 81 për qind e të anketuarve e shohin vendin në luftë apo në gjendje lufte me Rusinë fqinje. Kurse në Rusi pak më shumë se gjysma e popullsisë (54 për qind) mendojnë se Rusia është në luftë me Ukrainën. Gjithësesi rreth 34 për qind, e cila vlerësuar situatën në Ukrainë, si një luftë me Rusinë ose të gjendje të ngjashme me luftën.
Sondazhi i porositur nga Deutsche Welle u zhvillua nga instituti për demoskopi IFAK me seli në Kiev. Për këtë sondazh u pyetën në telefon në Rusi dhe në Ukrainë nga 1000 qytetarë në moshën 18 deri 65 vjeç, në qytete me më shumë se 50.000 banorë. Në rajonet e Ukrainës që janë nën kontrollin e separatistëve si dhe në Krime nuk u kryen sondazhe. Kievi e ka ndaluar çdo lloj komunikimi në këto zona – veçanërisht me organet e separatistëve – dhe i vlerëson ato si mbështetje të terrorizmit. Një nga pyetjet e sondazhit lidhej edhe me marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit.
Marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin në pikën me të ulët
Marrëdhëniet me Bashkimin Evropian konsiderohen nga 59 për qind e rusëve si të tendosura ose armiqësore. Si të tilla shihen raportet me NATO-n dhe SHBA-në nga rreth 70 për qind e tyre.
Sa u përket atyre gjermano-ruse këto nga perspektiva e shumicës së rusëve nuk vlerësohen më si miqësore apo si një formë partneriteti.
Ndërsa në nëntor 2013 marrëdhëniet me Gjermaninë konsideroheshin si më të mirat midis të gjitha vendeve nga 60 për qind e të anketuarve, sot si të tilla i konsiderojnë ato vetëm 26 për qind e tyre. Më shumë se gjysma (53 për qind) i vlerësojnë marrëdhëniet gjermane-ruse si të tensionuara apo madje si armiqësore.
Ftohja e dukshme e marrëdhënieve me vendet dhe organizatat perëndimore, çon nga ana tjetër në rilulëzimin e miqësive të vjetra. Kështu tani 83 për qind e të anketuarve e vlerësojnë Bjellorusinë si mike ose partnere të Rusisë. Madje edhe Gjeorgjia shihet sot rreth gjashtë vjet pas konflikteve të armatosura nga rreth një e treta e të anketuarve si partnere apo mike.
Ukrainasit e shohin Perëndimin si mik
Sa u përket ukrainasve në të gjitha rajonet e vendit vihet re një rritje e preferencave ndaj perëndimit. Marrëdhëniet me vendet dhe organizatat perëndimore konsiderohen sot si pozitive nga shumë më ukraninas se sa në në muajin nëntor të vitit 2013. Në krahasim me këtë periudhë vihet re një rritje e konsiderueshme pozitive dhe gati dy të tretat (66 përqind) e ukrainasve, i shohin marrëdhëniet gjermano-ukrainase si miqësore ose si marrëdhënie partnerësh. Kjo përbën një rritje me 30 pikë për qindjeje më shumë se vitin e kaluar. Ajo që vihet re është edhe se SHBA po shihet gjithnjl e më shpesh me skepticizëm. Tani SHBA vlerësohet si mike ose partnere vetëm nga 67 për qind e ukrainasve.
Ndërkohë, 73 për qind e ukrainasve aspirojnë një anëtarësim të vendit të tyre në BE. 58 për qind e tyre duan që kjo të bëhet e mundur brenda dhjetë viteve të ardhshme. Vetëm 19 për qind janë kundër anëtarësimit të Ukrainës në BE. Ithtarët e anëtarësimit të Ukrainës në BE janë në pjesën lindore të vendit pothuajse në të njëjtin nivel si pjesën perëndimore të tij.