“Sa kam shpirt, kam shpresë…”

Nga Xhevat Mustafa

Më 26 nëntor 2014, në sallën e Kinema Millenium 2” në Tiranë, u shfaq premiera e filmit dokumentar “Sa kam shpirt, kam shpresë…”, me skenar dhe regji të Esat Telitit, Mjeshtër i Madh, kushtuar mjekut dhe patriotit të shquar Dr.Jani Basho. Ndërsa më 6 dhjetor, ora 21.00 u transmetua në Televizionin Shqiptar. Ky film dokumentar shquhet për pasurinë e informacioneve, të mesazheve, apeleve dhe emocioneve. Duke parë filmin dokumentar “Sa kam shpirt, kam shpresë…” çuditesh dhe tronditesh nga fakti se i diplomuari me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Vjenës dhe që meritoi titullin “Unicus Medicus Doctor”,( Mjek i veçantë); njeriu që solli projektet nga Vjena dhe ideoi ndërtimin e Spitalit Civil Nr.1 dhe atij Ushtarak Nr.2 në vitet 1929-1932; intelektuali që luftoi me mish e me shpirt për të sjellë perëndimin në Shqipërinë gjysmë feudale etj, është persekutuar sa qe gjallë me mosmirënjohje dhe pas vdekjes, duke u lënë në harresë. Kur përfundon filmi njeriu natyrshëm shpreh në vetvete apo me zë dëshpërimin dhe pakënaqësinë për qenien edhe të dr.Jani Bashos viktimë e traditës zyrtare apo qeveritare shqiptare “Vdis pa të të nderojmë”.

Esat, si ju lindi ideja për këtë film?

Erdhi krejt natyrshëm. Kontakti me librin për biografinë e dr. Jani Bashos, “Sa kam shpirt kam shpresë” më befasoi. Ky libër i shkruar nga mjeku Jovan Basho, më ngacmoi dhe frymëzoi për të realizuar diçka rreth këtij mjeku. Ishte një figurë e rrallë për nga densiteti i ngjarjeve dhe i subjekteve, që nga fëmijëria e deri sa u nda nga jeta. Një njeri me shumë kontribute, me shumë vlera, një model i rralle dhe enciklopedist. Duke gjykuar mbi atë çfarë tregonte libri, arrita në përfundimin se e gjithë kjo lëndë njerëzore dhe emocionale, shërbente për subjektin e një filmi interesant. Një njeri që preku ekstremet e fatit të tij, suksesin dhe harrimin e madh, dramën midis ovacioneve te zhurmshme për arritjet dhe tragjizmin e heshtur të mënjanimit. Të gjitha i përballoi me durimin e tij të palëkundur.

Suksesi i një filmi është i varur nga puna si ekip apo staf. Tani kur ka përfunduar gjithçka a je i kënaqur me atë që keni paraqitur?

Puna me stafin ne çdo rast duhet të frymëzohet nga harmonia. Regjisori nuk duhet ta mbajë të fshehur, hermetike për asnjë moment idenë dhe mesazhin qe do të përcjelle nëpërmjet filmit. Për asnjë çast nuk duhet të mendojë se duke ruajtur fshehtësinë e asaj që po krijon, do të beje “namin” ditën që do të shfaqet filmi. Jo. E ka gabim. Në këtë mënyrë harmonia nuk ekziston transparente, por përkundrazi do të mbështillet nga një rrjetë e padukshme, tunduese e mosbesimit tek secili pjestar i grupit. Kjo rrjetë që bëhet e frikshme përmban rrezikun kryesor në përcjelljen e lirë të mesazheve dhe në lirinë e vetë veprës. Prandaj regjisorit i duhet të diskutojë dhe të ruaj në barazpeshë të dukshme vlerën e asaj që po krijon. Së pari ai duhet të jetë vetë i ndërgjegjshëm dhe i bindur për atë që po bën dhe për asnjë çast nuk duhet të kapet “gafil’ nga të papriturat e pyetjeve. Regjisori së bashku me grupin e vet duhet të jenë fare te bindur se po ecin në shina që çojnë tek i njëjti stacion. Ai nuk duhet të jetë hermetik ndaj ideve të tij. Përkundrazi, deri në detaje duhet të shpjegohet me kolegët, sepse duke bërë këtë ai ka injektuar tek ata vetë hermetizmin e tij, i cili nuk tingëllon me si “uni” personal, por si vetë harmonia transparente e veprës.

Puna me kamerën është realizimi i asaj që ke menduar prej kohësh, që e ke shkruar me aq durim. Operatori është syri i regjisorit. E kanë thënë këtë mrekullisht mjeshterit qe e bënë kinemanë. Realiteti i punës nuk është i ngjashëm kudo për të gjithë ata që e bëjnë këtë art. Erini, operatori ishte krejtësisht i bindur se do të lodhej shumë nga gjithë ai volum xhirimesh të shpërndara gjithandej. Kjo ishte njëra anë e punës. Ajo me kryesorja ishte kompozimi dhe futja e shpirtit të tij në objektivin e kamerës. Përgjatë gjithë kohës së xhirimeve disa mujore, syri dhe shpirti i tij do të ishin të burgosur brenda atij kuadrati prej nga do të buronte liria e çdo episodi te filmit. Në këtë liri përfshiheshin njerëz, ambiente, objekte, vetë natyra e gjallë me tërë ekzistencën e saj. Na është dashur, po them një kuriozitet, te shkojmë disa herë në qytetin e Pogradecit, vendlindja e heroit të filmit. Ta xhirojmë atë dhe liqenin në gjendje të ndryshme kohore për të qenë në paralele me gjendjen shpirtërore të heroit. Them se me shume mund ia kemi arritur. Kohën nuk e burgosnim dot brenda objektivit. Ajo lëvizte e lirë për qejfin e vet deri ne infinit, e prandaj ne na duhej ta kapnim ne befasi. Rinia dhe ngjyrat e kuadrit pikërisht tek kjo befasi e liri i kanë rrënjët. E them këtë tani që ka mbaruar filmi ashtu siç dua të theksoj se të punoja me tim bir si operator, nuk ishte fort e lehte. Lodhjen fizike e kishim të përbashkët, te pafjale, ndërsa debatin profesional e kishim të pranishëm deri në kuadrin e fundit që kemi xhiruar. Na ka bërë dëm si individë? Ndoshta po. I ka bërë mirë punës? Them se pa fund. Gjithsesi mbetemi sërish babë e bir, ja tek jemi dhe do të debatojmë sërish për punën. Kualitetin e saj Erini kërkon ta mbajë në dritë të syrit e nuk do të bëjë kompromis. Kjo gjë me pëlqen tek ai.

Montazhi është filmi. Imagjino të kesh përpara ngarkesa të tëra të mbushura plot e përplot me plane te xhiruara anë e kënd. Xhirime në fushë, në mal, në liqen, në qytet, nëpër shtëpi, arkiva, biblioteka, spitale etj etj te zbrazura këto të gjitha në një folder prej 26 orësh.Tashmë gjuha e montazhit përkthehet me qindra e mijëra numra ne kompjuter. Imagjino c‘katrahurë informacioni bluhet ne trurin elektronik midis numrave. Merre me mend se çfarë saktësie duhet në tavolinën e montazhit. Këtë detyrë, montazhierja Alda Sula, e zgjidh me elegancën e saj te hijshme profesionale duke krijuar një harmoni reale midis figurës filmike.

Në një kuptim të figurshëm po them se janë zbrazur thasë te tërë të mbushur me klikime muzike për të mbërritur tek ajo që kemi vendosur. Me profesionalizmin, shpirtin e saj artistik te afirmuar prej kohesh, formuluesja e muzikës Majlinda Bërxolli e shoqeron filmin kuadër pas kuadri deri ne finale.

 

Gjithnjë e pranishme ishte konsulenca e dr. Jovan Bashos, i cili vuri në shërbim të filmit pjesë të rëndësishme të arkivit familjar qe kishin te bënin me figurën e Janit. Ishte një arkiv i pasur e me vlera te jashtëzakonshme qe ruhej prej vitesh, brez pas brezi brenda familjes Basho.

A patët mbështetje në këtë film?

Sigurisht, Drejtoria e Televizionit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Radio Televizionit që aprovuan projektin për realizimin e këtij dokumentari. Mbështetja kryesore erdhi nga një njeri i veçantë e dashamirës i artit, i cili pasi lexoi librin mbi jetën e dr. Jani Bashos u mbush me entuziazëm e vlerësim për të. Ky njeri i mirë që bëri të mundur realizimin e këtij filmi quhet Muhamet Malo. Vazhdimisht e përditë e shoh tek kaloj për në televizion. Ai qëndron në të hyrë të ambientit te tij të punës. Vërej sa shumë njerëz qe kalojnë në trotuar, e duan dhe e përshëndesin Z. Muhamet, sepse vërtetë cilësitë e tij njerëzore dhe shpirti i tij human të bëjnë ta respektosh këtë njeri të rrallë e bamirës.

 

SHKARKO APP